Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hap… Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere… Të fundit | Si po përdoret figura e Rifat Jasharit për të prodhuar keqinformata Të fundit | Një deklaratë e sajuar paraqitet si e Kurtit Të fundit | Rishikimi i javës: Fotografi e manipuluar me IA që paraqiste rrejshëm Llugi… Të fundit | Ibri dhe Ujmani si instrument i luftës hibride Të fundit | Si mediat serbe po ndërtojnë narrativa të paqena rreth filmit “Dua” Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti ka dy emra jopartiakë për president
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hapjen e Urës së Ibrit

FESTIM RIZANAJ

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Pretendimi është i pabazuar dhe nuk mbështetet nga asnjë burim zyrtar.

Faqja “Lajme Nga Bota” në Facebook ka publikuar një përmbajtje sot (19 gusht), përmes së cilës pretendohet se ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Urën e Ibrit.

Në përmbajtje i atribuohet Fidanit një deklaratë e gjatë, sipas së cilës Turqia ka “pikat e saja në Ballkan” dhe se një prej tyre është Republika e Kosovës, të cilën Turqia do ta “mbrojë me çdo kusht”. Në pretendim thuhet gjithashtu se Fidan ka paralajmëruar se kushdo që cenon “edhe një metër” të këtyre pikave do t’i “hapë gropën vetes”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, postimi ka marrë rreth 2,400 pëlqime, 240 komente dhe 144 shpërndarje, duke arritur një përhapje të konsiderueshme në rrjetet sociale. Sa i përket transparencës së faqes, të dhënat e disponueshme tregojnë se profili “Lajme Nga Bota” është krijuar më 22 janar 2020, ndërsa te informacionet për pronësinë e profilit figuron Maqedonia e Veriut si vendi kryesor i pronarit të profilit.

Ky pretendim është publikuar edhe ne faqet e portaleve informative ne Facebook, SYRI TV dhe Kosovapost.net.

Çka dihet për këtë pretendim?

Nga verifikimi i burimeve zyrtare dhe mediave të besueshme nuk është gjetur asnjë deklaratë e ministrit turk Hakan Fidan që përmban këto pohime.

Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë nuk ka publikuar ndonjë deklaratë apo reagim të Fidanit ndaj Vuçiqit në lidhje me Urën e Ibrit. Në njoftimet e fundit të Ministrisë së Jashtme turke figurojnë aktivitetet dhe deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të ministrit Hakan Fidan gjatë muajit gusht, e që në asnjë rast nuk përmendet ndonjë deklaratë për Kosovën. (këtu)

Po ashtu, kërkimi në burime të tjera të besueshme nuk ka gjetur ndonjë raportim që Fidan t’i jetë kundërpërgjigjur publikisht presidentit serb me formulimin e publikuar në këtë përmbajtje. (këtu)

Çfarë ka thënë Vuçiq për Urën e Ibrit?

Deklaratat e fundit të Aleksandar Vuçiqit për Urën e Ibrit janë reale, por ato nuk dëshmojnë ekzistencën e reagimit të pretenduar të Hakan Fidanit.

Më 18 gusht 2026, Vuçiq deklaroi se do t’i shkruante sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që ura mbi Ibër të mos hapet për qarkullim. Në deklaratën e tij ai përmendi edhe komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, duke thënë se “një turk” po merrej me këtë çështje. (këtu)

Ndërkohë, KFOR-i ka njoftuar për një ndryshim gradual të pozicionimit të forcave në Urën e Ibrit, të cilin e ka përshkruar si “optimizim” të pranisë së tij. Procesi është paraqitur si gradual dhe i bazuar në kushtet e sigurisë, ndërsa KFOR-i ka theksuar vazhdimin e koordinimit me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorë të tjerë.

Pra, pretendimi i “Lajme Nga Bota” merr si pikënisje një zhvillim real – deklaratat e Vuçiçit dhe ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit, por më pas i shton një deklaratë të paqenë të ministrit të Jashtëm turk.

Atribuim i rremë i deklaratave nga faqja “Lajme nga Bota”

Ky nuk është rasti i parë kur faqja “Lajme nga Bota” i atribuon Hakan Fidanit deklarata që nuk janë konfirmuar nga burimet zyrtare.

Në korrik 2025, kjo llogari kishte pretenduar se Fidan kishte deklaruar se Kosova ka të drejtë të ndërtojë ura në veri pa lejen e askujt dhe se ndërtimi i tyre do të përfundonte në shtator. Verifikimi i Hibrid.info tregoi se nuk ekzistonte asnjë burim zyrtar apo i besueshëm që e konfirmonte këtë deklaratë. (këtu)

Edhe në dhjetor 2024, “Lajme nga Bota” kishte publikuar një pretendim tjetër të rremë duke i atribuuar Fidanit deklaratën se Siria do ta njihte Kosovën pas formimit të qeverisë së re. Edhe në atë rast, nuk u gjet asnjë dëshmi që Fidan kishte bërë një deklaratë të tillë. (këtu)

Në një rast tjetër, faqja kishte pretenduar se Turqia do të angazhohej për parandalimin e sulmeve terroriste në Kosovë dhe se Fidan kishte deklaruar se inteligjenca turke do ta mbronte Kosovën. Edhe ky pretendim rezultoi pa mbështetje në njoftimet zyrtare. (këtu)


Vlerësimi

Pretendimi se ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i është kundërpërgjigjur Aleksandar Vuçiqit duke deklaruar se Turqia do ta mbrojë Kosovën “me çdo kusht” dhe se askush nuk mund të cenojë “asnjë metër” të saj, është i rremë.

Nuk është gjetur asnjë burim zyrtar apo i besueshëm që dëshmon se Fidan ka bërë një deklaratë të tillë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere