[email protected]
Përpjekja për ta barazuar rastin e Ukrainës me atë të Kosovës, e pabazë
shape
shape
shape

Mediat serbe sot (12 shtator) kanë publikuar artikull me pretendimet e shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, e ndërlidh me Kosovën, duke e interpretuar pavarësinë e Kosovës si shkelje e integritetit territorial të Serbisë.  

Pretendimi i Petkoviq-it ka të bëjë me narrativin e ndërlidhjes së shkeljes së integritetit territorial të Ukrainës me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Nw njw emsion tw Radio Televizionit të Serbisë (RTS), Petkoviq tha se “të gjithë tani po flasin për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, dhe kjo është pikërisht ajo që i ndodhi Serbisë në Çështja e Kosovës dhe Metohisë”.

Ky krahasim i Petkoviqit u publikua edhe në mediat tjera kryesore në Serbi. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Pjesë nga deklaratat e Petar Petkoviqit të publikuara në RTS:

“Kjo është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe presidenti Vuçiq do të flasë për këtë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së… Të gjithë tani po flasin për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, dhe kjo është pikërisht ajo që i ndodhi Serbisë në çështjen e Kosovës dhe Metohisë”, tha Petkoviq dhe shtoi se Serbia pritet të vendosë se në cilën anë të perdes do të jetë.

“Ata nuk mund të lejojnë asnjë konflikt të ri dhe trazira në tokën e Evropës. Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar dhe ka folur vazhdimisht për këtë, ata duan të hedhin poshtë argumentet e përdorura nga Presidenti Vladimir Putin kur flet për precedentin e Kosovës, për njohjen e vendeve perëndimore, për të justifikuar veprimet e tij në Ukrainë. Prandaj presidenti Vuçiq thotë se Serbia është dëm kolateral i konflikteve mes të mëdhenjve dhe të fuqishmëve në botë. Sa më shumë që flitet për Kosovën në kontekstin e luftës në Ukrainë, më keq është për ne”.


Megjithatë, krahasimi i bërë nga Petkoviq nuk ka të përbashkëta. Dy rastet kanë dallime të mëdha. Hibrid.info do t’i sjellë disa nga momentet që e dëshmojnë të kundërtën e pretendimit të Petkoviqit.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 – nëntë vjet pasi NATO bombardoi Republikën Federale të Jugosllavisë (këtu). Në mars të vitit 1999, forcat e NATO-s filluan bombardimet për shkak të eksodit dhe krimeve të kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në atë luftë dhe mijëra u zhdukën (këtu).

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (këtu). Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë SHBA-në dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian (këtu).


Zhvillimet në Ukrainë, që nga pavarësimi nga BRSS, kishin një ecuri krejtësisht tjetër në krahasim me ato në rastin e Kosovës.

Kur Bashkimi Sovjetik filloi të shpërbëhej në vitet 1990–91, legjislatura e S.S.R. e Ukrainës shpalli sovranitetin (16 korrik 1990) dhe më pas pavarësinë e plotë (24 gusht 1991), një lëvizje që u konfirmua me miratimin e popullit (1 dhjetor 1991). Me shpërbërjen e BRSS në dhjetor 1991, Ukraina fitoi pavarësinë e plotë. Vendi ndryshoi emrin e tij zyrtar në Ukrainë. (këtu)

Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014 (këtu). Ukraina nuk është një “botë ruse”, por një shtet i njohur ndërkombëtarisht. Pushtimi (aneksimi territorial) rus filloi më 24 shkurt 2022. (këtu)

Se Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar në Ukrainë u konfirmua para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta e OKB-së kundër agresionit rus kundër Ukrainës u miratua me 141 vota pro, pesë kundër dhe 35 abstenime. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj. (këtu)

Pra, krahasimi i bërë nga shefi i zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, në lidhje në shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës me shpalljen e pavarësisë së Kosovës si shkelje e integritetit territorial të Serbisë është i pavend për faktet e radhitura mësipërm.


Analiza:

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një prononcim për Radiotelevizion Serb, RTS, shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës e ka ndërlidhur me Kosovën, duke pretenduar se edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës është shkelje e integritetit territorial të Serbisë, njëjtë sikurse pushtimi i paprovokuar i territoreve të Ukrainës nga Rusia.

Faktet na flasin se Kosova është shpallur e pavarur pas luftës për çlirim nga okupatori serb, dhe se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të të drejtës ndërkombëtare dhe se është njohur më shumë se 100 shtete të botës, duke përfshirë këtu SHBA-të dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Prandaj, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënë shkelje të integritetit territorial të Serbisë, por një të drejt ndërkombëtare.

Ndërkaq, Rusia ka shkelur integritetin territorial të Ukrainës duke filluar me aneksimin e Krimesë në vitin 2014, dhe pushtimin e nisur me 24 shkurt 2022, përkundër faktit se Ukraina është i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.

Hibrid.info në bazë të metodologjisë së punës vlerëson se pretendimet e Petkoviqit klasifikohen si “manipulim i fakteve”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others