Shkroi: Fatbardh Dema
Të dielën 28 dhjetor, në median sociale Facebook u publikua një përmbajtje përmes së cilës pretendohet se paraqet rezultate të një sondazhi online për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Faqja “Podujeva Sot” publikoi një përmbajtje në Facebook me pretendimin se është publikuar një sondazh online. Pas klikimit në artikullin e bashkangjitur postimit, jepen të shifrat në përqindje për disa subjekte politike (shih këtu)
Hibrid.info ka kërkuar në Google këto përqindje, por rezultatet nuk shfaqin ndonjë artikull të publikuar në media apo burime kredibile.
Po ashtu, në artikull mungojnë informatat bazë që do të mundësonin përcaktimin e besueshmërisë dhe vlefshmërisë së përmbajtjes, siç janë të dhënat se nga kush është realizuar dhe ku është publikuar sondazhi i pretenduar.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Peë Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Sondazhet si fenomen i mediave sociale para zgjedhjeve:
Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese. Ritmi i publikimeve të sondazheve të rreme u vazhdua edhe për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor dhe 9 nëntor. (shih këtu)
Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Analiza:
Faqja “Podujeva Sot” në Facebook ka publikuar një përmbajtje nëpërmjet së cilës ka pretenduar rrejshëm se bëhet fjalë për sondazh online për zgjedhjet parlamentare. Në artikull janë dhënë shifra në përqindje për disa nga subjektet politike në Kosovë.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, duke kërkuar me fjalët kyçe përqindjet që janë vënë në artikullin e lartcekur, u vërtetua se asnjë matje për zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk është publikuar në ndonjë burim kredibil të informacionit.
Gjithashtu, përmbajtjes i mungojnë të dhënat themelore të nevojshme, për t’u konsideruar si sondazh.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.