Gjatë periudhës së monitorimit 17–22 gusht 2026, në përmbajtjet keqinformuese të identifikuara kanë dominuar lajmet e rreme.
Lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në Facebook dhe TikTok, me temat politike që kanë dominuar përmbajtjet e identifikuara. Në Facebook janë shpërndarë deklarata të fabrikuara që i atribuohen Albin Kurtit dhe Hakan Fidanit, duke prekur çështje të ndjeshme politike si Mitrovica, Ura e Ibrit dhe raportet Kosovë–Serbi–Turqi. Po në Facebook është publikuar edhe një deklaratë e rreme që i atribuohet Arsim Bajramit, lidhur me performancën e Kurtit në raport me ndërkombëtarët dhe Serbinë. Ndërkaq, në TikTok është shpërndarë një sondazh i pakredibil për mbështetjen e partive politike në Kosovë, i paraqitur si matje e realizuar me 1,500 respondentë. Në tërësi, temat kryesore të lajmeve të rreme gjatë kësaj periudhe lidhen me politikën e brendshme, figurat politike, raportet Kosovë–Serbi, Urën e Ibrit dhe sondazhet politike.
Përmbajtjet clickbait janë publikuar kryesisht në Facebook dhe në portale online, duke u fokusuar kryesisht në tema sociale dhe politike. Në Facebook, faqet “Prishtina City”, “Trendi.info” dhe “Gazeta Ditore” kanë publikuar një titull që krijonte përshtypjen se “s’ka shtesa më nga 30 euro”, duke mos sqaruar se bëhej fjalë për verifikimin e përfituesve që nuk i plotësojnë kriteret. Ndërkaq, mediumi frontonline.net publikoi një artikull me titullin “Miliona për luksin institucional: Qeveria blen edhe 104 vetura të reja në vlerë 2.4 milionë euro”, duke ia atribuar blerjen vetëm Qeverisë, ndonëse tenderi përfshinte edhe institucione të tjera publike. Në përgjithësi, clickbait-et e identifikuara gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar shtesat financiare dhe shpenzimet publike, duke përdorur tituj të ekzagjeruar ose të paqartë për të nxitur klikimet.
Manipulimi i fakteve është shfaqur kryesisht në Facebook, me përmbajtje që lidhen me zhvillimet politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Një rast i publikuar nga faqja “Interesante” paraqiste si të miratuar nga Kongresi amerikan një projektligj për diskriminimin e shqiptarëve në Serbi, ndonëse ai vetëm ishte avancuar nga Komiteti për Punë të Jashtme dhe nuk ishte miratuar ende nga të dyja dhomat e Kongresit. Ndërkaq, faqja “Kosova Report” i atribuoi Richard Grenellit një deklaratë se në shtator do të mbaheshin zgjedhje në Kosovë pas kthimit të Hashim Thaçit, ndërsa verifikimi tregoi se Grenell nuk kishte bërë një lidhje të tillë. Këto raste tregojnë se manipulimi është realizuar kryesisht përmes paraqitjes së pjesshme ose të pasaktë të zhvillimeve politike, duke ndryshuar kuptimin e informacionit origjinal.
Lajm i rremë
“UNË JA KTHEVA KOSOVËN POPULLIT TIM! Nga duart e atyre që e kishin rrëmbyer, unë ja mora dhe ja dhashë përsëri Popullit tim. Për këtë më gjykojnë sepse Mitrovicën e ktheva në hartë, përgjithmonë, ashtu siç na porositën Dëshmorët.” Ky është mbishkrimi i një imazhi të publikuar në Facebook nga llogaritë me emrat “Luan Ibrahim Gacaferi” dhe “Elez Neziraj”, si dhe nga faqja “Kastriotët e Dardanisë – Shqipërisë Veriore”. Në imazh pretendohet se paraqitet një deklaratë e Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë të Kosovës. Nuk ka dëshmi se Albin Kurti ka bërë një deklaratë të tillë publike. (këtu)
Faqja “Lajme Nga Bota” në Facebook ka publikuar një përmbajtje sot (19 gusht), përmes së cilës pretendohet se ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Urën e Ibrit. Në përmbajtje i atribuohet Fidanit një deklaratë e gjatë, sipas së cilës Turqia ka “pikat e saja në Ballkan” dhe se një prej tyre është Republika e Kosovës, të cilën Turqia do ta “mbrojë me çdo kusht”. Nuk është gjetur asnjë burim zyrtar apo i besueshëm që dëshmon se Fidan ka bërë një deklaratë të tillë. (këtu)
Përmes një përmbajtjeje të publikuar në TikTok, pretendohet se një sondazh i realizuar me 1 mijë e 500 respondentë, gjatë periudhës 1–7 gusht 2026, paraqet pëlqyeshmërinë momentale të katër subjekteve politike në Kosovë. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që kjo matje nuk është kredibile. Pra, nuk dihet se kush e ka realizuar matjen dhe ajo nuk është gjetur e publikuar në media apo burime kredibile. (këtu)
Përmes një përmbajtjeje të publikuar nga faqja “Kurti 4” pretendohet rrejshëm se Arsim Bajrami ka deklaruar se Albin Kurti ka rikthyer dinjitetin e Kosovës në raport me ndërkombëtarët dhe Serbinë. Pas verifikimit të kryer online nga hibrid.info u vërtetua se Bajrami nuk e ka bërë këtë deklaratë. Ai madje e ka mohuar publikisht atë, duke e cilësuar si “manipulim”. Përmbajtja e njëjtë qarkullon në media sociale që nga dhjetori i vitit 2025 dhe është ripublikuar nga faqe e llogari të tjera. (këtu)
Clickbait
Janë publikuar postime në Facebook, me imazhin që ka mbishkrimin “LAJMI FUNDIT / S’ka shtesa me nga 30 euro”. Një përmbajtje me këtë mbishkrim është publikuar të hënën (17 gusht) nga faqet me emrat “Prishtina City”, “Trendi.info” dhe të martën (18 gusht) në faqen me emrin “Gazeta Ditore”. Mbishkrimi nuk e sqaron se bëhet fjalë për verifikimin e përfituesve të shtesave dhe mundësinë e largimit nga skema të atyre që nuk i plotësojnë kriteret. (këtu)
Është publikuar një artikull i titulluar “Miliona për luksin institucional: Qeveria blen edhe 104 vetura të reja në vlerë 2.4 milionë euro”. Përmbajtja me këtë titull është publikuar të enjten (20 gusht) nga mediumi “frontonline.net”. Madje artikulli është paraqitur me një imazh, ku shfaqet kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pranë një veture zyrtare. Titulli i atribuon pasaktë blerjen e veturave vetëm Qeverisë, ndërkohë që tenderi përfshin edhe institucione që nuk janë pjesë e ekzekutivit si agjenci, komuna, inspektorate, SHSKUK dhe Këshilli Prokurorial. (këtu)
Manipulim i fakteve
Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “SHBA-të godasin Serbinë shumë rëndë: Miratojnë projektligjin kundër diskriminimit të shqiptarëve në Serbi”. Kjo përmbajtje u publikua të dielën (16 gusht) në Facebook, nga një faqe me emrin “Interesante”. Në artikull bëhet e ditur se Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan ka votuar për ta çuar përpara projektligjin, i cili kërkon përgatitjen e një raporti mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe. Megjithatë, projektligji ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i SHBA-së, prandaj nuk mund të konsiderohet i miratuar nga Kongresi amerikan. (këtu)
Faqja “Kosova Report” përmes një postimi ka pretenduar se Richard Grenell ka thënë se në shtator do të ketë zgjedhje në Kosovë pas kthimit të Hashim Thaçit. Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se Grenell nuk ka bërë një deklaratë të tillë dhe nuk e ka lidhur kthimin e Thaçit me zgjedhjet. Ajo pjesë e intervistës ku përmenden zgjedhjet në vjeshtë është shkruar nga autori i artikullit, ndërsa Grenell ka folur veçmas për dëshirën që Thaçi të lirohet dhe të kthehet në Kosovë. (këtu)