Pas protestës së zhvilluar dje (5 tetor) në Prishtinë, në median sociale Facebook janë shfaqur narrativa të ndryshme dhe shpesh të kundërta rreth përleshjeve mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.
Në njërën anë, janë publikuar përmbajtje që e paraqesin Policinë e Kosovës si përgjegjëse për dhunë ndaj protestuesve. Në disa prej tyre pretendohet se policia ka përdorur forcë të tepruar ndaj veteranëve të UÇK-së, se zyrtarë të lartë kanë urdhëruar ndërhyrjen ndaj protestuesve, apo se Policia ka penguar qytetarët të marrin pjesë në protestë. Disa postime e krahasojnë situatën edhe me periudhën e regjimit të Millosheviqit (shih disa nga postimet këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Në anën tjetër, janë shpërndarë përmbajtje që e paraqesin protestën nga këndvështrimi i kundërt. Në to pretendohet se protestuesit kanë sulmuar zyrtarët policorë me mjete piroteknike dhe mjete të forta, se Policia ka përdorur vetëm forcën e nevojshme për vendosjen e rendit, si dhe se protestuesit kanë penguar qarkullimin e qytetarëve. Po ashtu, janë publikuar pretendime për përfshirjen e personave politikë në financimin e mjeteve të përdorura gjatë protestës, ndërsa disa përmbajtje kanë përdorur edhe sarkazëm për të vënë në dyshim pamjet e shpërndara nga protesta (shih disa nga postimet këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Këto shembuj tregojnë se e njëjta ngjarje po paraqitet në mënyra shumë të ndryshme, varësisht nga qëndrimi politik i atyre që e shpërndajnë përmbajtjen. Në njërën anë krijohet ndarja “ne” dhe “ata”, ku njëra palë paraqitet si viktimë dhe tjetra si përgjegjëse për situatën. Në anën tjetër, përdoret e njëjta logjikë, por me role të përmbysura.
Në një situatë të tillë, jo çdo fotografi, video apo pretendim që shfaqet në Facebook duhet të merret si fakt. Një përshkrim i vendosur mbi një fotografi ose video nuk dëshmon domosdoshmërisht se ajo që pretendohet në të ka ndodhur. Po ashtu, një pamje reale mund të shoqërohet me një përshkrim që ndryshon kuptimin e saj ose e paraqet ngjarjen vetëm nga një këndvështrim.
Polarizimi politik
Polarizimi politik mund ta bëjë edhe më të vështirë dallimin mes fakteve dhe interpretimeve. Kur informacioni filtrohet përmes ndarjes “ne” dhe “ata”, ekziston rreziku që të pranohen pa verifikim vetëm ato përmbajtje që përputhen me qëndrimin e secilës palë, ndërsa të refuzohen automatikisht informacionet nga pala tjetër.
Për këtë arsye, gjatë raportimit për ngjarjet e fundit, është e rëndësishme që informacioni të verifikohet përmes burimeve të besueshme. Raportimet e mediave kredibile, njoftimet zyrtare të institucioneve dhe dëshmitë e verifikueshme duhet të kenë përparësi ndaj postimeve të pakonfirmuara në rrjetet sociale.
Çka duhet të kemi parasysh kur shohim përmbajtje të tilla?
Në një kohë kur informacioni përhapet brenda pak minutash, reagimi i menjëhershëm ndaj një fotografie, videos apo pretendimi mund të kontribuojë në përhapjen e informacionit të pasaktë. Prandaj, para se një përmbajtje të besohet ose të shpërndahet, është e rëndësishme të pyetet: Kush e ka publikuar? Kur është bërë fotografia apo videoja? A është raportuar nga burime të tjera të besueshme? Dhe a ekzistojnë dëshmi që e mbështesin pretendimin?
Në këtë rast, sfida nuk është vetëm të përcaktohet se cila palë ka të drejtë në interpretimin e saj, por të ndahen faktet e verifikueshme nga narrativat politike që po qarkullojnë në media sociale.