Publikohet një video-material, në audion e të cilit dëgjohet pretendimi se ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-zëvendëskryeministri Fatmir Limaj kanë pasuri milionëshe në Bankën e Qipros.
Video-materiali u publikua të dielën (14 qershor) në Facebook, në llogarinë me emrin “Sergio Selimi”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, rezulton se pretendimi është i pabazuar në fakte.

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja ka 192 pëlqime, 69 komente dhe 207 shpërndarje. Llogaria publikuese e video-materialit ka mbi 55 mijë ndjekës dhe publikon shpesh përmbajtje në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje (shih këtu).
Videoja e transkriptuar
“Qipro ka miliarda dollarë nga korrupsioni shqiptar. Pasuria e Hashim Thaçit aty është 78.900.538 afërsisht 79 milionë dollarë. Ramush Haradinaj në bankën e Qipros ka fshehur 68.305.985 apo mbi 68 milionë dollarë. Kadri Veseli ka më shumë se 98.780.687 dollarë apo 99 milionë dollarë. Edhe Fatmir Limaj ka jo pak por 81.645.490 dollarë, afërsisht 82 milionë dollar, po në Bankën e Qipros.”
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” me fjalët e mbishkrimit “arben ahmetaj ‘tigri’ i parajsave fiskale”, që shihet në video-material (shih këtu).
Rezultatet nga kërkimi shfaqën videon autentike nga është shkëputur videoja e cila po trajtohet. Videoja në fjalë ishte publikuar më 7 tetor, 2021 në faqen në Facebook me emrin “pamfleti.net” (shih këtu).
Videoja nis me fjalët e dëgjuara në audio ‘Shkruan Sokol Pepushaj’, çka sugjeron se përmbajtja e paraqitur mund të përfaqësojë qëndrimet ose opinionet e një autori.
Hibrid.info ka kërkuar në uebfaqen “pamfleti.net” me fjalët “sokol pepushaj”. Rezultatet nga kërkimi nuk shfaqën asnjë artikull me pretendimet e dëgjuara në këtë audio, megjithatë, artikujt e shfaqur në rezultate tregojnë se përmbajtjet e autorit Sokol Pepushaj janë shkrime opinioni.

Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët kyçe “Pasuria e Hashim Thacit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt Qipro”. Rezultatet nga kërkimi nuk kanë shfaqur burime kredibile dhe zyrtare që do të konfirmonin pretendimet në fjalë.
Për më tepër, pretendimi i njëjtë ishte trajtuar edhe një herë tjetër nga hibrid.info (shih këtu).
Për të kontrolluar edhe më shumë rreth pretendimeve, hibrid.info shfrytëzoi platformën online “deklarimi.org”, të organizatës “Lëvizja Fol”, ku janë të paraqitura deklarimet e pasurisë së rreth 450 zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë nga viti 2010 deri në 2019 (shih këtu).
Sipas të dhënave të paraqitura veç e veç për secilin nga ish-zyrtarët shtetërorë të përmendur në përmbajtjen e trajtuar, rezulton se Hashim Thaçi, në deklarimin e tij të fundit të vitit 2019, kishte raportuar një pasuri totale prej 700,507.81 euro. Ramush Haradinaj, në deklarimin e vitit 2025, figuron me një pasuri totale të deklaruar prej 2,231,610.37 euro. Kadri Veseli, në deklarimin e fundit të vitit 2020, kishte të raportuar një pasuri në vlerë totale prej 271,311.34 euro, ndërsa Fatmir Limaj, në vitin 2021, kishte deklaruar gjithsej 858,146.00 euro pasuri.
Analiza:
Në rrjete sociale është publikuar një video-material ku në audio pretendohet se ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-zëvendëskryeministri Fatmir Limaj kanë pasuri dhjetëra milionëshe të fshehura në “Bankën e Qipros”.
Në audio jepen shifra konkrete milionëshe për secilin prej tyre, duke pretenduar përkatësisht rreth 79 milionë dollarë për Hashim Thaçin, mbi 68 milionë për Ramush Haradinajn, rreth 99 milionë për Kadri Veselin dhe rreth 82 milionë për Fatmir Limajn.
Pas verifikimit të kryer, për pretendimet nuk gjenden burime zyrtare apo kredibile që i konfirmojnë këto të dhëna. Po ashtu, video-materiali rezulton të jetë i shkëputur nga një përmbajtje më e hershme dhe e përdorur jashtë kontekstit origjinal, ku audioja i atribuohet një materiali opinionist, pa dëshmi të verifikueshme faktike.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.