Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.
Disa lajme të rreme të publikuara në platforma si Facebook, TikTok dhe portale online. Lajmet e rreme përfshijnë pretendime të pabazuara për angazhimin e Turqisë në parandalimin e sulmeve terroriste në Kosovë dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria, të cilat u vërtetuan si të pavërteta. Po ashtu, janë zbuluar informacione të rreme mbi vendimin e kryeministrit Kurti për ndarjen e 100 eurove për qytetarët, mbi prejardhjen shqiptare të një personi të dyshuar për vrasje në ShBA dhe kandidimin e Besarta Jasharit për deputete me Vetëvendosjen.
Lajm i rremë/mashtrim është vlerësuar një përmbajtje e publikuar në Facebook ku pretendohej se ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kishte bërë një deklaratë në mbështetje të Kosovës dhe lirimit të udhëheqësve të UÇK-së, që doli të jetë e gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Dy përmbajtje të pa verifikuara që kanë qarkulluar në portale informative. Së pari, një portal informativ “demokracia.com” raportoi gabimisht se në takimet e kryeministrit Albin Kurti në Bosnjë-Hercegovinë nuk kishte flamuj të Kosovës, por fotografitë e publikuara nga Qeveria e Kosovës dëshmojnë të kundërtën. Së dyti, disa media, duke iu referuar “Paparaci.com”, pretenduan se ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ishte arrestuar nga Gjykata Speciale, por rezultoi se ishte kryer vetëm një bastisje në shtëpinë e tij dhe nuk kishte arrestim. Këto raste ilustrojnë rëndësinë e verifikimit të informacionit para publikimit.
Dy teori konspirative janë shpërndarë nga media në gjuhën serbe, duke ka tentuar të lidhë një qytetar serb nga Novi Sadi, Millosh Rakiqin, me konceptin e “Shqipërisë së madhe” dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se raportimet e mediave në Kosovë për protestat në Serbi janë dëshmi e “mbështetjes së Albin Kurtit për shkatërrimin e Serbisë”.
Media në serbisht “Mondo.rs” ka shpërndarë një dezinformatë më 8 dhjetor, duke pretenduar se këngëtarja Anna Oxa ka ndryshuar emrin për shkak të “turpit nga origjina e saj shqiptare”.
Mediumi tjetër në gjuhën serbe “Telegraf.rs” ka manipuluar faktet duke pretenduar në titullin e një artikulli se flamuri i Kosovës ishte shpalosur në stadiumin e Milanit para ndeshjes kundër Crvena Zvezdës në Ligën e Kampionëve.
Portali “Periskopi.com” përdori një titull clickbait: “Kurti lihet jashtë listës: Kam vendosur të mos rikandidoj”, duke krijuar përshtypjen e gabuar se bëhej fjalë për Albin Kurtin, e që në përmbajtje bëhet e ditur se lajmi ka të bëjë me deputeten Tinka Kurti.
Një mashtrim është përhapur përmes një imazhi të rremë në media sociale që shfaq ballinën e një gazete gjermane me pretendime se kryeministri Albin Kurti është spiun serb dhe se komunizmi po kthehet në Kosovë.
Deklarata të pavërteta dhe të paarguementuara: Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, pretendoi më 7 dhjetor se është përfunduar rruga Gjilan-Bujanoc me karakteristika të veçanta infrastrukturore. Megjithatë, deklarata është e pavërtetë pasi projekti i zgjerimit përfshin vetëm 2.9 km nga 23 km të pjesës kosovare të magjistrales. Po ashtu, zëvendësministri Taulant Kelmendi pretendoi se një fotografi e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, me Dragomir Kariqin ndërlidhet me ndërtimin e një qendre tregtare nga Bogolub Kariqi në Pejë, një pretendim i paargumentuar, pasi fotografia nuk përfshin Bogolub Kariqin dhe nuk ka prova që mbështesin këtë lidhje.
Lajm i rremë
Përmes një postimi në Facebook pretendohet se duke u bazuar në burime zyrtare, Qeveria e Turqisë ka marrë përsipër që deri më 9 shkurt 2025, do të parandalojë çdo lloj sulmi terrorist në Kosovë. Në këtë përmbajtje, thuhet edhe që ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka deklaruar se agjencia turke e inteligjencës turke, do të angazhohet që ta mbrojë Kosovën nga çdo lloj kërcënimi. Ky postim u publikua më 6 dhjetor nga faqja “Lajme Nga Bota”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ministri i Jashtëm turk në lidhje me këtë pretendim. (këtu)
Pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim që për festat e fundvitit të ndajë nga 100 euro për secilin qytetar të Kosovës. Ky pretendim u publikua me datë 6 dhjetor në formë postimi në TikTok nga llogaria “zotishqiptar”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i rremë. Një vendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim zyrtar. (këtu)
Personi i dyshuar për vrasjen e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve shëndetësore në ShBA, “UnitedHealthcare”, pretendohet se ka prejardhje shqiptare. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se nuk ka asnjë të dhënë që e mbështet këtë pretendim. Duke u bazuar edhe në platformën “ancestory.com”, asnjë familje me mbiemrin Mangione nuk ka prejardhje shqiptare. (këtu)
Artikulli i “klankosova.tv” më 11 dhjetor me pretendimin se Besarta Jashari do të jetë kandidate për deputete në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është i pasaktë. Raportimi fillimisht u mohua nga zyrtarë të LVV-së e më pas nga familja Jashari. Më vonë me publikimin e listave të kandidatëve, emri i Jasharit nuk u shfaq te Vetëvendosje. (këtu)
Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar se ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se sapo të formohet qeveria e re në Siri, menjëherë ky shtet do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pretendimi se ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka thënë se Siria do ta njohë Kosovën menjëherë pas formimit të Qeverisë, është i rremë. Një deklaratë e tillë e pretenduar të jetë thënë nga Fidani nuk është gjetur në asnjë medium kredibil. (këtu)
Lajm i rremë/Mashtrim
Publikohet një fotografi që shfaq portretin e Donald Trump, presidentit të zgjedhur të ShBA-së, me një kapelë të vendosur që ka mbishkrimin “KOSOVA” dhe me mbishkrimin që pretendon se ai është deklaruar se: Populli Amerikan do të jetë përkrah shtetit të Kosovës, do ta bëjmë të pamundurën që ti lirojmë sa më shpejtë udhëheqësit e UÇK-së. Kjo përmbajtje është publikuar (11 dhjetor) në Facebook nga një faqe me emrin “Imazhe nga Kosova”. Hibrid.info ka gjetur se fotografia në fjalë është përmbajtje e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA) dhe se deklarimi i pretenduar nuk ka ardhur nga Trump. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Nëpërmjet një artikulli, portali në gjuhën shqipe “demokracia.com” ka raportuar se në takimet e Kurtit në Bosnjë-Hercegovinë nuk ka pasur flamuj të Kosovës. Por pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur fotografitë e publikuara nga Qeveria e Kosovës të takimit që Kurti ka pasur me zëvendëspresidentin e Bosnjë-Hercegovinës, Refik Lendo, e në të cilin takim në tavolinë shihet flamuri i Kosovës. (këtu)
Është publikuar pretendimi për arrestimin e Hajredin Kuçit, ish zëvendës kryeministrit të Kosovës, nga Gjykata Speciale. Për këtë pretendim, disa nga këto media i janë referuar raportimit të mediumit “Paparaci.com”. Por, mesa duket ky medium ka ndërhyrë në përmbajtjen e informacionit duke treguar se në shtëpinë e Kuçit është kryer bastisje. Disa ditë më vonë Gjykata Speciale ka njoftuar se Kuçi nuk është arrestuar. (këtu)
Teori konspirative
Një pretendim i pabazuar është publikuar më së paku një media serbe, ku një fotografi e një personi të identifikuar si Millosh Rakiq është tentuar të ndërlidhet me “Shqipërinë e madhe”. Pretendimi ka ardhur nga një fotografi e nxjerrë nga një protestë në Novi Sad, Serbi, në të cilën shihet një qytetar që ka duart e kryqëzuara, që ngjason pak me simbolin e shqiponjës dykrenore, mirëpo duart janë të pozicionuara më larg njëra-tjetrës. Kjo media në gjuhën serbe ka përdorur këtë fotografi për të lidhur personin me kryeministrin e Kosovës, duke e etiketuar atë si një “satelit” të Kurtit. Pretendimi është i paqëndrueshëm në tërësi, pasi nuk mbështetet në fakte dhe nuk ka asnjë provë që lidh fotografinë dhe mesazhin me kryeministrin Kurti. (këtu)
Nëpërmjet artikujve është pretenduar se raportimi i mediave në gjuhën shqipe në Kosovë për protestat në Serbi, është dëshmi e “mbështetjes së Albin Kurtit për protestat për shkatërrimin dhe djegien e Serbisë”. Disa media në gjuhën serbe kanë pretenduar se “media të kontrolluara nga Kurti në Prishtinë kanë njoftuar për përkrahje të protestave në Beograd, me qëllim të shkatërrimit të Serbisë”. Në publikimet e bëra, mediat në gjuhën serbe nuk kanë ofruar asnjë fakt që mbështet pretendimin në fjalë. (këtu)
Dezinformatë
Media në gjuhën serbe “Mondo.rs” ka publikuar më 8 dhjetor një artikull, ku pretendohet se këngëtarja Anna Oxa ka ndryshuar emrin për shkak të “turpit nga origjina e saj shqiptare”. Ky medium i referohet një interviste të Annës dhënë për “Ticino Welcome” në gusht 2023. Megjithatë, në intervistën e saj, Oxa nuk përmend këtë pretendim. Madje në artikull nuk përmendet në asnjë rast origjina e saj, përpos në një moment ku thuhet se Anna është si personi i tretë nga emrat më me ndikim në Shqipëri. Rrjedhimisht, media në serbisht nuk e mbështet deklaratën në prova. Anna Oxa është një artiste me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, e njohur për origjinën e saj shqiptare, që e ka përmendur shpesh në intervista dhe diskutime si pjesë të identitetit të saj kulturor. (këtu)
Manipulim i fakteve
Mediumi në serbisht “Telegraf.rs” e ka publikuar një artikull që përmes titullit ka pretenduar se flamuri i Kosovës është shpalosur në stadiumin e Milanit, para ndeshjes që kjo skuadër pritet ta zhvilloi ndaj Crvena Zvezdës në kuadër të Ligës së Kampionëve. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se nuk bëhet fjalë për flamur të Kosovës, por të një flamuri nga fansat kosovar të skuadrës së Milanit (MILAN CLUB KOSOVA). Ky medium rrejshëm e paraqet në titull si shpalosje të flamurit të Kosovës dhe pa bazë e interpreton këtë veprim si “provokim”. (këtu)
Clickbait
“Kurti lihet jashtë listës: Kam vendosur të mos rikandidoj”, mban titullin një artikull i publikuar (11 dhjetor) nga portali informativ “Periskopi.com”. Në fotografinë e këtij artikulli shfaqet logoja e Lëvizjes Vetëvendosje. Titujt e paqartë në këta artikuj, për shkak të kontekstit të ngjarjes ka bërë që disa nga lexuesit të kuptojnë që njoftimi është bërë nga Albin Kurti. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se deputetja e VV-së Tinka Kurti ka njoftuar se nuk do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme. (këtu)
Mashtrim
Është publikuar një imazh me ku shfaqet ballina e një gazete me kryetitujt në gjuhën gjermane, të cilët nga përkthimi në shqip, kuptohet që pretendojnë se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës është spiun serb dhe se komunizmi po kthehet në Kosovë. Kjo përmbajtje është krijuar me anë të një aplikacioni, që ka në dispozicion disa forma që duken si ballina të gazetave, në të cilat mund të ndërhyhet përmes ngarkimit të fotografive, sipas dëshirës, dhe vendosjes së tyre, duke e formësuar një imazh që duket si ballinë e një gazete. (këtu)
Deklaratë e pavërtetë
Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës njoftoi se është përuruar rruga Gjilan-Bujanoc, me anë të një postimi në Facebook me datën 7 dhjetor. Në postim tregohej se projekti në vlerë prej 3 milionë eurosh përveç rrugës me gjatësi 2900m me katër korsi përfshinë edhe shirit të biciklistëve, trotuar në të dyja anët, kanalizim kabllor, fekal e atmosferik, ndriçim në mes dhe sinjalizim. Deklarata në formë të shkruar e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për përfundimin e punimeve në zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc, është e pasaktë. Hibrid.info ka gjetur se magjistralja Gjilan-Bujanoc është e gjatë 41,3 km (23 km pjesa e Kosovës), ndërsa projekti i zgjerimit përfshin vetëm 1,9 km të kësaj rruge. (këtu)
Deklaratë e paarguementuar/Përmbajtje e paverifikuar
Një fotografi e janarit të këtij viti ku shihet kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe afër tij Dragomir Kariq, njëri nga dy vëllezërit biznesmenë serbë, është përdorur nga zëvendësministri i MAShTI-t, Taulant Kelmendi, për ta ndërlidhur atë me një lajm të publikuar më 8 dhjetor nga një medium në gjuhën serbe, ku pretendohet pa fakte se Bogolub Kariq po ndërton një qendër tregtare në Pejë. Pretendimi i zëvendësministrit Kelmendi se ka ndërlidhje mes fotografisë së Gazmend Muhaxherit dhe Dragomir Kariqit me pretendimin e medias në gjuhën serbe për ndërtimin e një qendre tregtare në Pejë nga Bogolub Kariq, është i paqëndrueshëm. Kryetari Muhaxheri nuk ka foto me Bogolub Kariqin, por me vëllain e tij, Dragomirin. (këtu)