Përmes një publikimi në Facebook faqja “Universal”, pretend se do të shpërblejë me një telefon iPhone 17 Pro Max personin që qëllon rezultatin e ndeshjes së futbollit Kosovë–Izrael.
Publikimi është bërë më 14 nëntor 2026, në ditën kur u zhvillua ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit. Përmes këtij postimi, pretendohet se përdoruesve u ofrohet mundësia të fitojnë një pajisje elektronike, nëse qëllojnë rezultatin e takimit.

Megjithatë, ky publikim paraqet vazhdimësi të një praktike të cilën hibrid.info e kishte trajtuar edhe më herët.
Fenomeni ishte identifikuar edhe më parë nga hibrid.info
Më 13 mars 2026, hibrid.info kishte publikuar artikullin me titull “Fenomeni i lojërave të dyshimta shpërblyese për të rritur faqet në Facebook”.
Në atë artikull ishin identifikuar tri faqe në Facebook: “Universal”, “Liria” dhe “Ylli.net”, të cilat publikonin përmbajtje me pretendimin se organizonin lojëra shpërblyese, kryesisht duke u kërkuar përdoruesve të qëllonin rezultatet e ndeshjeve të futbollit.
Në këmbim të pjesëmarrjes, përdoruesve u kërkohej të pëlqenin faqet, të komentonin rezultatet dhe të shpërndanin publikimet.
Hibrid.info kishte gjetur se, pavarësisht numrit të madh të ndërveprimeve, këto faqe nuk ofronin dëshmi të qarta për shpalljen e fituesve dhe dorëzimin e shpërblimeve të premtuara (shih këtu).
Në rastin e faqes “Universal”, deri në kohën e publikimit të artikullit të marsit, ishin identifikuar nëntë publikime të tilla që nga viti 2024. Po ashtu, në komentet e postimeve kishte përdorues që pretendonin se nuk kishin marrë shpërblimet, ndonëse kishin plotësuar kushtet e kërkuara.
Praktika vazhdon, ndërsa dy faqet e tjera nuk ekzistojnë më
Edhe publikimi i fundit i faqes “Universal” ndjek të njëjtën mënyrë të funksionimit: ofron një shpërblim të pretenduar dhe e kushtëzon pjesëmarrjen me komentimin e rezultatit të një ndeshjeje futbolli.
Nga tri faqet e identifikuara në artikullin e mëparshëm të Hibrid.info, “Liria” dhe “Ylli.net” tashmë nuk janë më të qasshme në Facebook (shih këtu dhe këtu), ndërsa faqja “Universal” vazhdon të publikojë përmbajtje.
Megjithatë, në publikimin e fundit nuk paraqiten dëshmi që vërtetojnë se shpërblimi i premtuar do t’i jepet ndonjërit prej pjesëmarrësve. Po ashtu, mungesa e dëshmive për shpërblimet e mëparshme mbetet një nga problemet kryesore të kësaj praktike.
Fenomeni “Like-farming”
Publikime të tilla ndërlidhen me praktikën e njohur si “like-farming” (ferma e pëlqimeve), përmes së cilës synohet rritja e ndërveprimeve në rrjetet sociale.
Përdoruesit nxiten të reagojnë, të komentojnë dhe të shpërndajnë publikime, duke kontribuar në rritjen e dukshmërisë dhe ndërveprimeve të faqes.
Në artikullin e mëparshëm, hibrid.info kishte shpjeguar se këto praktika mund të krijojnë përshtypjen e një popullariteti më të madh të faqeve, pa ofruar transparencë për shpërblimet e pretenduara.
Përfundim
Rasti i fundit tregon se praktika e publikimit të lojërave të dyshimta shpërblyese në Facebook vazhdon, edhe pasi hibrid.info e kishte trajtuar këtë fenomen më herët.
Përdoruesit këshillohen të jenë të kujdesshëm ndaj publikimeve që premtojnë shpërblime në këmbim të pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve, veçanërisht kur mungojnë rregullat e qarta të lojës dhe dëshmitë për dorëzimin e çmimeve.