Publikohet një imazh me mbishkrimin “Ekskluzive: Kosova ‘blindohet’ në prag të vendimit të Hagës, mësohet plani i Policisë për 16 shtatorin”.
Imazhi më këtë tekst është publikuar të dielën (13 shtator) në Facebook nga faqja me emrin “Kosova Report”, të cilit i është vendosur përshkrimi “Sipas informacioneve ka gjasa që Çlirimtarët të dënohen rëndë”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Raportimet për masat e sigurisë së Policisë së Kosovës për 16 shtatorin janë përdorur për të krijuar pretendimin e pambështetur se ka gjasa që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të dënohen rëndë në Hagë.

Faqja publikuese e përmbajtjes ka mbi 70 mijë ndjekës, ndërsa në momentin e trjatimit në postim, vërehet se pretendimi ka nxitur reagime nga përdoruesit.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” me fjalët që paraqesin mbishkrimin e vendosur në imazh (shih këtu).
Rezultatet nga kërkimi kanë shfaqur artikuj me këtë titull (shih këtu dhe këtu). Aty raportohet se Policia e Kosovës ka hartuar një plan të gjerë operacional për 16 shtatorin, duke përfshirë përforcimin e njësive policore, aktivizimin e rezervave dhe masa të shtuara sigurie në Prishtinë. Këto masa paraqiten si të lidhura me aktgjykimin e pritshëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në rezultatet shtesë të shfaqura gjatë këtij kërkimi, janë hasur artikuj ku është raportuar se Policia i Kosovës i ka cilësuar si procedura të rregullta masat e sigurisë të planifikuara për 16 shtatorin, duke mohuar se ato paraqesin një situatë të jashtëzakonshme (shih këtu dhe këtu).
Duke iu referuar një njoftimi të Policisë, aty është raportuar se megjithatë, ky institucion e vlerëson mundësinë e provokimeve, incidenteve apo veprimeve destabilizuese nga individë, përfshirë persona nga jashtë Kosovës.
Gjitjashtu, të hënën (14 shtator) Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka publikuar një njoftim për demonstrata të planifikuara për të mërkurën, më 16 shtator 2026, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha në Kosovë.
Në njoftim thuhet se këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha, mbyllje të rrugëve dhe pengesa të mëdha në trafik. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat, të tregojnë kujdes në rast se ndodhen pranë grumbullimeve të mëdha dhe të jenë të vëmendshëm ndaj situatës përreth.
Ambasada gjithashtu këshillon që të kufizohet udhëtimi në zonën e afërt të vendbanimit dhe të shmangen udhëtimet drejt vendit të punës apo shkollave, nëse rruga kalon nëpër zonat e prekura, pasi mund të ketë vështirësi në qarkullim (shih këtu).
Çka do të thotë se raportimet dhe njoftimet e Policisë e të Ambasadës amerikane, masat e sigurisë i lidhin me 16 shtatorin, datën kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në Hagë, por në asnjërin prej tyre nuk thuhet se ka gjasa që ata të dënohen rëndë.
Aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të shpallet më 16 shtator
Më (12 shtator), në Prishtinë, është mbajtur protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Protestuesit kanë shprehur mbështetje për të akuzuarit dhe kundërshtim ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se aktgjykimi në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00. Sipas njoftimit zyrtar, Trupi Gjykues e ka caktuar këtë datë duke marrë parasysh vëllimin e provave dhe kompleksitetin e procesit gjyqësor, si dhe nevojën për një vlerësim të plotë dhe të arsyetuar të provave (shih këtu).
Të katër të akuzuarit përballen me akuza individuale për gjashtë vepra penale të krimeve kundër njerëzimit – përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë – si dhe katër akuza për krime lufte, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm dhe arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara kanë ndodhur ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë së Veriut. Prokuroria pretendon se ato janë kryer ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj personave të dyshuar se kundërshtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Analiza
Faqja në Facebook “Kosova Report” publikoi një imazh me mbishkrimin “Ekskluzive: Kosova ‘blindohet’ në prag të vendimit të Hagës, mësohet plani i Policisë për 16 shtatorin”, ndërsa në përshkrimin e postimit thuhet: “Sipas informacioneve ka gjasa që Çlirimtarët të dënohen rëndë”.
Verifikimi i bërë nga Hibrid.info ka gjetur se mbishkrimi në imazh është marrë nga raportime të mediave, të cilat kanë raportuar për masat e sigurisë të Policisë së Kosovës të planifikuara për 16 shtator, datë kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Megjithatë, në këto raportime, si dhe në njoftimet e Policisë së Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, nuk thuhet se ka gjasa që të akuzuarit të dënohen rëndë. Policia e Kosovës i ka cilësuar masat e planifikuara për 16 shtatorin si procedura të rregullta, ndërsa në raportimet për reagimin e Policisë ato janë përshkruar si masa parandaluese dhe standarde.
Pra, ndonëse raportimet dhe njoftimet zyrtare e lidhin përforcimin e masave të sigurisë me datën 16 shtator dhe demonstratat e paralajmëruara, pretendimi se “ka gjasa që Çlirimtarët të dënohen rëndë” nuk mbështetet nga informacionet e paraqitura në këto burime.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, kjo përmbajtje është vlerësuar si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.