Publikohet një video-material ku shihet një kamion teksa has në një gropë, ndërsa kalon në një rrugë të përmbytur.
Mbishkrimi i videos së publikuar të shtunën (5 shtator) në TikTok nga llogaria me emrin “infopointstar”, pretendon të shfaq gjendjen e rrugëve në Kosovë.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info gjeti se videoja në fjalë nuk shfaq pamje nga Kosova.

Deri në momentin e publikimit, përmbajtja në fjalë ka marrë mbi 25 mijë shikime.
–
Hibrid.info ka hulumtuar përmes programit të automatizuar të kërkimit “InVID”. Përmes “Google Lens” u gjet një artikull që kishte si imazh kryesor, pamje nga kjo video (shih këtu).
Pas kontrollit të tekstit, që ishte publikuar u gjet se bëhej fjalë për një ngjarje që kishte ndodhur në Indonezi, videoja e së cilës ishte shkrepur në gusht të vitit 2023.
Në përmbajtje tregohej se videoja së pari, ishte publikuar në rrjetin social “Instagram” (shih këtu).
Hulumtimi përmes këtij programi kërkuar nuk ka shfaqur artikuj të publikuar në mediat në gjuhën shqipe, ku do të mund të konfirmohej pretendimi në fjalë.
Është bërë edhe një përpjekje për të lokalizuar saktë vendin ku janë regjistruar këto pamje përmes metodave të verifikimit gjeografik, mirëpo një gjë e tillë ishte e pamundur sepse pamjet nuk janë fare të qarta.
Cilësia e ulët e videos, errësira e natës dhe drita e fortë e përhapur mbi tavanin e pompës së benzinës e bëjnë çdo tekst, logo apo targë automjeti krejtësisht të palexueshme.
Për më tepër, në video ka mungesë të pikave unike të referimit.
Analiza:
Videoja që tregon një kamion teksa has në një gropë në një rrugë të përmbytur dhe që pretendohet se shfaq gjendjen e rrugëve në Kosovë është e pavërtetë.
Përmes mjeteve të verifikimit si “InVID” dhe “Google Lens” u vërtetua se pamjet nuk i përkasin Kosovës, por bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Indonezi në gusht të vitit 2023.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.