Të fundit | Vazhdon fenomeni i lojërave të dyshimta shpërblyese në Facebook Të fundit | Kurti nuk ka paralajmëruar rritje të pensioneve Të fundit | Osmani nuk e përmendi Radoiçiqin në deklaratën për Hotin Të fundit | Titull çorientues: Pretendohet se Kosova do të mbetet pa rrymë në një datë… Të fundit | Nurmagomedov nuk ka deklaruar se është shqiptar, “Albania Kaukaziane” nuk k… Të fundit | Adriatik Kelmendi nuk është arrestuar Të fundit | Në imazhin e gjeneruar me IA, Kurti paraqitet në një ngjarje ku nuk mori pj… Të fundit | Hibrid.info pjesë e diskutimeve për integritetin e informacionit dhe zbatim… Të fundit | Fotografia e një ushtari estonez është përdorur për ta paraqitur si pjesëta… Të fundit | Mediumi rus pretendon rrejshëm se në Kosovë po bëhet rekrutim masiv i terro…
[ ARTIKULLI ]

Videoja e lëvizjes së mjeteve ushtarake nuk u realizua në Shqipëri, por në Moldavi

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Videoja që pretendohet se paraqet lëvizjen e mjeteve ushtarake në Shqipëri është realizuar në Kishinau të Moldavisë.

Një video-material i publikuar nga mediumi turk Haberler, (linku i arkivuar)si dhe nga disa llogari dhe faqe në rrjetet sociale, pretendohet se paraqet lëvizjen e mjeteve ushtarake dhe policore në Shqipëri, në kontekstin e protestave që po zhvillohen aktualisht (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Në video shihen disa automjete ushtarake dhe policore duke lëvizur gjatë natës në një rrugë urbane. Pamjet janë shpërndarë me pretendimin se paraqesin zhvillime të lidhura me protestat në Shqipëri, duke krijuar përshtypjen se ato janë realizuar në territorin shqiptar.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Verifikimi i kryer nga hibrid.info përmes analizimit të elementeve vizuale të videos, kërkimit të burimeve përkatëse online dhe krahasimit të pamjeve me fotografi të disponueshme në Google Earth, ka vërtetuar se videoja nuk është realizuar në Shqipëri, por në Moldavi.


FAKTET

Për të verifikuar vendndodhjen e videos, hibrid.info fillimisht analizoi elementet që shihen në pamje. Gjatë këtij procesi, vëmendje të veçantë tërhoqën telat e vendosur mbi rrugë, të cilët përdoren nga trolejbusët për të marrë energjinë elektrike që u nevojitet për lëvizje.

Telat elektrikë të përdorur nga trolejbusët, të dukshëm në video.

Ky element përbënte një të dhënë të rëndësishme për orientimin e hulumtimit, pasi Shqipëria nuk ka sistem të transportit publik me trolejbusë (shih këtu).


Për të përcaktuar se në cilin shtet mund të jenë realizuar pamjet, hibrid.info fillimisht hulumtoi se cilat shtete në botë kanë sisteme funksionale të transportit me trolejbusë (shih këtu).

Duke u bazuar në këtë listë, hulumtimi u përqendrua te shtetet ku ky lloj transporti është në funksion. Në vijim, u kërkuan fotografi të automjeteve policore që përdoren në këto shtete, me qëllim që të krahasoheshin me automjetet e paraqitura në videon e publikuar.

Gjatë këtij procesi, u vunë re ngjashmëri mes automjeteve policore që shihen në video dhe atyre që përdoren në Moldavi, veçanërisht sa u përket ngjyrave dhe elementeve të brendimit (shih këtu).

© OSCE/Jenni Dimitrova

Krahasimi i këtyre karakteristikave e orientoi hulumtimin drejt këtij shteti. Megjithatë, për të përcaktuar qytetin dhe lokacionin e saktë, nevojiteshin verifikime të mëtejshme.


Pas identifikimit të Moldavisë si lokacioni i mundshëm i realizimit të pamjeve, hibrid.info hulumtoi se cilat qytete të këtij shteti kanë sistem të transportit me trolejbusë. Gjetjet treguan se ky lloj transporti është i pranishëm në Kishinau, Balti dhe Tiraspol (shih këtu). Për këtë arsye, kërkimi për identifikimin e vendndodhjes së videos u përqendrua fillimisht në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku përmes Google Earth u krahasuan elementet e infrastrukturës rrugore si, telat elektrikë të trolejbusëve mbi rrugë, vijat e bardha të vendkalimeve për këmbësorë, pozicionimi i semaforëve dhe shenjat e trafikut me ato që shihen në video.

Pas krahasimit të pamjeve me pamjet në Google Earth, hibrid.info identifikoi lokacionin e videos në Kishinau, e që rezultoi se ajo u realizua në afërsi të ambasadës së Rusisë në Moldavi (shih këtu).

FOTOGRAFITË KRAHASUESE: Pamjet nga videoja dhe lokacioni përkatës në Google Earth.


Analiza

Videoja e publikuar nga mediumi turk Haberler dhe disa faqe e llogari në media sociale, e cila pretendon se paraqet lëvizjen e mjeteve ushtarake dhe policore gjatë protestave në Shqipëri, në fakt është realizuar në Kishinau të Moldavisë, pranë ambasadës së Rusisë.

Verifikimi i hibrid.info identifikoi fillimisht telat e trolejbusëve në pamje dhe pas hulumtimit të shteteve ku funksionon ky transport dhe krahasimit të automjeteve policore, ngushtoi kërkimin te Moldavia.

Përmes krahasimit të mjeteve të policisë që shfaqen në video dhe të infrastrukturës rrugore me pamjet në Google Earth, u identifikua lokacioni i saktë, duke vërtetuar se videoja nuk është realizuar në Shqipëri, por në kryeqytetin moldav Kishinau.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere