[email protected]
Interpretim konspirativ i episodit të The Simpsons si paralajmërim për një luftë në Kosovë gjatë vjeshtës
shape
shape
shape

Një episod i serialit artistik të animuar “The Simpsons” është duke u interpretuar si parashikim i një konflikti në vjeshtën e këtij viti në Kosovë.

Pretendimet bazohen në pjesën e episodit të 20-të të sezonit gjashtëmbëdhjetë me titull “Home Away from Hommer” apo në shqip “Në shtëpi larg Homerit”, i transmetuar në vitin 2005.

Në këtë episod karakteret e animuara në serialin amerikan, shkojnë në kinema për shfaqjen e një filmi me titull, siç shihet në imazh, “Vjeshtë Kosovar” (shih këtu pjesën e episodit të shpërndarë si video në TikTok).

Filmi në këtë episod flet për njerëzit e Kosovës që janë në luftë duke e ilustruar me pamjen e dy ushtarëve të cilët flasin në gjuhën shqipe në një hapësirë të panjohur.

Teoricienët e konspiracionit e shohin këtë si paralajmërim për luftën në Kosovë këtë vjeshtë.

Hibrid.info sjellë publikime me kësi lloje pretendimesh të bëra në disa nga mediat në gjuhën shqipe:

Publikimi në emisionin “Komplot” në RTV Dakagjini:

Publikimi në emisionin “Shqipëria Live” në Top-Channel”:

Publikimi në emisionin “7pa5” në Vizion Plus:

Në të tri emisionet paraqitet Arianit Sllamniku, i cili njihet në publik si protagonist për idetë e tij konspiracioniste.

Ai në emisionin “Komplot” pretendon pa fakte se është paralajmëruar të ketë konflikt në Kosovë, vjeshtën e këtij viti, duke e ndërlidhur edhe me disa ngjarje në rajon por edhe në Ukrainë (shih emisionin nga minuta e gjashtë).

Në fakt, pretendimi është bëra edhe nga videoja që u bë virale është pjesë e episodit të 20-të të sezonit të 16-të të quajtur Home AWay from Homer , i cili u transmetua më 15 maj 2005.

Pikërisht në këtë episod, karakteri me emrin Lisa fiton biletat për shfaqjen e filmit, që në këtë episod paraqitet me titull “Vjeshtë e Kosovar”.

Sakaq në fotot e shkëputura nga seriali shihen edhe dy ushtarë, çka lë të kuptohet se përshkruhet një situatë lufte. Në njërën nga pjesët e këtij episodi, familja Simpson shikon posterat e filmave përpara shfaqjes, duke përfshirë një të titulluar “Ashensori i Oppenheimer”.

Megjithatë, në këtë episod ngritën pretendime për një parashikim të ndonjë konflikti apo lufte në Kosovë në vitin 2023.

Prodhimi i sezonit të 16-të të këtij filmi të animuar ka filluar të bëhet më 7 nëntor të vitit 2004 dhe përfundon në maj të vitit 2005, që do të thotë 4 deri në 5 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovës (qershor 1999) (këtu, këtu)

Ndërsa në vitin 2004, në Kosovë kanë ndodhur edhe trazirat që njihet si “Trazirat e Marsit 2004”.

Ngjarje tjera që me ndikim që kanë ndodhur në dhe për Kosovën në atë periudhë janë edhe kur organizata amerikane Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxori një dokument në mars të vitit 2005 ku thuhej se procesi i vendosjes për statusin e ardhshëm të Kosovës duhet të fillojë në vitin 2005. (këtu)

Pak më vonë, në tetor 2005, Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi se “është koha për të filluar një proces politik për vendosjen e statusit të ardhshëm të Kosovës”. (këtu)

Ky episod i serialit të animuar “The Simpsons” është interpretuar edhe në forma tjera konspirative.

Disa media në gjuhën shqipe, në vitin 2021, kishin publikuar artikuj që pretendonin se ky episod parashikoi ecurinë e mirë e filmit artistik “Zgjoi” në festivale ndërkombëtare, ku rrëmbeu edhe disa çmime (shih këtu artikullin e Gazetaexpress.com të publikuar në nëntor të vitit 2021).

I njëjti episod u përdor edhe për pretendime të parashikimeve tjera nga disa media në gjuhën shqipe (shih shembullin këtu)


Trajtim të këtij pretendimi ka bërë edhe Platforma për verifikimit të fakteve në Serbi “Istinomer” e ka trajtuar këtë pretendim duke bazuar në një video në gjuhën serbe ku thuhet se është “veçanërisht interesante” që filmi për “babain e bombës atomike” Robert Oppenheimer është aktualisht në kinema. “Pra, bëhet fjalë për këtë vit.” Vjeshtë e Kosovës, këtë vit”, përfundon videoja.

Pra, filmi i Oppenheimer merret si fakt shtesë për ta përforcuar pretendimin se bëhet fjalë për vjeshtën e këtij viti (2023) përkundër faktit se episodi është transmetuar në maj të vitit 2005.

Megjithatë, as posteri i filmit për Oppenheimer nuk ia shton forcën “provave” për parashikimin e luftës në Kosovë në vjeshtë.

Libra dhe realizime të ndryshme filmike rreth shkencëtarit të Bombës Bërthamore, J. Robert Oppenheimer, janë bërë edhe më parë (shih shembuj këtu)

Edhe Libri “Prometheu Amerikan” (American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer) nga Kai Bird and Martin J. Sherwin, sipas së cilës u filmua “Oppenheimer” i Nolanit, i cili u shfaq premierë më 21 korrik të këtij viti (2023), u publikua në vitin 2006.

Edhe atëherë dihej që libri do të përshtatej në një farë mënyre në ekran. Ndërkohë, “babai i bombës atomike”, fizikani Robert Oppenheimer, ishte subjekti qendror i shumë dokumentarëve, serialeve, librave, dramave, madje edhe operave

Simpsons nuk parashikuan që filmi do të ishte një prelud i ndonjë lufte, por bëhet fjalë për një parashikim tjetër konspirative.


Analiza:

U pretendua se episodi i vitit 2005 i serialit The Simpson ku bëhet fjalë për filmin “Vjeshtë Kosovar” ku shihen dy ushtarë në skenë, parashikon luftë në Kosovë gjatë vjeshtës së këtij viti.

Nuk ofrohen fakte që dëshmojnë se The Simpsons parashikuan një luftë në vjeshtë siç pretendohet.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë interpretim e vlerëson si “teori konspirative”.


Vlerësimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others