Shkroi: Fatbardh Dema
Është pretenduar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e intensifikon presionin ndaj serbëve të Kosovës para zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit.
Ky pretendim është publikuar nga media në gjuhën serbe “Novosti”(arkivuar) në artikullin e titulluar “KURTI PO SHTON PRESIONIN NDAJ SERBËVE: Në prag të përsëritjes së zgjedhjeve në Kosovë më 28 dhjetor, Prishtina përgatit manipulime dhe provokime të reja”.
Në titull nuk tregohet se kush e ka dhënë këtë paralajmërim, e madje as në nëntitull të artikullit, ku thuhet: “Serbët në Kosovë dhe Metohi do ta presin Vitin e Ri në një atmosferë presionesh të shtuara, provokimesh dhe incidentesh nga ana e Prishtinës, sepse regjimi i Albin Kurtit ka treguar disa herë në praktikë se gjatë fushatave parazgjedhore e shtrëngon maksimalisht presionin ndaj bashkëkombësve tanë dhe përfaqësuesve të tyre politikë në Listën Serbe”.

Çka nuk shkon me këtë artikull?
Media në gjuhën serbe “Novosti” ka pretenduar pa asnjë fakt se presionet ndaj serbëve të Kosovës po shtohen në prag të zgjedhjeve nacionale të caktuara për t’u mbajtur më 28 dhjetor.
Në titull dhe në nëntitull nuk tregohet se nga vijnë këto paralajmërime, teksa krejt më poshtë thuhet se këto janë qëndrime të “bashkëbiseduesve” të medias “Novosti”.
“Kështu e komentojnë bashkëbiseduesit e ‘Novostit’ atë që në krahinën jugore serbe, pas dhjetë muajsh dhe dy përpjekjeve të pasuksesshme për të zgjedhur qeverinë, më 28 dhjetor do të shkohet sërish në votime për parlamentin e Prishtinës. Ata shtojnë se kjo datë, në mes të festave të fundvitit, i është ‘përshtatur’ Kurtit, në mënyrë që manipulimet e tij me procesin zgjedhor, përpjekjet për të dobësuar SL-në dhe parregullsitë në numërimin e votave të kalojnë sa më pak të vërejtura, sidomos nga institucionet e Brukselit që do të jenë ‘në pushim’”.
Media serbe më poshtë në artikull, deklaratat e tilla ia atribuon “historianit dhe analistit” serb Sërgjan Graovac (Srđan Graovac), i cili, sipas “Novosti” thotë se “se nuk ka asnjë dyshim që mund të priten provokime dhe sulme të reja”.
“Kurti gjatë fushatës gjithmonë e shton presionin ndaj serbëve, gjithmonë vepron ndaj tyre sa më ashpër, sepse në këtë mënyrë përpiqet të mbledhë votat e shqiptarëve në një shoqëri shqiptare thellësisht e radikalizuar dhe nacionaliste, të cilën në masë të madhe e ka krijuar vetë. Kurti e di mirë që kjo është mënyra me të cilën siguron vota, sepse nuk ia sjellin rezultatet ekonomike – të cilat nuk i ka. Nuk ia sjell as lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, citohet të ketë thënë “historiani dhe analisti” serb, Sërgjan Graovac.
Por, në asnjë rast nuk ofrohet asnjë e dhënë faktike nga terreni që do të mbështeste këto pretendime të ngritura nga ky medium.
Për më tepër, titulli dhe nëntitulli i këtij artikulli e përcakton si fakt të kryer çështjen e “presionit” ndaj serbëve të Kosovës nga Kurti, ndonëse deklarimet e tilla janë vetëm opinione nga “historiani dhe analisti” serb, Sërgjan Graovac.
Analiza
Media serbe “Novosti” ka publikuar një artikull përmes së cilit pretendon pa asnjë bazë se janë shtuar ose do të shtohen “presionet, provokimet dhe incidentet” në mesin e komunitetit serb të Kosovës nga ana e Albin Kurtit dhe Prishtinës zyrtare në prag të zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit.
Ky medium, këtë pretendim e publikon si fakt në titull dhe nëntitull, ndonëse më poshtë tregohet se këto janë vetëm opinione të “historianit dhe analistit” serb, Sërgjan Graovac.
Ky i fundit, gjithnjë sipas artikullit, nuk ofron asnjë të dhënë që e mbështet një pretendim të tillë.
Nga kërkimet që hibrid.info ka bërë në internet, me fjalët kyçe si “presion ndaj serbëve në Kosovë”, “provokime ndaj serbëve në Kosovë” dhe “incidente në veri të Kosovës”, nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që i mbështet pretendimet e këtij mediumi.
Prandaj, në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëson si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



