[email protected]
Pretendimi se “qindra ushtarë të FSK-së aplikojnë për viza pune në Gjermani” është i pa argumentueshëm
shape
shape
shape

Portali “AlbanianPost.com” me datë 7 shkurt ka publikuar një artikull me titull “Skandal: Qindra ushtarë të FSK-së aplikojnë për viza pune në ambasadën e Gjermanisë”.

Ky portal është bazuar në një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes, duke pretenduar se në mesin e 56 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë aplikuar në ambasadën e Gjermanisë për viza pune, qindra prej tyre janë ushtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

Megjithatë, Ministria e lartcekur ka reaguar ndaj këtij artikulli të “Albanian Post”, duke e quajtur si lajm të rremë.

Vegëza e artikullit të publikuar në “AlbanianPost.com”:

https://albanianpost.com/skandal-qindra-ushtare-te-fsk-se-aplikojne-per-viza-pune-ne-ambasaden-e-gjermanise/?fbclid=IwAR0wNvb-lLtVa0gFP0gu52J6WMle7-_yN-vZz9dPzFL86DmJcYick1N87qI


Në artikullin e “AlbanianPost.com” thuhet tutje se për numrin e madh të pjesëtarëve të FSK-së që duan të largohen nga Kosova, ky portal merr vesh se edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, e ka njoftuar ministrin e Mbrojtës Armend Mehaj, duke u thirrur në burime të kësaj ministrie.

Por, në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes demantohet një gjë e tillë, duke thënë se aplikimi për viza e pjesëtarëve të FSK-së nuk ka qenë temë diskutimi në takimin e zhvilluar ndërmjet ministrit Armend Mehaj dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Joern Rohde. (shih këtu)

Pjesë nga reagimi i Ministrisë së Mbrotjes:

Republika e Gjermanisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe se prej vitesh kemi bashkëpunim bilateral intenziv në mes dy ministrive dhe forcave respektive.

Për këtë arsye, me qëllim të realizimit të planeve të përbashkëta dhe objektivave tanë, Ministri Mehaj ka relacione të ngushta dhe komunikime të rregullta me ambasadorin gjerman Jorn Rohde, për çështjet me interes që ata vlerësojnë nga pozitat zyrtare të tyre respektive.

Dezinformata se, kinse, tema e aplikimit për viza e pjesëtarëve të FSK-së, ka qenë temë diskutimi në takimin e tyre, është absurde, plotësisht e pavërtetë, dhe ka për qëllim dezinformimin dhe shkaktimin e konfuzionit të opinionit, qytetarëve dhe aleatëve tanë.


Portali “AlbanianPost.com” është thirrur në një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me numrin e pjesëtarëve të FSK-së që kanë aplikuar për vizë pune në Gjermani.

Por, ky burim nuk mund të jetë kredibil, e gjithashtu as Ministria e Mbrojtjes, pasi që një gjë të tillë mund ta sqarojë vetëm institucioni kompetent, këtë rast Ambasada e Gjermanisë, edhe pse kjo e fundit nuk ka njoftuar asgjë lidhur me këtë temë, pra për identitetin dhe profesionin e personave që aplikuan për viza. (shih këtu)

Një informatë e tillë nuk gjendet as në ueb-faqen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë. E tëra që mund të shihet në këtë ueb-faqe janë informacionet rreth terminëve për viza.

Ndërkohë, mediat në Kosovë kanë publikuar artikuj rreth numrit total të aplikimeve për viza në këtë ambasadë, duke iu referuar informacioneve që i kanë marr nga zyrtarët e saj, por edhe në këtë rast nuk janë dhënë detaje rreth personave që kanë aplikuar. (shih këtu)


Analiza:

Portali “AlbanianPost.com” ka publikuar një artikull duke u bazuar në një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes, se një numër i madh i pjesëtarëve të FSK-së kanë aplikuar për vizë pune në Gjermani. Gjithashtu, ka shtuar se për këtë çështje ambasadori gjerman, Joern Rohde e ka njoftuar ministrin Mehaj.

Ndërsa në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes, ky artikull është cilësuar si lajm i rremë, duke shtuar se në takimin e mbajtur ndërmjet ministrit Mehaj dhe ambasadorit gjerman, nuk është diskutuar tema e aplikimit për viza e pjesëtarëve të FSK-së.

Burime brenda ministrisë, por as vetë Ministria e Mbrojtjes nuk është institucion relevant dhe nuk mund të merret si e mirëqenë në njoftim lidhur me numrin e aplikimeve për viza pune. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm ambasada, në këtë rast ajo e Gjermanisë, por që as kjo e fundit nuk ka bërë ndonjë njoftim lidhur me këtë temë.

Duke u bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga “AlbanianPost.com” si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others