Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hap… Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere… Të fundit | Si po përdoret figura e Rifat Jasharit për të prodhuar keqinformata Të fundit | Një deklaratë e sajuar paraqitet si e Kurtit Të fundit | Rishikimi i javës: Fotografi e manipuluar me IA që paraqiste rrejshëm Llugi… Të fundit | Ibri dhe Ujmani si instrument i luftës hibride Të fundit | Si mediat serbe po ndërtojnë narrativa të paqena rreth filmit “Dua” Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti ka dy emra jopartiakë për president
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive politike në Kosovë

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Pretendohet rrejshëm se një sondazh me 1,500 respondentë tregon pëlqyeshmërinë e partive në Kosovë.

Në TikTok është publikuar një përmbajtje përmes së cilës pretendohet se paraqitet një sondazh mbi pëlqyeshmërinë momentale të katër subjekteve politike në Kosovë.

Kjo përmbajtje u publikua më 8 gusht 2026 nga llogaria me emrin “megjininperkryeminister”. Në përshkrimin e saj thuhet: Ardian Gjini dhe Aleanca nuk jane me partia e katert ne Kosove! Aleanca po rritet fuqishem”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Matjes së paraqitur i mungojnë të dhënat dhe informacionet bazë që do të mundësonin vlerësimin e kredibilitetit të saj. Në përmbajtje nuk bëhet e ditur se cili institucion, organizatë apo kompani e ka realizuar sondazhin. Po ashtu, nuk është gjetur ndonjë publikim i kësaj matjeje në media apo në burime të tjera kredibile.


Në grafikë pretendohet se partitë politike në Kosovë kanë këto përqindje të pëlqyeshmërisë momentale:

  1. Lëvizja Vetëvendosje – 32.8% (-2.1% nga matja e kaluar)
  2. Aleanca – 30.6% (+4.2% nga matja e kaluar)
  3. Partia Demokratike e Kosovës – 15.1% (-1.3% nga matja e kaluar)
  4. Lidhja Demokratike e Kosovës – 6.5% (-1.5% nga matja e kaluar)

Në fund të grafikës pretendohet se matja është realizuar me 1,500 respondentë, gjatë periudhës 1–7 gusht 2026, përmes intervistave telefonike dhe online.

Megjithatë, përveç këtyre të dhënave, nuk ofrohet asnjë informacion që do të mundësonte verifikimin e sondazhit, si emri i institucionit që e ka realizuar, metodologjia e plotë apo burimi i publikimit.


Hibrid.info ka kërkuar përmes Google lidhur me këtë matje, por që rezultatet nuk e shfaqin atë të publikuar në media ose burime kredibile (shih këtu).

Po ashtu, u kërkua edhe me fjalët kyçe “sondazh kosovë”, duke e kufizuar rezultatet në 1-7 gusht (shih këtu), siç pretendohet se u krye kjo matje. Mirëpo, rezultatet e këtij kërkimi nuk kanë shfaqur asnjë artikull kredibil që do të konfirmonte ekzistencën të këtij apo ndonjë tjetër sondazhi të pretenduar.

Pra, kjo përmbajtje është e publikuar vetëm nga llogaria e lartcekur në TikTok.


Pse trajtohet kjo përmbajtje?

Deri në shkrimin e këtij artikulli, kjo përmbajtje ka arritur të grumbullojë mbi 11 mijë e 900 shikime, 143 pëlqime, 20 komente e 17 shpërndarje (shih këtu).

Bazuar në komentet e lëna në këtë përmbajtje, vërehet se një pjesë e audiencës e kanë marrë këtë përmbajtje si reale.


Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e Institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Analiza

Përmes një përmbajtjeje të publikuar në TikTok, pretendohet se një sondazh i realizuar me 1 mijë e 500 respondentë, gjatë periudhës 1–7 gusht 2026, paraqet pëlqyeshmërinë momentale të katër subjekteve politike në Kosovë.

Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që kjo matje nuk është kredibile. Pra, nuk dihet se kush e ka realizuar matjen dhe ajo nuk është gjetur e publikuar në media apo burime kredibile.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere