info@hibrid.info
Çitaku nuk tha decitivisht se “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në disa media online në gjuhën shqipe, të hënën (25 gusht) është shpërndarë një artikull me titull “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi, thotë Çitaku – “Veç deshëm të dimë a e kanë seriozisht””.

Artikulli është publikuar nga mediat online si, “Gazetainfokus.com”, “Gazeta10.com”, “Veriu.info”, “Ekonomiaonline.com”, “Frontonline.net”, “Demokracia.com”, “Nacionale.com” e “Gazetablic.com”.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, nuk e ka thënë shprehimisht se “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi”, siç pretendohet në titujt e artikujve të lartcekur.


Në përmbajtje të këtyre artikujve nuk përmendet se një deklaratë e tillë është dhënë nga Çitaku.

Hibrid.info gjeti deklaratën e Çitakut dhënë për mediumin online “VOX Kosova”. Në këtë intervistë, ajo foli lidhur me kandidaturën e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit.

Çka tha Çitaku?

 “… ashtu siç ishim dakorduar në grupin parlamentar, kërkuam pak pauzë, jo pse kishim votë kundër apo pse do ta refuzonim një propozim të tillë, por thjesht donim të sigurohemi që Lëvizja Vetëvendosje e ka seriozisht kandidimin e zotit Dimal Basha”. (shih këtu)

Pra, në asnjë rast, Çitaku nuk tha decitivisht se PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi.


Pak kontekst

Të dielën (24 gusht) deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në seancën e 57-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje doli me tre propozime. Fillimisht për herë të dytë me radhë u propozua ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili dështoi të marr votat e duhura. Pas dështimit të tij, Murati ishte ai që propozoi për kryeparlamentare ministren në detyrë të Arismit, Arbërie Nagavcin, e cila po ashtu nuk mori votat e mjaftueshme.

Nagavci pastaj propozoi deputetin Dimal Basha. Por, as Basha nuk mori votat e mjaftueshme.


Analiza:

Më 25 gusht disa media online në gjuhën shqipe publikuan artikuj me titullin se “PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi”, duke theksuar se kjo deklaratë është thënë nga deputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Pas verifikimit, rezulton se kjo deklaratë nuk është dhënë nga Çitaku.

Në intervistën e saj për “VOX Kosova”, Çitaku tha se PDK-ja kërkoi një pauzë jo pse kishin votë kundër apo pse do ta refuzonim një propozim të tillë, por për t’u siguruar që LVV e kishte seriozisht kandidimin e Dimal Bashës. Në asnjë moment nuk tha se PDK-ja do ta votojë atë për kryetar të Kuvendit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others