Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “’Thyhet akulli’ – Ky deputet i pakicave i thotë PO Kurtit për formimin e Qeverisë”.
Përmbajtja është publikuar në Facebook më 16 qershor nga faqja me emrin “Gazetavip.com”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Përmbajtja e artikullit të publikuar në koment dallon nga informacioni i paraqitur në mbishkrim.

Përmbajtja me të njëjtin mbishkrim është publikuar në Facebook nga faqja me emrin “Gazeta Mesazhi” (shih këtu).
Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja ka marrë mbi 290 pëlqime dhe mbi 30 komente, nga përmbajtja e të cilëve mund të vlerësohet se pretendimi i paraqitur në mbishkrim, mund të përceptohet si i besueshëm.
Kësaj përmbajtjeje i është bashkëngjitur në komente vegëza e artikullit për informacione më të zgjeruara (shih këtu).
Ky artikull ka si titull mbishkrimin e përmbajtjes në Facebook.
Në hyrje të artikullit shkruan se “Kreu i Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse partia e tij do ta mbështesë krijimin e një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti”.
Citatet e Veton Berishës nga artikulli:
“Jam duke i pritur rezultatet finale, pas rezultateve finale mund të flasim. Unë gjithmonë kam qenë pro formimit të institucioneve. Unë edhe për president kam ofruar një mundësi që të bëhet një zgjidhje”.
Kjo tregon se përmbajtja e artikullit nuk e mbështet pretendimin e paraqitur në titull.
Në këtë artikull bëhet e ditur se deklarata e Berishës është dhënë për mediumin “Indeksonline.net”. Hibrid.info ka gjetur artikullin origjinal të këtij mediumi, ku informacioni i paraqitur në përmbajtje përkon me atë të artikullit të trajtuar. Megjithatë, ndryshe nga versioni i trajtuar, “Indeksonline.net” e ka titulluar tekstin: “A do të jetë pjesë e Qeverisë? Flet Veton Berisha”.
Faqja që ka publikuar pretendimin ka afër 500 mijë ndjekës (shih këtu). Në të dhënat për transparencën e faqes tregohet se ajo menaxhohet nga persona që kanë vendndodhje në Maqedoninë e Veriut, Gjermani dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës. Kjo faqe publikon përmbajtje informuese, por nuk figuron si anëtar në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK), gjë që e bën më të vështirë vlerësimin punës së saj (shih këtu).
Hibrid.info gjithashtu kontrolloi url-në “toolsyo.com/news/lajme/”, të hasur në vegëzën e artikullit të publikuar. Kontrolli u bë nëpërmjet platformës “urlscan.io”.

Pas analazimit të këtij skanimi me anë të chatbot-it Google Gemini, u gjet se edhe pse faqja duket si një portal normal lajmesh në WordPress që përdor reklama të Google, ajo është klasifikuar si “Malicious” nga Google Safe Browsing, që është një shenjë e fortë rreziku.
Për shkak të këtyre gjetjeve, rekomandohet kujdes i shtuar dhe të shmanget vizita në këtë faqe pa aktivizuar antivirusin ose firewall-in, pasi ekziston mundësia që faqja të jetë e komprometuar ose të përmbajë reklama keqdashëse (malvertising) që mund të dëmtojnë pajisjen tuaj.

Analiza:
Në rrjete sociale është publikuar një përmbajtje ku pretendohet se një deputet i pakicave “i thotë PO Kurtit për formimin e Qeverisë”.
Pas verifikimit të kryer, rezulton se titulli i përmbajtjes nuk përputhet me përmbajtjen e artikullit. Ndërsa mbishkrimi sugjeron një mbështetje të qartë për formimin e Qeverisë, në tekstin e artikullit deputeti i zgjedhur Veton Berisha nuk jep një përgjigje të prerë, por deklaron se po pret rezultatet finale dhe se është i hapur për diskutime mbi formimin e institucioneve.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.