Publikohet një imazh me përqindje të rezultateve të partive politike në Kosovë, para fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Kjo përmbajtje u publikua të hënën (3 maj) në Facebook, nga një llogari me emrin “Mërgata me LDK-në”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Ndonëse nuk specifikohet, fakti që zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor nënkupton se çdo shifër e paraqitur në këtë mënyrë para kësaj date i referohet matjeve të opinionit publik.
Megjithatë, matjes së paraqitur i mungojnë kushtet themelore për t’u konsideruar kredibile.

Faqja që ka publikuar postimin ka mbi 7 mijë ndjekës dhe publikon përmbajtje në mbështetje të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së).
Deri në momentin e trajtimit përmbajtja ka nxitur reagime duke marrë më shumë se 500 pëlqime dhe mbi 270 komente.
–
Përmbajtja e artikullit paraqet të dhëna sipas të cilave Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet e para me 36% mbështetje, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 28% respektivisht 25%. Në vendin e fundit renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me rreth 10%.
Shuma e këtyre përqindjeve rezulton në 99%.
–
Për të vlerësuar kredibilitetin e këtij sondazhi të pretenduar, hibrid.info ka verifikuar nëse ai përmbush standardet dhe kriteret e kërkuara për një matje të tillë të opinionit publik.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Hibrid.info vërejti se kjo përmbajtje nuk ka përmbushur kriteret kryesore të një sondazhi legjitim, pasi nuk ofron asnjë informacion mbi atë se kush e kreu apo e sponsorizoi këtë hulumtim paraprak. Imazhit i mungojnë të dhënat teknike thelbësore si mostra (sa persona u intervistuan), mënyra e përzgjedhjes së njerëzve, periudha kohore se kur u krye sondazhi, si dhe metoda e intervistimit. Për më tepër, mungesa e pyetjeve neutrale dhe përdorimi i një gjuhe të ngarkuar emocionalisht në grafikë lenë dyshime mbi vërtetësinë e rezultateve, duke mos lejuar verifikimin nëse sondazhi është peshuar apo nëse përfaqëson saktë mendimin e një pjese të popullatës.
–
Hibrid.info gjithashtu ka bërë kërkim në motorin e kërkimit “Google” me fjalët kyçe “sondazh kosovë”, duke e kufizuar rezultatet në publikimet e shtatë ditëve të fundit (shih këtu). Rezultatet e këtij kërkimi nuk kanë shfaqur asnjë artikull kredibil që do të konfirmonte ekzistencën të këtij apo ndonjë tjetër sondazhi të pretenduar.
–
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtuar më 28 dhjetor të vitit 2025, LVV mori 51.10%, PDK 20.19%, LDK kishte 13.24% dhe AAK 5.50% (shih këtu).
Analiza:
Një imazh me përqindje të mbështetjes për partitë politike në Kosovë, pretendon se paraqet rezultate të një matjeje të opinionit publik para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pas verifikimit, rezulton se kësaj përmbajtjeje i mungojnë të dhënat teknike thelbësore si burimi, mostra, periudha e realizimit dhe metodologjia, elemente këto që kërkohen sipas standardeve të “Pew Research” për t’u konsideruar matje kredibile.
Për më tepër, kërkimet në Google nuk kanë shfaqur asnjë raport nga burime të besueshme që konfirmon ekzistencën e këtij sondazhi.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, kjo përmbajtje vlerësohet si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.