Është publikuar një imazh me mbishkrimin “Deklarata që tronditi Kosovën: Ministrja serbe drejt Speciales, kërkohet arrest ndërkombëtar”.
Përmbajtja u publikua të enjten (16 korrik) në faqen në Facebook të mediumit “Kanal 10” dhe postimi përmban edhe vegëzën e artikullit me të njëjtin mbishkrim si titull.
Çka nuk shkon me titullin?
Hibrid.info ka analizuar formulimin në titull. Fjalët “Specialja” dhe “kërkohet arrest ndërkombëtar” janë interpretuar nga komentuesit si çështje për të cilën tashmë është nisur procedurë penale apo është lëshuar fletarrest ndaj ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviq, për deklarimin se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit më 1999 do të bënte spastrim etnik në Kosovë.
Por në formulimin në titull nuk specifikohet se cilit institucion i referohet me termin “Specialja” dhe as nuk sqarohet natyra reale e procedurës për të cilën bëhet fjalë.

Në diskursin publik në Kosovë, termi “Specialja” përdoret zakonisht për t’iu referuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura si “Gjykata Speciale”, e cili ka mandat për trajtimin e rasteve të caktuara që lidhen me krime të kryera gjatë luftës në Kosovë (shih këtu).
Andaj, për lexuesin, ky formulim mund të krijojë përshtypjen se ministrja Paunoviq, është duke u përballur me një proces pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Bazuar në nenin 7 të Ligjit Nr. 05/L-053, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë një mandat të përcaktuar kohor dhe gjeografik. Ky institucion ka juridiksion ekskluziv vetëm mbi krimet që ndërlidhen me periudhën e luftës në Kosovë, përkatësisht për veprat e kryera ose të filluara në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 (shih këtu).
Gjithashtu, formulimi “kërkohet arrest ndërkombëtar”, i vendosur në të njëjtin titull pas kësaj shprehjeje mund ta përforcojë këtë përshtypje te lexuesi. Aty mungon informacioni kyç se kush saktësisht është duke e kërkuar këtë masë dhe cila është natyra reale e procedurës.
Ky kombinim i përmendjes së “drejt Speciales” dhe “kërkohet arrest ndërkombëtar” mund të nënkuptojë se ndaj ministres serbe tashmë është ndërmarrë një veprim konkret ligjor dhe se ajo është pranë përballjes me një procedurë gjyqësore ose dërgimit para një institucioni të drejtësisë.
Edhe pse në imazhin e postimit, përveç mbishkrimit, është vendosur edhe një dokument ku vërehet se shkruan “kallëzim penal”, reagimet e përdoruesve tregojnë se një pjesë e audiencës e ka kuptuar përmbajtjen pikërisht në këtë mënyrë.
Deri në momentin e trajtimit, postimi ka gjeneruar mbi 2,900 reagime, mbi 350 komente dhe dhjetëra shpërndarje, ndërsa një pjesë e komentuesve kanë shprehur bindjen se institucionet e drejtësisë ndërkombëtare tashmë kanë nisur një procedurë penale apo kanë lëshuar një fletarrest real ndaj ministres serbe.
Megjithatë, informacioni i konfirmuar nga përmbajtja e artikullit, lidhej me një deklarim të avokatit Gent Gjini, i cili paralajmëronte deponimin e një kallëzimi penal dhe kërkimin për një urdhërarrest ndërkombëtar për ministren serbe, përmes Interpolit. Ky avokat ka dorëzuar gjithashtu të premten (17 korrik) një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres serbe për këtë deklaratë (shih këtu). Ai ka përsëritur qëndrimin e tij për kërkesën për arrest ndërkombëtar ndaj Paunoviqit.
Çka thotë ligji për kallëzimin penal dhe cila është rruga deri tek arresti ndërkombëtar?
Sipas Kodit të Procedurës Penale, kallëzimi penal është vetëm një njoftim apo sinjalizim zyrtar që i bëhet Prokurorit të Shtetit se ekziston dyshimi që është kryer një vepër penale.
Kushdo (një qytetar, një avokat apo një ministri) mund të dorëzojë një kallëzim penal nëse dëgjon apo sheh diçka të jashtëligjshme.
Çka ndodh pasi dorëzohet? Ai i shkon prokurorit, i cili ka afat ligjor prej 30 ditësh për ta shqyrtuar. Prokurori mund ta hedhë poshtë menjëherë nëse nuk ka elemente të veprës penale, ose mund të nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit.
Në momentin që dorëzohet ky dokument, personi i denoncuar (në këtë rast ministrja serbe) ligjërisht nuk konsiderohet ende as si “e dyshuar” zyrtare. Kallëzimi është vetëm hapi i parë fillestar, por nuk do të thotë patjetër se ka për të dërguar në një proces gjyqësor.
Sqarime se si mund të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar me kërkesë të Kosovës
Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale përcakton se që Kosova të kërkojë ekstradimin ose arrestimin e përkohshëm të dikujt jashtë vendit, duhet që ndaj atij personi të jetë lëshuar paraprakisht një urdhërarrest zyrtar, një aktvendim për caktimin e paraburgimit ose një vendim dënimi i formës së prerë nga gjykatat e Kosovës.
Deri në ngritjen e aktakuzës, është prokurori kompetent ai që i kërkon Ministrisë së Drejtësisë të nisë procedurat. Pas aktakuzës, këtë e bën gjykata kompetente.
Nëse personi lokalizohet jashtë vendit, Gjykata ose Ministria e Drejtësisë mund të kërkojnë “arrestim të përkohshëm me qëllim ekstradimi” në pritje të dokumentacionit të plotë.
Ligji thotë se nëse një person arrestohet në një shtet të huaj mbi bazën e një urdhërkërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i, Ministria e Drejtësisë e Kosovës duhet menjëherë t’i dërgojë atij shteti kërkesën zyrtare për ekstradim.
Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Interpolit, Ministria e Drejtësisë nuk mund ta dërgojë urdhërarrestin direkt në zyrat qendrore në të kësaj organizate. Ajo duhet t’ia dorëzojë atë Zyrës së Ndërlidhjes së UNMIK-ut, e cila funksionon si ndërmjetësuese në bazë të një memorandumi të vitit 2002.
Përderisa shteteve anëtare u duhen nga 2 orë deri në 2 ditë për të futur një person në sistemin e Interpolit (Fletarresti i Kuq), procedurat burokratike përmes UNMIK-ut bëjnë që Kosovës t’i duhen nga 9 muaj deri në 2 vjet për të njëjtën gjë.
Pikat kufitare të Kosovës nuk janë të lidhura në kohë reale me databazën e Interpolit, që do të thotë se policia jonë nuk mund t’i shohë aty për aty kërkesat ndërkombëtare (shih këtu).
Çka dihej deri në publikimin e përmbajtjes?
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kishte informacion se ndaj ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviq ka nisur procedurë gjyqësore.
Megjithatë, pak më vonë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, me anë të një postimi të publikuar të enjten (16 korrik) në llogarinë e saj në Facebook, bëri të ditur se ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ndaj ministres serbe.
Sipas njoftimit të saj, kallëzimi penal lidhej me deklaratat e Paunoviqit gjatë një interviste të dhënë më 12 korrik 2026 për emisionin “Neispriçano” në kuadër të medias serbe “Kurir”, ku ajo ka deklaruar se, po të ishte në pozitën e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do të kishte bërë spastrimin etnik të Kosovës (shih këtu).
Analiza:
Titulli nuk specifikon se cilit institucion i referohet me termin “Specialja” dhe nuk sqaron se informacioni lidhet me një kallëzim penal të deponuar.
Formulimi i tillë krijon përshtypjen se ministrja serbe Snezhana Paunoviq veçse është duke u përballur me një procedurë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë apo nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe se ndaj saj tashmë është ndërmarrë një veprim konkret ligjor, përfshirë edhe lëshimin e një urdhërarresti ndërkombëtar.
Megjithatë, informacioni i konfirmuar lidhet me deponimin e një kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj ministres serbe, ndërsa kërkesa për një urdhërarrest ndërkombëtar përmes Interpolit është vetëm një veprim i paralajmëruar nga një avokat.
Deri më tani, nuk ka të dhëna se është lëshuar ndonjë urdhërarrest ndërkombëtar apo se ndaj saj është iniciuar ndonjë procedurë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë apo nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson titullin e formuluar në këtë mënyrë si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bën të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.