Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një video-material që nis me një pamje ku Albin Kurti shihet duke kaluar pranë automjeteve ushtarake, për të vijuar më pas me sekuenca pamjesh nga aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kjo përmbajtje e publikuar në TikTok të hënën (16 shkurt) nga llogaria me emrin “destinyright”, ka mbishkrimin që pretendon se gjatë qeverisjes së “Kurti 2” janë investuar 1 miliard euro në armatim, çka shënon rritje prej 400% të shpenzimeve në këtë aspekt, në krahasim me qeverisjet e kaluara.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se në bazë të deklarimeve të zyrtarëve shtetërorë, shpenzimet ushtarake janë rritur në pesë vitet e fundit, por ato nuk kanë arritur shifrën prej 1 miliard eurove.

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “shpenzimet për armatim kosovë”, për materiale të publikuara nga 2021 e deri më sot (shih këtu).
Nga ky kërkim nuk janë gjetur dokumente zyrtare që do të konfirmonin shifrat e shpenzimeve për armatim. Rezultatet kanë shfaqur disa artikuj që raportojnë për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, që i dedikohej këtij dikasteri në vite të caktuara.
Bazuar në këto rezultate, hibrid.info e çoi hulumtimin në artikuj që do të mund të sqaronin buxhetin e Ministrisë së Mbrotjes viteve të fundit.
Në artikujt e hasur është gjetur se për këtë ministri, në vitin 2021 ishin ndarë 67,3 milionë euro, në vitin 2022 ishin ndarë 102,3 milionë euro, në 2023 ishin ndarë 123 milionë euro, në 2024 ishin ndarë 153 milionë euro dhe për vitin 2025 ishin ndarë 208 milionë euro (shih këtu, këtu dhe këtu).
Në bazë të këtyre raportimeve, totali i buxhetit të ndarë për Ministrinë e Mbrotjes kap shifrën mbi 650 milionë euro.
Tutje, hibrid.info gjeti se më 2 mars 2022, Thesari i Kosovës kishte hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve të dedikuara për siguri (shih këtu).
Sipas raportimeve të disa mediave në gjuhën shqipe, shuma e mjeteve të grumbulluara në këtë llogari bankare të emërtuar “Fondi i Sigurisë” mbetet sekrete që nga themelimi i saj (këtu dhe këtu).
Por, hibrid.info ka gjetur artikuj ku janë raportuar deklarata të Ejup Maqedoncit, ministrit të Mbrojtjes, i cili ka përmendur shifrat e shpenzimeve sa i përket blerjes së armatimeve.
Në një video-material të publikuar të martën (17 shkurt), në kanalin zyrtar në Youtube të televizionit “Kohavision”, shfaqet një intervistë e Maqedoncit, ku ai ka përmendur shifrën e 450 milionë eurove të shpenzimeve vetëm për armatim, gjatë mandatit të kaluar qeverisës (shih këtu).
Kjo konfirmohet edhe në një artikull të publikuar në portalin e këtij mediumi, ku është paraqitur deklarata e Maqedoncit (shih këtu).
Sa i përket shpenzimeve në armatim të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, e njohur si qeveria “Kurti 2” në raport me qeveritë e kaluara, përveç një publikimi të datës 26 mars në llogarinë e ministrit Maqedonci, ku pretendohet se në vitet 2018-2020 u investuan më pak se 4 milionë euro, ndërsa në 2021 -2024 u investuan 319 milionë euro, nuk është gjetur ndonjë fakt që do të sqaronte situatën (shih këtu).
Procesi dhjetëvjeçar i transformimit të FSK-s në forcë me kapacitete ushtarake parashihte ngritjen e kapaciteteve luftarake në fazën e dytë. Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së, që ishte paraparë të nis nga viti 2025 e të zgjasë deri më 2028, planifikohej ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore (shih këtu).
Në fushatën zgjedhore para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 dhe në fjalimin ekspoze (12 shkurt 2026), para se të merrte besimin për të qeverisur nga Kuvendi i Kosovës, Kurti ka premtuar 1 miliard euro në katër vitet e ardhshme në mbrojtje (shih këtu).
Analiza:
Një video e publikuar në TikTok paraqet pamje të kryeministrit Albin Kurti pranë automjeteve ushtarake dhe aktivitete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me mbishkrimin që pretendon se gjatë qeverisjes së tij janë investuar 1 miliard euro në armatim, duke shënuar rritje prej 400% krahasuar me qeveritë e kaluara.
Pas verifikimit të raportimeve mediatike dhe deklarimeve publike të zyrtarëve shtetërorë, hibrid.info ka gjetur se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka shënuar rritje graduale nga viti 2021 deri në vitin 2025, me një total që kap shifrën mbi 650 milionë euro për këtë periudhë. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se rreth 450 milionë euro janë shpenzuar vetëm për armatim gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
Megjithatë, nuk është gjetur asnjë dokument zyrtar apo raport financiar që të konfirmojë pretendimin se 1 miliard euro janë investuar në armatim gjatë qeverisjes së kaluar. Kjo shifër përmendet në kontekst të një premtimi për investime në katër vitet e ardhshme dhe jo si shumë e realizuar deri më tani.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përbajtjen si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.