Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Nuk ka të dhëna se Gjermania ka ‘shtrënguar’ procedurat e azilit për të konvertuarit në krishterim

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Nuk ka statistika zyrtare që mbështesin shifrat pretenduara në postim për refuzimin e kërkesave nga të konvertuarit në Gjermani.

Një llogari në Facebook me emrin “Rilindja Shqiptare” më 4 shtator ka publikuar një pretendim se autoritetet gjermane kanë “shtrënguar” procedurat për kërkesat për azil të personave të konvertuar në krishterim.

postim pretendohet se shtetas të huaj prej dekadash e kanë përdorur “azilin kishtar” si mënyrë për të përfituar leje qëndrimi në Gjermani, duke deklaruar se janë konvertuar në krishterim dhe se për këtë arsye përndiqen në vendet e tyre të origjinës.

Më tej në postim pretendohet se në të kaluarën janë aprovuar 90–100% e këtyre kërkesave, ndërsa vitet e fundit vetëm 10–20%, pasi siç thuhet, autoritetet gjermane kanë zbuluar se aplikantët nuk janë konvertuar realisht. Sipas postimit, në disa zona të Gjermanisë këto kërkesa refuzohen në mbi 90% të rasteve.

Çka dihet për këtë çështje?

Këto të dhëna dhe pretendime nuk mbështeten nga statistikat zyrtare gjermane.


FAKTET

Shërbimet Shkencore të Bundestagut gjerman kanë shqyrtuar çështjen e konvertimit fetar në procedurat e azilit. Në dokumentin e publikuar në vitin 2024, thuhet se Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF) nuk i regjistron statistikisht arsyet specifike të përndjekjes të paraqitura nga aplikantët. Për këtë arsye, nuk ka statistika zyrtare që tregojnë se sa kërkesa për azil janë bërë për shkak të konvertimit në krishterim dhe sa prej tyre janë miratuar ose refuzuar (shih këtu).

Për rrjedhojë, shifrat e pretenduara në postim “90–100% miratim në të kaluarën, 10–20% në vitet e fundit dhe mbi 90% refuzime në disa zona”, nuk mund të konfirmohen përmes statistikave zyrtare.

Megjithatë, ekziston një pjesë e vërtetë në këtë pretendim. Autoritetet dhe gjykatat gjermane e shqyrtojnë në mënyrë individuale nëse një konvertim në krishterim është i besueshëm dhe nëse ai mund ta ekspozojë personin ndaj përndjekjes në vendin e origjinës.

Materialet e BAMF-së shpjegojnë se në shqyrtimin e rasteve vlerësohen deklarimet e aplikantit dhe rrethanat e përgjithshme të rastit. Konvertimi nuk konsiderohet automatikisht i mjaftueshëm për marrjen e mbrojtjes ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, BAMF thekson se edhe mungesa e njohurive të caktuara për fenë e re nuk është domosdoshmërisht dëshmi se konvertimi është i rremë (shih këtu).

Ekzistojnë gjithashtu raste të dokumentuara të “Scheinkonversion”, pra konvertimit të pretenduar ose të rremë, të lidhura me procedurat e azilit. Në vitin 2017, policia gjermane zhvilloi një operacion kundër një rrjeti të dyshuar për mashtrim me procedurat e azilit. Sipas raportimit të gazetës gjermane WELT, autoritetet dyshonin se personave u ofrohej një lloj “pakete” për sigurimin e azilit, ku përfshihej edhe një konvertim i rremë në krishterim (shih këtu).

Ky rast tregon se konvertime të rreme janë dokumentuar si raste individuale, por nuk dëshmon se shumica e personave që deklarojnë konvertimin në krishterim në procedurat e azilit janë të konvertuar në mënyrë të rreme.

Për më tepër, praktika gjyqësore e viteve të fundit tregon se konvertimi mund të merret seriozisht si bazë për mbrojtje ndërkombëtare. Në nëntor 2024, Gjykata Administrative e Mindenit njohu statusin e refugjates për një grua nga Egjipti, e cila ishte konvertuar nga Islami në krishterim. Sipas përmbledhjes së publikuar nga BAMF në vitin 2025, gjykata e konsideroi konvertimin të besueshëm dhe vlerësoi se ajo rrezikonte përndjekje në rast kthimi në Egjipt (shih këtu).


“Azili kishtar” nuk është leje qëndrimi

Edhe përdorimi i termit “azil kishtar” (Kirchenasyl) në postim është i pasaktë.

Kirchenasyl nuk është një kategori e veçantë e azilit dhe as një procedurë përmes së cilës kishat u japin personave leje qëndrimi. Vendimet për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare merren nga autoritetet shtetërore. Bundestagu gjerman e ka sqaruar se Kirchenasyl është një praktikë ku komunitetet fetare strehojnë përkohësisht persona në situata të caktuara (shih këtu).

Sipas të dhënave të publikuara nga Bundestagu, gjatë vitit 2025 në Kirchenasyl ndodheshin 2,254 persona. Kjo shifër nuk tregon se këta persona ishin të konvertuar në krishterim dhe as se ata kishin përfituar leje qëndrimi përmes Kirchenasyl-it (shih këtu).


Pse trajtohet kjo përmbajtje?

Deri në shkrimin e këtij artikulli, përmbajtja e publikuar nga llogaria “Rilindja Shqiptare” në Facebook ka grumbulluar 433 reagime, 169 komente dhe 16 shpërndarje.

Duke u bazuar në komente, vërehet se një pjesë e madhe e lexuesve e kanë marrë këtë pretendim si të vërtetë (shih këtu).


Analiza

Është e vërtetë se autoritetet gjermane shqyrtojnë në mënyrë individuale pretendimet për konvertim në krishterim dhe se janë dokumentuar raste të konvertimeve të rreme të lidhura me procedurat e azilit. Megjithatë, nuk ka të dhëna zyrtare që dëshmojnë se Gjermania ka shtrënguar procedurat në mënyrën se si pretendohet në përmbajtje,ndërsa shifrat shifrat e paraqitura nuk mbështeten nga statistikat zyrtare.

Për më tepër, ekzistenca e rasteve individuale të “Scheinkonversion” nuk dëshmon se konvertimet e rreme janë një fenomen masiv apo se autoritetet gjermane kanë ndryshuar politikën e tyre për këtë arsye.

Po ashtu, “azili kishtar” nuk është mekanizëm për marrjen e lejes së qëndrimit në Gjermani, por një praktikë e veçantë e strehimit të përkohshëm.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere