Të fundit | Protestuesit në Shqipëri nuk brohoritën “Duam Albin Kurtin”, por “Ju erdhi… Të fundit | Rishikimi i javës: Sondazhe të rreme zgjedhore e video me IA, pretendime pë… Të fundit | Publikohet Exit Poll i rremë duke keqpërdorur emrin e një kompanie franceze Të fundit | Pretendim i rremë për heqjen e monumentit të “Car Llazarit” pas zgjedhjeve Të fundit | Sondazh i rremë me emër të një organizate që figuron pasive në ARBK Të fundit | Deklaratë e pavërtetë që i atribuohet zyrtares amerikane për zgjedhjet në K… Të fundit | Inteligjenca artificiale në fushatat politike: mes ilustrimit të premtimeve… Të fundit | Videoja e lidhur me zgjedhjet, e gjeneruar me IA Të fundit | Me video të dhjetorit manipulohet për ardhjen e diasporës për zgjedhjet e 7… Të fundit | Imazhi me pankartën për Kurtin nga protestat në Tiranë është i gjeneruar me…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Sondazhe të rreme zgjedhore e video me IA, pretendime për sanksione ndërkombëtare ndaj figurave politike, teori konspirative nga zyrtarët serbë për arrestime me motive politike

FESTIM RIZANAJ

Gjatë periudhës 1–7 qershor, monitorimi evidentoi dominimin e lajmeve të rreme dhe përmbajtjeve keqinformuese, të shpërndara kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.

Lajmet e rreme të publikuara gjatë periudhës së monitorimit u përqendruan kryesisht në pesë tema: sondazhe të rreme që manipulonin perceptimin për mbështetjen elektorale të partive politike; deklarata të sajuara të diplomatëve amerikanë për të ndikuar në orientimin e votuesve; publikime të organizatave të paqena që pretendonin të paraqisnin rezultate zgjedhore; pretendime të pabazuara me përmbajtje ndëretnike, si ai për largimin e monumentit të ‘Car Llazarit’ në Mitrovicën e Veriut pas zgjedhjeve; dhe rezultate të rreme të exit poll-eve të shpërndara në rrjetet sociale gjatë ditës së votimit.

Përmbajtjet e paverifikuara të identifikuara gjatë kësaj periudhe u fokusuan kryesisht në dy tema: pretendime për zhvillime diplomatike dhe sanksione ndërkombëtare ndaj figurave politike në Kosovë, konkretisht se Albin Kurti do të shpallej person non grata nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe pretendime për sondazhe të brendshme partiake që paraqisnin nivele të caktuara të mbështetjes elektorale për subjektet politike. Në të dy rastet mungonin burime të besueshme dhe prova të verifikueshme, ndërsa njëra nga përmbajtjet ishte shoqëruar me imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale për t’i dhënë më shumë besueshmëri pretendimit.

Manipulimi i fakteve gjatë kësaj periudhe është evidentuar në dy raste kryesore: në deklarimin e gabuar të kronologjisë së një incidenti në fshatin Binçë, ku një sulm ndaj një pjesëtari të komunitetit serb u paraqit si i ndodhur gjatë fushatës zgjedhore, ndonëse ai kishte ndodhur më 14 maj, para fillimit të saj më 28 maj, si dhe në një video të shpërndarë në rrjete sociale që pretendonte se paraqiste ardhjen e diasporës për zgjedhjet e 7 qershorit në mbështetje të një partie politike, ndërkohë që materiali origjinal ishte i publikuar muaj më herët, në dhjetor 2025, në një kontekst krejt tjetër zgjedhor. Në të dy rastet, verifikimi i fakteve ka treguar se përmbajtjet janë shkëputur nga konteksti real kohor dhe janë përdorur për të ndërtuar narrativa të pasakta politike.

Teoritë konspirative të identifikuara gjatë kësaj periudhe lidhen kryesisht me pretendime për motivime politike pas arrestimit të anëtarit të Listës Serbe, Aleksandar Trajkoviq, në fshatin Uglar, ku drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se rasti përbën një veprim të orkestruar politik nga kryeministri në detyrë Albin Kurti me qëllim favorizimin e Nenad Rashiqit në garën zgjedhore. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, rasti është duke u trajtuar si dyshim për korrupsion zgjedhor dhe manipulim vote, pa asnjë provë të publikuar që e lidh atë me një skenar politik të koordinuar nga institucionet e Kosovës. Në këtë kontekst, pretendimet për një “veprim të orkestruar politik” mbeten të pakonfirmuara dhe të pabazuara në burime kredibile.

Mashtrimet e identifikuara gjatë kësaj periudhe lidhen kryesisht me përmbajtje të gjeneruara ose të manipuluara përmes inteligjencës artificiale, të shpërndara në TikTok. Në një rast, një video e publikuar në këtë rrjet social paraqiste një qytetare duke dhënë një prononcim në një ambient që ngjan me aeroport, duke nënkuptuar se ajo kishte ardhur nga diaspora për të votuar në zgjedhjet parlamentare, ndonëse materiali është vërtetuar si i gjeneruar me IA dhe jo autentik. Në një rast tjetër, një video që përdorte imazhe nga protestat në Tiranë përfshinte një fotografi të manipuluar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej një pankartë me portretin e kryeministrit Albin Kurti dhe një mesazh politik të fabrikuar. Të dy rastet synojnë të krijojnë narrativa të rreme për pjesëmarrjen e diasporës dhe për qëndrimet politike në rajon, duke përdorur përmbajtje vizuale të fabrikuara për të rritur ndikimin emocional dhe besueshmërinë e rreme.

Lajm i rremë

Faqja në Facebook “Mërgata me LDK-në” ka publikuar të dielën (31 maj) një përmbajtje përmes së cilës pretendon se paraqet grafikë të një sondazhi parazgjedhor për partitë politike në Kosovë. Në këtë përmbajtje pretendohet se ky sondazh e paraqet si parti të parë Lidhjen Demokratike të Kosovës me 34.1%, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje (28.1%), Partia Demokratike e Kosovës (22.2%), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (11.4%), e Partia Socialdemokrate e Kosovës (4.2%). Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky sondazh nuk ekziston. (këtu)

Një faqe në Facebook ka publikuar më 5 qershor një postim ku pretendohet se e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka bërë një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 7 qershorit. Në postim thuhet se Prattipati ka përcjellë një mesazh të SHBA-së për zgjedhjet, duke cituar deklaratën: “Ose votoni për me qenë me Amerikën, ose votoni që të vazhdoni me Rusinë”. Pas verfikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Prattipati nuk e ka bërë një deklaratë të tillë. (këtu)

Publikimi që pretendon se “Qendrës për Hulumtime ALTERNATIVA” ka publikuar sondazh për rezultatet e partive politike para zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, është i rremë. Nuk ekziston ndonjë organizatë apo qendër kërkimore kredibile me këtë emër e regjistruar zyrtarisht si biznes apo OJQ në vend, dhe e njëjta nuk posedon as adresë fizike apo faqe interneti të identifikueshme. Gjithashtu, publikimit i mungojnë të gjitha të dhënat teknike thelbësore metodologjike (mostra, periudha kohore dhe metoda e intervistimit). Hulumtimi tutje tregon se imazhi përmban elemente të ricikluara vizualisht nga një përmbajtje e mëparshme e trajtuar, ku janë ndryshuar vetëm shifrat e njërës parti pa u përshtatur grafikisht. (këtu)

Kanalet në Telegram në gjuhën serbe “Српски Инат” dhe “КОРИДОР” kanë pretenduar se pas zgjedhjeve shqiptarët do të tentojnë të heqin monumentin e “Car Llazarit” në Mitrovicën e veriut, duke iu referuar në mënyrë të përgjithshme disa raportimeve në portale shqiptare. Pas verifikimit të fakteve, nuk është gjetur asnjë burim në media shqipe apo kredibile që e konfirmon këtë pretendim, si dhe nuk janë ofruar prova apo dëshmi që e mbështesin atë. (këtu)

Është publikuar përmbajtje që pretendojnë të paraqesë rezultatet e një exit poll-i për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë, në ditën e zgjedhjeve parlamentare (e diel, 7 qershor) deri në orën. Përmbajtja që pretendon se paraqet matje të publikuar nga një organizatë me emrin “Ipsos”, është publikuar në faqet në Facebook me emrat “Kosova Report” dhe “Hasi Sot”. Këto përmbajtje janë publikuar para kohe, duke shkelur ligjin që ndalon shpërndarjen e rezultateve të exit poll-eve gjatë ditës së zgjedhjeve dhe përveç kësaj, nuk bazohen në burime të konfirmuara kredibile. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Përmbajtjet e publikuara në Facebook që pretendojnë se Albin Kurti, kryeministër në detyrë, pritet të shpallet person non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Mbretëria e Bashkuar, janë të pakonfirmuara. Pretendimi nuk mbështetet nga asnjë burim kredibil informimi. Po ashtu, nuk është konfirmuar ekzistenca e mediumit “Infopress 27”, të cilit i atribuohet raportimi i pretenduar në postimet e publikuara në Facebook. (këtu)

Faqja në Facebook “TV Prishtina” ka publikuar të martën (2 qershor) një përmbajtje përmes së cilës u pretendua se po paraqiten rezultatet e një sondazhi të brendshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), sipas të cilit kjo parti gëzon 43.5% të mbështetjes së qytetarëve, ndërsa PDK-ja 24%, LDK-ja 21% dhe AAK-ja 8%. Gjithashtu pretendohej se, megjithëse këto rezultate po qarkullojnë në opinion, sondazhi nuk është publikuar ende zyrtarisht. Publikuesi nuk ofron asnjë fakt që kjo matje është kryer nga LVV. Po ashtu, imazhi rezulton se është gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. (këtu)

Manipulim i fakteve

Pretendimi i bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë se sulmi ndaj një pjesëtari të komunitetit serb në fshatin Binçë ndodhi gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë nuk qëndron. Verifikimi i fakteve tregon se incidenti ka ndodhur më 14 maj, pra dy javë para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, e cila ka filluar më 28 maj. Po ashtu, përpjekja për ta lidhur rastin me deklaratat e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, nuk mbështetet në kronologjinë e ngjarjeve. Intervista e Rashiqit, ku akuzoi Listën Serbe dhe strukturat politike të lidhura me Vuçiqin për presion sistematik ndaj serbëve të Kosovës, është publikuar më 18 maj, katër ditë pas incidentit në Binçë. (këtu)

Nëpërmjet një videoje të publikuar në media sociale është pretenduar për ardhjen e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Pretendimi se kjo video paraqet mërgimtarë në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje, që po vijnë në Kosovë për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit nuk qëndron. Videoja reale është e publikuar qysh në dhjetor të 2025-s, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. (këtu)

Teori konspirative

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka pretenduar se arrestimi i anëtarit të Listës Serbe, Aleksandar Trajkoviq në fshatin Uglar përbën një veprim politik të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, me qëllim që, sipas tij, të ndihmohet Nenad Rashiq në garën zgjedhore. Deri më tani, të dhënat zyrtare tregojnë se rasti i arrestimit në Uglar po trajtohet si dyshim për korrupsion zgjedhor dhe manipulim të votës, ndërsa nuk ekzistojnë prova të publikuara që e lidhin atë me motivim politik të Qeverisë së Kosovës. Në këtë kuadër, deklaratat e Petkoviq për një “veprim politik të orkestruar” mbeten të pakonfirmuara dhe nuk përputhen me informacionet e institucioneve zyrtare. (këtu)

Mashtrim

Në videon e publikuar të enjten (4 qershor) në TikTok nga llogaria me emrin “viralshqip4”, shihet një qytetare duke dhënë një prononcim për një medium në një ambient që ngjan me aeroport. Nga përmbajtja e videos nënkuptohet se bëhet fjalë për një person që ka udhëtuar nga jashtë vendit drejt Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Videoja në fjalë nuk është autentike pasi ajo është e gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA). (këtu)

Publikohet një video-material i krijuar me imazhe nga protestat në Tiranë, ku qytetarët po kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit. Videoja e publikuar të enjten (4 qershor) në TikTok përmban disa imazhe, ndër to edhe një fotografi nga protesta, ku shihet një pankartë me portretin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe mbishkrimin: “Kosovë, na jep Albinin për një mandat; Shqipëria ka nevojë për ndryshim”. Imazhi në fjalë është i gjeneruar më inteligjencë artificiale. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere