[email protected]
Rishikimi i javës:  Keqinformata ndërlidhur me zgjedhjet në media sociale shqip e teori konspirative në serbisht, dezinformata në serbisht për masakrën e Reçakut
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Dezinformatat janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, disa teori konspirative u publikuan nga zyrtarë serbë dhe media ruso-serbe, duke përfshirë pretendime pa bazë faktike. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzoi kryeministrin Albin Kurti për kërcënime ndaj serbëve dhe Serbisë, megjithëse gjatë tubimit të parë të Vetëvendosjes, Kurti nuk përmendi serbët e Kosovës, por premtoi ndjekjen e aparatit shtetëror të Millosheviqit. Në anën tjetër, Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Serbisë, deklaroi se Qeveria e Kosovës po kryente “spastrim etnik” me mbylljen e strukturave paralele serbe, pretendim ky i kundërshtuar nga faktori ndërkombëtar, i cili theksoi nevojën për një zgjidhje dialoguese dhe mbrojtjen e të drejtave të serbëve. Ndërkohë, artikulli i publikuar nga RT (Russia Today) në shërbimin serb pretendoi se Kurti po përdorte retorikë të ashpër dhe po bënte thirrje për luftë e urrejtje ndaj serbëve. Megjithatë, faktet tregojnë se ai ka folur për armatimin e Kosovës dhe për ndjekjen e bandave kriminale e infiltrimeve serbe, pa bërë thirrje për luftë apo shprehur urrejtje ndaj serbëve të Kosovës.

Hibrid.info ka identifikuar dy raste të dezinformimit me tituj dezinformatë/clickbait në platformën YouTube. Në një video të publikuar më 12 janar nga “Euronews Albania” me titull “Kurti ka blerë komisionerët e zgjedhjeve! Akuza e fortë e deputetes së AAK”, u zbulua se deputetja Time Kadrijaj kishte folur vetëm për manipulimin e votave të diasporës nga LVV dhe jo për blerje komisionerësh. Po ashtu, më 17 janar, në kanalin “NTV Televizion” u publikua një video me titull “Trump merr në dorë çelësat e Kosovës/ Kurti takim sekret me Trump”. Pas verifikimit, u konstatua se videoja përmbante diskutime për fushatën zgjedhore dhe çështjet e armatimit, pa përmendur as kryeministrin Kurti dhe as Donald Trump, duke e bërë këtë një shembull të qartë të clickbait-it.

Dezinformatat janë publikuar në mediat sociale dhe portale online në serbisht. Një imazh i publikuar në Facebook pretendon se hoxhë Shefqet Krasniqi ka deklaruar se vota për Vetëvendosjen është haram, por kjo deklaratë daton që nga viti 2011. Një tjetër pretendim nga mediumi rus “Sputnik” thotë se masakra e Reçakut ishte një “inskenim”, por ky pretendim bie ndesh me dëshmitë e organizatave si “Human Rights Watch”. Po ashtu, një video e shpërndarë në TikTok pretendonte se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte fyer policinë e Kosovës, por rezultoi se ishte një përmbajtje e vjetër dhe e keqinterpretuar. Një fotografi që paraqet ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, afër ministrit serb Marko Gjuriq, u përdor për të pretenduar një takim para tubimit zgjedhor të Vetëvendosjes, por fotografia daton nga viti 2019 dhe nuk lidhet me fushatën aktuale.

Lajm i rremë/Mashtrim u vlerësuan dy imazhe të publikuara, që pretendojnë të tregojnë sondazhe mbi mbështetjen popullore për subjektet politike në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat pas verifikimit nga hibrid.info rezultuan të jenë të rreme. Një imazh i publikuar më 14 janar nga faqja “Kosova.info” në Facebook pretendon se sondazhi është realizuar nga kompania amerikane SDGs Global Survey. Ndërkohë, një imazh tjetër i publikuar më 4 janar në TikTok nga llogaria “partiademokratike88” tregon rezultatet e manipuluara, duke e shpallur PDK-në fituese nëse zgjedhjet mbaheshin sot. Hulumtimi i kryer nga hibrid.info zbuloi se njëri sondazh nuk ka burim të besueshëm, ndërsa tjetri është manipuluar.

Disa lajme të rreme të publikuara në media sociale janë identifikuar nga hibrid.info gjatë javës që shkoi. Në një postim në TikTok më 14 janar, është pretenduar se një sondazh mbi mbështetjen popullore për partitë politike në Kosovë është realizuar para zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ishte në krye me 71%, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pasonte me 14%. Pas verifikimit nga hibrid.info, është konfirmuar se sondazhi nuk është mbështetur nga burime të besueshme. Po ashtu, një postim në Telegram më 15 janar ka pretenduar se amerikanët manipuluan masakrën e Reçakut për ta fajësuar Serbinë, një pretendim ky që rezultoi i pavërtetuar, pasi masakra është dokumentuar nga organizata të drejta ndërkombëtare. Gjithashtu, një postim tjetër në TikTok më 16 janar ka shpërndarë informacion të pasaktë, duke thënë se senatorë amerikanë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kanë kohë për kryeministrin Albin Kurti, dhe se qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin mes Lindjes dhe Perëndimit, pa pasur asnjë mbështetje të verifikuar për këtë deklaratë.

Deklaratë e pavërtetë u vlerësua pretendimin i Millovan Drecun se Prishtina zyrtare, për më shumë se dy dekada, ka synuar të ndryshojë të vërtetën për masakrën e Reçakut, duke e paraqitur atë si një ngjarje të supozuar. Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë nga organizata ndërkombëtare të besueshme, të cilat kanë ofruar fakte dhe argumente të qarta që vërtetojnë masakrën e kryer në Reçak.

Mashtrim u vlerësua një pretendim në “TikTok” se një medrese kishte shpëtuar nga zjarret në Los Anxhelos në fillim të vitit 2025, i cili rezultoi i pavërtetë. Pas verifikimit, fotografia e përdorur ishte e vjetër dhe nuk lidhej me zjarret e fundit, duke e bërë këtë një shembull të keqinformimit.

Clickbait u vlerësua titulli i një artikulli nga “kosovapress.com” pretendon se mbi gjysmë miliard euro janë mbitërheqje nga qytetarët në bankat e Kosovës, por shifra përfshin edhe mbitërheqjet nga bizneset.

Teori konspirative

Pa u bazuar në fakte, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me “kërcënim për serbët dhe Serbinë”. Hibrid.info ka përcjellë tubimin e parë të Vetëvendosjes në këtë fushatë. Aty Kurti nuk i ka përmendur serbët e Kosovës, ndërsa ka premtuar “ndjekje të aparatit shtetëror të Millosheviqit”. (këtu)

Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Serbisë, ka deklaruar se qëllimi i atyre që bombarduan Serbinë në vitin 1999 është spastrimi etnik i serbëve në Kosovë, duke kritikuar mbylljen e strukturave paralele serbe nga Qeveria e Kosovës, të cilën e quajti një “valë terrori” kundër serbëve. Ai gjithashtu kritikoi aktorët ndërkombëtarë për dështimin në mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe kërkoi presion ndaj Kurtit për të ofruar sigurinë e komunitetit serb në Kosovë. Megjithatë, pretendimet e Vulinit nuk janë të mbështetura, pasi faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësimin lidhur me ngjarjet e fundit. Reagimet ndërkombëtare lidhur me mbylljen e strukturave paralele serbe theksojnë se ky proces duhet të jetë pjesë e dialogut dhe të zgjidhet në mënyrë konstruktive, duke mos mbështetur pretendimet për pastrim etnik të serbëve dhe duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb dhe një zgjidhje të qëndrueshme. (këtu)

Sipas artikullit të publikuar në RT (Russia Today), shërbimi në gjuhën serbe, në kuadër të fushatës zgjedhore në Kosovë, kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po ndërton një narrativ zgjedhor të bazuar në retorikë të ashpër, të cilën RT e përshkruan si “thirrje për luftë dhe urrejtje ndaj serbëve”. Faktet tregojnë se Kurti nuk ka bërë thirrje për luftë, por ka përmendur armatimin gjatë mandatit të tij, si dhe nuk ka shprehur urrejtje ndaj serbëve të Kosovës, por ka folur për bandat kriminale dhe infiltrimin e Serbisë brenda territorit të Kosovës. (këtu)

Mashtrim

Nëpërmjet një fotografie të një prone është pretenduar se ajo është medrese që ka shpëtuar në qytetin e djegur të Los Anxhelosit në Shtetet e Bashkuara, në fillim të vitit 2025. Pretendimi i publikuar në “TikTok” nuk qëndron. Pas verifikimit të fakteve del se fotografia është e vjetër dhe nuk ka të bëjë me zjarret e fundit që kanë përfshirë Los Anxhelosin.

Dezinformatë/Clickbait

Publikohet një video-material me titullin apo mbishkrimin “Kurti ka blerë komisionerët e zgjedhjeve! Akuza e fortë e deputetes së AAK”. Përmbajtja në fjalë është publikuar më 12 janar në kanalin e mediumit “Euronews Albania” në Youtube. Hibrid.info ka gjetur se behët fjalë për një intervistë të Time Kadrijajt, deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në këtë televizion. Deputetja nuk ka pretenduar  ka pretenduar se janë blerë komisionerët nga ana e pushtetit por ka thënë se votat në diasporë janë manipuluara nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Hibrid.info ka kontrolluar dhe verifikuar videon në fjalë dhe ka gjetur se në asnjë rast, deputetja e AAK-së nuk ka folur për blerje të komisionerëve. (këtu)

Nëpërmjet një titulli të një videoje në YouTube është pretenduar për takim sekret të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. “Trump merr në dorë celsat e Kosovës/ Kurti takim sekret me TRUMP”, mban titullin një video e publikuar në kanalin “NTV Televizion” në YouTube më 17 janar. Në video është një analist që flet për fushatën zgjedhore në Kosovë, dialogun Kosovë-Serbi dhe në fund për çështjet e armatimit. Në asnjë rast nuk e përmend kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e as presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump. (këtu)

Dezinformatë

Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se hoxhë Shefqet Krasniqi ka deklaruar se Vetëvendosjes është haram me ja jap votën, është mekat. Vetëvendosje është një lëvizje thjeshtë enveriste. Ku më së largu me qenë muslimanët prej saj. Është mekat me ia dhënë votën Vetëvendosjes. Përmbajtja është publikuar (4 janar) në faqen me emrin “Gazeta Momenti” në Facebook. Por, hibrid.info gjeti se kjo deklaratë është bërë në vitin 2011 nga Krasniqi. (këtu)

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se masakra e Reçakut në Shtime ka qenë “gënjeshtër” dhe “inskenim si ajo në Bucha në Ukrainë”. Pretendimi u bë nga mediumi rus “Sputnik” në gjuhën serbe, në një artikull të publikuar më 15 janar, në 26-vjetorin e masakrës. Mediumi “sputnikportal.rs” nuk ka ofruar asnjë fakt për pretendimet e bëra. Hibrid.info ka gjetur se argumentimin e kryerjes së masakrës së Reçakut nga forcat serbe e kanë bërë shumë organizata botërore për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe kredibilja “Human Rights Watch” (HRW). (këtu)

Publikohet një video-material ku shfaqen pamje të një rruge, dhe në audion e saj dëgjohen zëra të ngritur nga disa persona. Videoja shoqërohet me mbishkrimin “Memli shan policët e Kosovës”. Kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “bubazhel”. Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për një video të vjetër, ku raportohej se Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ishte përplasur verbalisht me dy zyrtarë të Policisë së Kosovës. (këtu)

Përmes një fotografie ku shihet ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla ulur afër ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pretendohet se ky takim u zhvillua para tubimit që Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi në Mitrovicë me 12 janar, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Postimi me këtë pretendim u publikua në Facebook nga llogaria “Gollaku Gollaku” me datë 5 janar. Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info vërtetoi se pretendimi i bërë nga llogaria e lartcekur, është i rremë dhe se fotografia është shkrepur në vitin 2019. (këtu)

Deklaratë e pavërtetë

Millovan Drecun ka përmendur masakrën e Reçakut dhe sipas tij, Prishtina zyrtare qe dy dekada e gjysmë ka pasur përpjeke për ta kthyer të vërtetën për Raçakun në gënjeshtër dhe për ta paraqitur atë ngjarje si një masakër të supozuar. Mirëpo, të gjitha këto pretendime janë demantuar me fakte dhe argumente të qarta nga organizatat ndërkombëtare të besueshme. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

Janë publikuar dy imazhe, që pretendojnë se paraqesin një sondazh, sa i përket mbështetjes popullore ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit. Në imazhin e parë të publikuar dje (14 janar) në Facebook nga një faqe me emrin “Kosova.info” pretendohet se ky sondazh është realizuar nga kompania amerikane SDGs Global Survey. Ndërsa imazhi i dytë është publikuar më 4 janar në TikTok nga një llogari me emrin “partiademokratike88”. Të dy këto sondazhe të pretenduara nxjerrin Partinë Demokratike Të Kosovës (PDK), si fitues në rast se zgjedhjet do të mbaheshin sot.  Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se njëri sondazh nuk është publikuar nga burime kredibile, ndërsa tjetri është manipuluar. (këtu)

Lajm i rremë

Publikohet një imazh me pretendimin se paraqet një sondazh të kryer me datë 14 janar, sa i përket mbështetjes popullore ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar në TikTok më 14 janar, nga llogaria me emrin “nettii004”. Përmbajtja i rendit partitë politike si vijon: Lëvizja Vetëvendosje (LVV): 71%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 14%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) / NISMA: 2% dhe Aleanca Kosova e Re (AKR): 0%. Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, nuk është gjetur ndonjë sondazh i tillë i publikuar nga burime kredibile. (këtu)

Përmes një postimi në median sociale Telegram, pretendohet se amerikanët dhe shërbimet e tyre kanë manipuluar masakrën e Reçakut më 15 janar, 1999. Ky postim u publikua nga kanali në gjuhën serbe në Telegram që mban emrin “КОРИДОР” (KORIDOR). Në këtë përmbajtje thuhet se amerikanët i vranë viktimat e pafajshme në fshatrat e afërta dhe i tërhoqën zvarrë në Reçak, si arsyetim, siç thuhet, për të “vrarë Serbinë”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, vërtetohet se ky pretendim është i rremë. Hibrid.info ka gjetur se argumentimin e kryerjes së masakrës së Reçakut nga forcat serbe e kanë bërë shumë organizata botërore për të drejtat e njeriut. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në TikTok, është pretenduar se senatorë amerikanë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë deklaruar se nuk kanë kohë të merren me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin mes Lindjes apo Perëndimit. Pretendimi u publikua më 16 janar nga llogaria me emrin “kosovatoday.info_1”. Në postim është fotografia e objektit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe titulli i vendosur mbi foto. Hibrid.info duke përdorur motorin online të kërkimit “Google” nuk ka gjetur asnjë fakt që e mbështet këtë pretendim. (këtu)

Clickbait Nëpërmjet një titulli është pretenduar se mbi gjysmë miliard euro ka mbërritur shuma e mbitërheqjeve bankare në bankat e Kosovës në vitin 2024. “Rekord borxhi në banka, mbi gjysmë miliardi euro mbitërheqje nga qytetarët”, mban titullin artikulli i publikuar të shtunën (18 janar) nga agjencia “kosovapress.com”. Pas kontrollimit të vetë artikullit, del se shifra vlen për mbitërheqjet që përfshijnë edhe shumën e mbitërhequr nga bizneset dhe jo vetëm nga qytetarët. (këtu)

Share With Others

Translate »