Shkroi: Etrit Rexhepi
Në një postim në “Facebook”, thuhet se Kosova ka të drejtë të ndërtojë ura në veri pa leje nga askush, duke u theksuar se ndërtimi i dy urave atje (njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete) përfundon në shtator dhe se inaugurimi i tyre do bëhet bashkë me autoritetet turke. Tutje, thuhet se Bashkimi Evropian (BE) mund të ndihmojë, por jo të ndërhyjë në të drejtat ligjore të Kosovës.
Kështu pretendohet se ka deklaruar ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, në një postim të publikuar më 12 korrik nga faqja në “Facebook” me emrin “Lajme Nga Bota”, ku ai shfaqet në një fotografi.
Por, cila është e vërteta?
Nuk ka burime të besueshme që konfirmojnë se ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, ka bërë deklarata të tilla konkrete në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër në veri të Kosovës, apo për përplasje të tillë me BE-në.

Deri në momentin e analizës, kjo përmbajtje në “Facebook” ka grumbulluar mbi 400 pëlqime, 145 shpërndarje dhe 37 komente, ku në disa prej tyre vërehet se audienca mund ta ketë interpretuar pretendimin si të vërtetë.
Bazuar në faktin se autori i publikimit i është referuar si burim agjencisë shtetërore të lajmeve në Turqi, “Anadolu”, hibrid.info ka kontrolluar në uebfaqen e këtij mediumi, duke kërkuar lajme për Kosovën. Por, deklarata e pretenduar e kryediplomatit turk, për ndërtimin e urave në lumin Ibër, nuk është hasur (shih këtu).
Gjithashtu, në njoftimet dhe konferencat e fundit për media të publikuara në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, nuk është gjetur asnjë reagim në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, qoftë nga vet ministri apo nga zyrtarë të kësaj ministrie (shih këtu).
Pretendimi nuk konfirmohet as në faqen zyrtare në “Facebook” të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë (shih këtu).
Hibrid.info ka bërë një kërkim të mëtejshëm në Google për deklarata të mundshme të ministrit turk lidhur me Kosovën gjatë javës së fundit, por rezultatet e gjetura nuk kanë konfirmuar asnjë informacion që mbështet këtë pretendim (shih këtu).
Informacioni më i fundit lidhur me veprimet e ministrit Fidan në raport me Kosovën është takimi i tij me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e Samitit të Krerëve të Shtetit dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (GDAU), që u organizua në Tiranë, ku nuk u dhanë shumë informacione se çka u diskutua (shih këtu).
Qeveria në detyrë e Kosovës, më 1 korrik të këtij viti, ka vendosur gur themelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, njërën për këmbësorë dhe tjetrën për automjete. Projekti kap vlerën prej rreth 3 milionë eurosh dhe pritet të përfundojë para muajit tetor (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se ministri turk Hakan Fidan ka deklaruar se Kosova ka të drejtë të ndërtojë ura në veri pa leje nga askush, duke theksuar se ndërtimi i dy urave atje përfundon në shtator, se inaugurimi i tyre do bëhet bashkë me autoritetet turke. dhe se BE mund të ndihmojë por jo të ndërhyjë në të drejtat ligjore të Kosovës, nuk qëndron.
Hibrid.info gjeti se asnjë burim zyrtar apo i besueshëm nuk ka publikuar apo konfirmuar ndonjë deklaratë të tillë nga ministri turk.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



