Është publikuar një përmbajtje që paraqet një imazh (që imiton pamjen e një kronike ose lajmi nga televizioni “Top Channel”), ku pretendohet se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbyllur kufirin me Kosovën dhe i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me mesazhin: “O ndaloj ekstremistët ose do fus ushtrinë në Kosovë”.
Po ashtu, në kuadratin e kuq poshtë, citohet një deklaratë e supozuar e tij ku thuhet: “Nuk do të lejojmë më asnjë provokim në kufi. Nëse nuk i ndalon ekstremistët, që kërcënojnë stabilitetin në rajon, Shqipëria do të fusë ushtrinë në Kosovë.”
Në sfond të imazhit janë vendosur fotografitë e Edi Ramës dhe Albin Kurtit, një pikë kalimi kufitar me mbishkrimin “Kufiri i mbyllur” dhe imazhe ushtarake.
Përmbajtja është publikuar të mërkurën (21 tetor) në TikTok nga llogaria me emrin “TRONEX” (shih këtu). E njëjta është publikuar edhe në Facebook nga faqja me emrin “TV Apollon”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Rama nuk ka bërë deklaratën e pretenduar dhe imazhi në fjalë është i gjeneruar me IA.

Deri në momentin e trajtimit, ky publikim në TikTok ka marrë mbi 380 mijë shikime, ka mbi 6 mijë pëlqime dhe 760 komente.
Ndërsa në Facebook, ajo ka mbi 540 mijë shikime, 3 mijë e 200 pëlqime dhe mbi 2 mijë e 800 komente.
Në të dy postimet, në shumicën e komenteve është vërejtur mundësia që audienca ta përceptojë pretendimin si të besueshëm.
Verifikimi me anë të veglës online “Google Lens” nuk ka shfaqur raportim apo imazh të publikuar nga mediat e besueshme, ku do të mund të konfirmohej pretendimi (shih këtu).
Ndërsa rezultatet që vërtetojnë se Rama ka bërë deklarimin e pretenduar, nuk janë gjetur as në faqen në Facebook apo në kanalin zyrtar në Youtube, të televizionit “Top Channel”, logoja e të cilit shihet në imazhin e trajtuar (shih këtu dhe këtu).
Për me tepër, as në postimet në llogaritë personale në mediat sociale të kryeministrit Rama, nuk është gjetur ndonjë deklarim që përputhet me pretendimin (shih këtu dhe këtu).
Hulumtimi i fundit u bë nëpërmjet kërkimit në “Google”, me fjalët kyçe “Edi Rama mbyll kufirin me Kosoven”. Megjithatë rezultatet nuk shfaqën artikuj ku zyrtarizohej pretendimi i trajtuar në këtë tekst (shih këtu).
Andaj, në mungesë të rezultateve konkrete që do ta konfirmonin raportimin në fjalë, hibrid.info analizoi imazhin e publikuar. Analiza përmes “HiveModeration”, një vegël online që vlerëson mundësinë e gjenerimit të përmbajtjeve audiovizuele me inteligjencë artificiale (IA), tregoi se ekziston një probabilitet i lartë që imazhi të jetë krijuar përmes kësaj teknologjie.
Analiza
Imazhi paraqet kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në një pamje që imiton raportimin e televizionit “Top Channel”, duke krijuar përshtypjen se ai ka mbyllur kufirin me Kosovën dhe ka kërcënuar se do të dërgojë ushtrinë në vend, nëse kryeministri Albin Kurti nuk i ndalon personat që i cilëson si “ekstremistë”.
Megjithatë, kërkimet përmes “Google Lens” dhe “Google”, si dhe kontrollimi i publikimeve në kanalet zyrtare të televizionit “Top Channel” dhe të Edi Ramës, nuk kanë gjetur dëshmi që mbështesin pretendimin.
Ndërkaq, analiza përmes veglës “HiveModeration” ka treguar mundësi të lartë që imazhi të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.