[email protected]
Rishikimi i javës: përmbajtje të pa verifikuara rreth veriut, lajme të rreme në mediat sociale, manipulim i fakteve nga mediat serbe
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të përmbajtjeve të rreme në ekosistemin keqinformues në Kosovë.

Lajmet e rreme kishin të bënin me pretendime në TikTok për një luftë në Kosovë; për vrasjen e Alma K, protagonistes së video me Safet Gjicin; se Maria Zakharova, ka thënë se “Rusia është e gatshme të dërgojë tanke në Kosovë dhe ta zgjidhë situatën për tre ditë”.

Përmbajtje mashtruese në Facebook për oferta për kredi-marrje.

Përmbajtje e pa verifikuar me pretendimin se “grupe kriminale ruse ‘pushtojnë’ veriun”.

Teori konspirative për ndarjen e Vojvodinës nga Serbia, duke iu referuar trazirave në Kosovë; dhe se  filmi i animuar “The Simpsons” ka parashikuar zhdukjen e nëndetëses “Titan” të kompanisë “OceanGate” në Oqeanin Atlantik.

Clickbait artikuj me pretendimin për kalimin e Fatmir Limajt në PDK; për projekt-dokument ‘merre ose lëre’ për Kosovën dhe Serbinë, me sanksione nga ana e ndërkombëtarëve për palën që s’pranon!”.

 Dezinformatë për një takim në mes ish-ministres në Qeverinë e Malit të Zi, Jovana Maroviq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte ndodhur vitin e kaluar e që ishte publikuar si aktual.

Gabim dhe përmbajtje e pa verifikuar ku pretendohej se “afër 200 kompani gjermane paralajmëruan ikjen nga Kosova për shkak të situatës politike”.

Manipulim i fakteve me pretendimin se një veturë që kishte kaluar përmes turmës së protestës në Graçanicë, kishte lënduar njërin nga pjesëmarrësit.

Teori konspirative me pretendimin e konspiracionistit Arianit Sllamniku, se zhdukja e nëndetëses “Titan” ka lidhje me datën e fundosjes së Titanikut.

Mashtrim

Faqja “Kredi personale” në Facebook vazhdon të publikojë postime me pretendime të rremë t’i paraqesë ato si oferta për kredi-marrje. Me datë 11 qershor, kjo faqe ka publikuar një ofertë për kredi me anë të së cilës ka ngritur pretendimin se ofron mundësi kredi-marrje deri në 150 mijë euro brenda 24 orëve. Hibrid.info, pas verifikimit të fakteve, ka arritur të vërtetojë se kjo faqe, këtë postim e ka marr nga institucioni mikrofinanciar në Shqipëri “FED invest”, të cilës i ka ndryshuar përshkrimin. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar video-materiale , ku pretendohet për një luftë në Kosovë. Në shtatë materialet, sa janë publikuar nga kjo llogari pretendohet për një luftë në Kosovë gjatë muajve korrik dhe gusht, si dhe parashihet përhapje e luftës në Ballkan. Autori pretendimin e bazon nga raportet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës “CIA”, madje duke e vënë në pikëpyetje angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në vendin tonë. Por hibrid.info ka verifikuar faktet duke gjetur se pretendimet e dhëna nuk janë të qëndrueshme. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje tregohet për identitetin e personit që vrau Alma K, që në artikull paraqitet si bashkëshorti i vajzës në fjalë. Megjithatë hibrid.info pas verifikimit ka vërtetuar se nuk ka informata që konfirmojnë vrasjen e Alma K. si dhe imazhi i personit të pretenduar si bashkëshorti i saj, në fakt paraqet Fatos Cerenishtin, president i një kompanie hoteliere në Shqipëri. (këtu)

Disa profil në mediat sociale Twitter dhe Facebook kanë publikuar një deklaratë me pretendim të rremë se zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se “Rusia është e gatshme të dërgojë tanke në Kosovë dhe ta zgjidhë situatën për tre ditë”. Verifikimi se kjo deklaratë është e rremë është bërë nga platforma për kontroll të fakteve nga Mali i Zi “Raskinkavanje.me”. Trajtimin për pavërtetësinë e këtij postimi, kolegët nga Mali i Zi e argumentojnë pas kërkimit në njoftimet e publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Rusisë, të cilat i referohen situatës në Kosovë, si dhe në burime të tjera ku për rëndësinë e kësaj deklarate duhej të publikohej, e që e njëjta nuk është gjetur e publikuar askund. (këtu)

Llogaria në TikTok “kijameti2024” ka publikuar një video-material me mbishkrimin ku pretendohet për një luftë javën tjetër. E njëjta llogari edhe më herët ka publikuar video me përmbajtje ku paralajmërohej luftë në Kosovë, por këtë herë në mbishkrim nuk është specifikuar vendi ku pritet të ndodhë lufta. Megjithatë hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka gjetur dëshmi që vërtetojnë pretendimin e paraqitur nga llogaria në fjalë. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Portali informativ “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull me pretendimin se “grupe kriminale ruse ‘pushtojnë’ veriun”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se këtë pretendim, ky portal e ka ngritur duke u bazuar në një fotografi, në të cilën shihen tre persona duke ecur në rrugë, që sipas autorit fotoja është realizuar në veri të Kosovës. Megjithatë, në përmbajtje të artikullit nuk jepen të dhëna shtesë apo fakte që mbështesin pretendimin e bërë. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi në gjuhën serbe “srbin.info” ka publikuar një artikull në të cilin, duke iu referuar trazirave aktuale në Kosovë, bën të ditur planin e pretenduar të Forumit Ekonomik Botëror dhe Kaus Schwab për “ndarjen e Vojvodinës nga Serbia”.  Këtë, siç shkruhet në artikull, dyshohet se dëshmon harta e publikuar në faqen e SEF-it, në të cilën janë paraqitur kufijtë e Serbisë pa territorin e Vojvodinës. Megjithatë, pas verifikimit të kryer nga platforma për kontrollim të fakteve “Istinoemr.rs”  është konstatuar pavërtetësia pretendimit. (këtu)

Portali informativ në gjuhën shqipe “albeu.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se filmi i animuar “The Simpsons” ka parashikuar zhdukjen e nëndetëses “Titan” të kompanisë “OceanGate” në Oqeanin Atlantik, e përdorur për t’i dërguar turistët te pjesët e fundosura të anijes Titanik. Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një video-material i shkurtër, i marrë nga një prej episodeve të këtij seriali të animuar, me anë të së cilit pretendohet se është parashikuar zhdukja e nëndetëses “Titan”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në këtë video-material asnjëherë nuk është përmendur emri “Titanik” apo “Titan”, që kishte mundur ta ndërlidhte atë si parashikim. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Insajderi.org” ka publikuar një artikull duke bërë të ditur se mërgimtarët kosovarë do të mblidhen në qendër të Helsinkit të Finlandës për të protestuar në mbështetje të Kosovës, që të ndalen protestat e serbëve në veri dhe të lirohen tre policët e kidnapuar nga Serbia. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, portali i lartcekur këtij artikulli i ka vendosur një fotografi jo adekuate, në të cilën paraqitet simbolikisht pika e kalimit të murit të Berlinit midis Berlinit lindor dhe atij perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë (Pika e Kontrollit Charlie). (këtu)

Clickbait

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Fëmijët ‘drogohen’ me barëra për qetësim në një kopsht, protestojnë prindërit”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk qartëson se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje. Këto portale, duke u bazuar në përcjellësit e faqeve të tyre në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i kanë shqipfolës, prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)

Portali informativ “GazetaBlic.com” ka publikuar një artikull me titull “Vjen paralajmërimi: Ndërkombëtarët kanë përgatitur projekt-dokument ‘merre ose lëre’ me sanksione për palën që s’pranon!”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen. Në përmbajtje bëhet e ditur se Vesel Makolli, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re (AKR) ka thënë se ka shumë mundësi që BE-ja dhe SHBA-të e kanë përgatitur projekt-dokumentin për deeskalimin e menjëhershëm të situatës në veri i cili, sipas tij, mund të jetë propozim “merre ose lëre” me sanksione për cilën nga palët që nuk e pranojnë. Pra, në titull nuk sqarohet se kush e ka dhënë këtë deklaratë, duke lënë atë të kuptohet si paralajmërim zyrtar nga ana e ndërkombëtarëve. (këtu)

Është publikuar një video përmbajtje me titull “Limaj në PDK?- Kështu përgjigjet: Jam i gatshëm…”. Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate në një intervistë të mbrëmshme (21 qershor) në ATV, është deklaruar mbi mundësinë e bashkimit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Por që hibrid.info ka gjetur se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen si dhe lë hapësirë për interpretime. (këtu)

Dezinformatë

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull më 17 dhe 18 qershor, për një takim në mes ish-ministres në Qeverinë e Malit të Zi, Jovana Maroviq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në përmbajtje të artikullit diskutohet për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve  ë të gjitha fushat. Pas verifikimit të kryer nga platforma për kontrollim të fakteve “raskrinkavanje.me”  është konstatuar se takimi kishte ndodhur vitin e kaluar. Pas verifikimit të kryer nga platforma për kontrollim të fakteve “raskrinkavanje.me”  është konstatuar se takimi kishte ndodhur vitin e kaluar. (këtu)

Gabim / Përmbajtje e pa verifikuar

Disa media në gjuhë shqipe publikuan një artikull në titujt e të cilave pretendohej se “afër 200 kompani gjermane paralajmëruan ikjen nga Kosova për shkak të situatës politike”. Pretendimi u bazua në një njoftim për media të “Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare” (OEGJK) të lëshuar me 15 qershor. Pretendimin për paralajmërim për ikje e demantoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde dhe OEGJK. Nga analiza e fakteve e bërë nga hibrid.info, rezulton se kjo odë ekonomike ka ngritur shqetësimin e 198 kompanive që i përfaqëson dhe mundësinë për heqje dorë nga investimet apo pezullim të aktiviteteve, dhe jo paralajmërimin për largimin e tyre nga Kosova. (këtu)

Manipulim i fakteve

Në disa media në gjuhën serbe është publikuar një artikull që pretendon se një veturë që kishte kaluar përmes turmës së protestës në Graçanicë, kishte lënduar njërin nga pjesëmarrësit. Pretendimi bëhet duke u bazuar në një video-material që paraqet momentin e ngjarjes. Megjithatë, nga rishikimi i kësaj videoje, kuptohet se protestuesi nuk u lëndua nga vetura, por pësoi vetëlëndim nga goditja e saj. Ngjarja ndodhi në protestën e komunitetit serb në Graçanicë, që u mbledhë për të kundërshtuar arrestimit të qytetarit serb. (këtu)

Pseudoshkencë

Portali informativ në gjuhën shqipe “Abcnews.al” ka publikuar një artikull me pretendimin e konspiracionistit Arianit Sllamniku, se zhdukja e nëndetëses “Titan” ka lidhje me datën e fundosjes së Titanikut. Sipas tij, nëse mblidhen të gjithë numrat e datës së fundosjes së Titanikut (15/04/1912) mes vete (1+5+0+4+1+9+1+2) japin numrin 23, që tregon vitin 2023. Nuk argumentohet me asnjë fakt që numri 23 i nxjerrë nga mbledhja e numrave të datës së fundosjes së Titanikut (15.04.1912), tregon vitin 2023, vit ky që tregon zhdukjen e nëndetëses Titan. Forma e argumentimit të kësaj teorie, bazohet në “numerologjinë mistike”, e cila është renditur si disiplinë jo-shkencore. (këtu)


Share With Others