Mediat në serbisht kanë pretenduar rrejshëm se një shtetas i Serbisë ka vdekur në një aksident trafiku në Austri më 11 prill.
“Kurir.rs” në artikullin e publikuar të hënën më 13 prill, ka raportuar me titullin “SHTETAS TË SERBISË PËRFSHIHEN NË NJË PËRPLASJE TË TMERRSHME NË AUSTRI, ADOLOSHENTI VDIQ NË VEND: Ishte pas timonit kur u përplas me një kamion, zjarrfikësit nxorën trupin!”.

Pretendim të njëjtë ka bërë edhe media tjetër në serbisht, “Mondo.rs”, e cila raportoi me këtë titull: “Shtetas të Serbisë të përfshirë në aksident të rëndë në Austri, vdes i riu: Zjarrfikësit presin automjetin për të nxjerrë trupin”.
Çka thanë më tej mediat në serbisht?
“Shtetas të Serbisë u përfshinë në një aksident të tmerrshëm trafiku në Austri, kur një makinë dhe një kamion u përplasën, pas së cilës një adoleshent (19-vjeç) që ishte pas timonit të automjetit të pasagjerëve vdiq nga plagët e shkaktuara nga forca e përplasjes!”.
“Në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në Austri, një i ri nëntëmbëdhjetë vjeçar me origjinë nga Kosova dhe Metohia vdiq pas një përplasjeje ballë për ballë me një kamion të drejtuar nga një burrë 63-vjeçar nga Serbia qendrore – shkruajnë mediat austriake”, ka shkruar media në serbisht, “Kurir”, teksa referencë ka thënë vetëm “shkruajnë mediat austriake”, pa përmendur me emër asnjë burim informacioni.
Ndërkaq, duke cituar mediumin “Serbian Times”, medium ky që publikon edhe në gjuhën angleze, “Mondo” shkruan: “Shtetasi i Serbisë (19-vjeç) ka vdekur në një aksident të rëndë trafiku i cili ka ndodhur te Eferding në Austri, shkruan ‘Serbian Times’. Aksidenti ndodhur midis një makine dhe një kamioni, dhe një shtetas i Serbisë, i cili vdiq nga plagët e marra nga forca e përplasjes, ishte pas timonit të makinës së pasagjerëve”.
“I riu që vdiq është me origjinë nga Kosova dhe Metohia. Kamioni drejtohej nga një burrë (63-vjeç) me origjinë nga Serbia qendrore”.
Por, në artikullin e cituar nga “Mondo”, nuk thuhet se viktima vinte nga Serbia. Aty thuhet se i riu që vdiq në aksident “është nga Kosova dhe Metohia”.
“Një i ri (19-vjeç) me prejardhje nga Kosova dhe Metohia humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në Austrinë e Poshtme pasi u ndesh me një kamion që po drejtohej nga një serb 63-vjeç”, shkruan më tej “Mondo”:
Pra, si “Kurir”, ashtu edhe “Mondo”, në hyrje të raportimit thonë se viktima ishte nga Serbia, teksa në vazhdim thonë se ai ishte “nga Kosova dhe Metohia”.
Si u raportua në mediat austriake?
Aksidenti që ndodhi mëngjesin e së shtunës (11 prill) në Eferding të Austrisë, u raportua nga mediat e atjeshme. Media “ooe.ORF.at” raportoi kështu:
“Në Alkoven (distrikti Eferding), një shofer 19-vjeçar vdiq në një aksident trafiku mëngjesin e së shtunës. I riu kishte kaluar në shiritin e kundërt në rrugën Eferdinger Straße (B129) dhe është përplasur me një kamion”.
“Kosovari, i cili jeton në Eferding, ishte duke shkuar në punë në Eferding pak pas orës 7:00 të paradites”.
Media tjetër austriake, “oe24.at”, po ashtu raportoi për këtë aksident tragjik, duke thënë: “Një shofer 19-vjeçar makine vdiq në një aksident trafiku në Alkoven (distrikti Eferding) të shtunën. I riu nga Kosova ishte duke drejtuar makinën e tij (Mercedes E-Class) në rrugën B129 në drejtim të Eferdingut rreth orës 6.40 të mëngjesit. Ai doli në shiritin e kundërt të rrugës dhe u përplas ballë për ballë me një kamion gjysmërimorkio i drejtuar nga një 63-vjeçar serb, tha policia”.
Pra, në këto raportime, bëhet e qartë se viktima është nga Kosova, kurse shoferi i kamionit me të cilin u ndesh i riu, thuhet se ishte serb, por pa specifikuar se nga cili vend.
Si qëndron e vërteta?
Klankosova.tv raportoi për këtë rast, për çka bëri të ditur se i riu që vdiq në aksident ishte me prejardhje nga një fshat i Rahovecit, Kosovë. (këtu)
Po ashtu, për vdekjen e tij njoftuan edhe faqet në Facebook që publikojnë informacione për fshatin Retijë, prej nga u raportua se vjen edhe viktima (këtu, këtu). Për rastin e aksidentit tragjik shkroi edhe faqja zyrtare e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec (këtu).
Ndërkaq të martën (14 prill), një media lokale “Rahoveci Inside”, publikoi detaje edhe mbi ceremoninë e varrimit të viktimës.
Analiza:
Dy media në serbisht pretenduan pa fakte se një 19-vjeçar që vdiq më 11 prill në Eferding të Austrisë si pasojë e një aksidenti trafiku, është nga Serbia. “Kurir”, raportimin nuk e bazoi në asnjë burim, por thjesht shkroi “shkruajnë mediat austriake”. “Mondo.rs” iu referua një medias tjetër, “Serbian Times”, e cila po ashtu kishte raportuar për aksidentin, por se kjo e fundit nuk tha askund në përmbajtje se viktima është nga Serbia. E njëjta tha se i riu që vdiq ishte nga “Kosova dhe Metohija”.
Mirëpo, të dhënat zyrtare nga Policia austriake, siç njoftojnë mediat në Austri (ORF dhe OE24), bëjnë me dije se viktima është nga Kosova, kurse shoferi i kamionit, me të cilin u përplas 19-vjeçari, është serb, por nuk specifikohet se nga cili shtet.
Në ditën e aksidentit, për të u raportua edhe në mediat në gjuhën shqipe në Kosovë. Klankosova.tv, në raportimin e saj, publikoi detaje të viktimës, për të cilin tha se vjen nga një fshat i Rahovecit, Kosovë. Veç këtij mediumi, për vdekjen e tij shkruan edhe faqe të ndryshme lokale të Rahovecit. Teksa të martën (14 prill), një faqe tha detaje edhe për ceremoninë e varrimit të tij.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e konsideron këtë publikim “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.