Të fundit | Pretendim i rremë se pensionistëve do t’u ndahen nga 100 euro Të fundit | Konkurs i rremë pune Të fundit | Narrativa për “politikë antiserbe” dhe “fajësimin kolektiv të serbëve” në p… Të fundit | Eksodi i debatit nga televizioni Të fundit | Gazetari amerikan Roberts nuk ka folur për zhvillimet politike në Kosovë Të fundit | Pretendohet pa fakte se shqiptarët plaçkitën shtëpinë e një familjeje serbe… Të fundit | Konsensusi shkencor vlerëson se autizmi nuk lidhet me vaksinat (MMR) kundër… Të fundit | Rezultate të një matjeje të pakonfirmuar të opinionit publik Të fundit | Pretendim i rremë se Kurti dhe Vuçiq janë së bashku në Armeni Të fundit | Narrativa në mediat serbe se "Kurti provokon serbët me xhaminë në nisje të…
[ ARTIKULLI ]

Narrativa në mediat serbe se “Kurti provokon serbët me xhaminë në nisje të fushatës”

FESTIM RIZANAJ

Në median në gjuhën serbe “Politika” është publikuar një artikull të martën (5 maj) me titull“Kurti Srbe provocira džamijom za početak kampanje” (“Kurti provokon serbët me xhaminë për fillimin e fushatës”). Teksti ndërton një narrativë politike ku veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, interpretohen si të lidhura drejtpërdrejt me fushatën zgjedhore dhe me tensionet ndëretnike në veri të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut.

Narrativa kryesore e artikullit

Në qendër të artikullit vendoset çështja e rindërtimit të një xhamie pranë Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ky projekt paraqitet jo si ndërhyrje infrastrukturore apo kulturore, por si veprim politik me ndikim tek komuniteti serb. Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, citohet duke theksuar: “Çështja e rindërtimit të xhamisë pranë Urës Kryesore mbi Ibër është veçanërisht e ndjeshme për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, veçanërisht për komunitetin serb, kështu që qëndrimi ndaj projekteve të tjera në qytet po vihet në pikëpyetje”.

Po ashtu, Radojeviq këtë vendim e cilëson si “një fushatë të bazuar në shkatërrimin dhe dëbimin e serbëve”.

Artikulli gjithashtu ndërton narrativën e diskriminimit institucional ndaj përfaqësuesve serbë, duke iu referuar deklaratave të Listës Serbe për kufizimin e pjesëmarrjes së tyre në proceset zgjedhore dhe institucionale. Në këtë kuadër pretendohet se u është kufizuar roli në komisionet zgjedhore dhe monitorimin e zgjedhjeve, gjë që paraqitet si “praktikë e vazhdueshme e mohimit të të drejtave”.

Në fund, teksti përforcon narrativën e konfliktit përmes shembujve të ndërhyrjeve në prona dhe hapësira publike në veri të Kosovës, si prishja e objekteve (garazheve) apo vendimet për shfrytëzimin e hapësirave që më parë janë përdorur nga komuniteti serb. Këto veprime interpretohen si pjesë e një politike më të gjerë kundër pranisë serbe në atë zonë.

Konteksti i xhamisë dhe ngjarjeve tjera

Vendimi për rindërtimin e xhamisë është bërë publik nga kryeministri në detyrë Albin Kurti përmes një postimi në Facebook me 2 maj, ku ai ka njoftuar se Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet. Sipas tij, Qeveria e Kosovës e mbështet “ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”.

Në këtë mënyrë, një vendim i Qeverisë së Kosovës për rindërtimin e një objekti historik dhe fetar transformohet në diskursin e artikullit në një çështje politike dhe etnike. Ndërsa deklarata zyrtare e Kurtit e vendos projektin në kornizën e trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunimit institucional, artikulli i Politika-s e riinterpreton atë përmes narrativave të konfliktit, provokimit dhe fushatës politike.

Në kontekstin e zgjedhjeve të fundit dhe pretendimeve për parregullsi të mëdha në procesin e numërimit, ndryshimet e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) synojnë të adresojnë boshllëqet që kanë mundësuar manipulime të mëhershme. Në këtë kuadër, çështja e Listës Serbe dhe pjesëmarrjes së saj në proces nuk lidhet me përjashtim politik, por me aplikimin e standardeve të njëjta ligjore për të gjitha subjektet politike, duke synuar që monitorimi dhe numërimi i votave të mos përsërisë praktikat e manipulimeve të evidentuara në zgjedhjet e kaluara.

Në kontekst më të gjerë të narrativave për kontrollin institucional, pronësinë dhe sigurinë në veri të Kosovës, rrënimi i mbi 20 garazheve dhe objekteve në pronën e ndërmarrjes publike “Trepça” është shndërruar në një rast që ilustron përplasjen mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore, si dhe interpretimeve të ndryshme ligjore e politike. Nga njëra anë, “Trepça” e arsyeton veprimin si proces të rregullt ligjor për lirimin e pronës së uzurpuar dhe rikthimin e menaxhimit institucional, duke theksuar se palëve u është dhënë mundësia për zgjidhje kontraktuale, por nuk ka pasur interesim konkret. Nga ana tjetër, Komuna e Mitrovicës së Veriut e kundërshton ashpër këtë veprim, duke e kornizuar si ndërhyrje të paligjshme në kompetencat lokale dhe si mungesë konsultimi institucional, duke ngritur edhe pyetjen për rolin e Policisë së Kosovës në mbështetjen e aksionit. Kjo përplasje narrative mes “zbatimit të ligjit dhe rikthimit të pronës” nga njëra palë dhe “shkeljes së kompetencave komunale dhe veprimit të njëanshëm” nga pala tjetër, reflekton tensionin e vazhdueshëm në diskursin publik për veriun e Kosovës, ku çdo veprim administrativ shpesh interpretohet edhe në dimension politik dhe etnik.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere