Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një artikulli është pretenduar për vrasjen e dy personave nga një ish-kandidat për deputet.
“Tronditëse/Ish-kandidati për deputet bën masakër, vret 2 borxhlinjtë dhe s’pranon të dorëzohet”, mban titullin artikulli i publikuar nga faqja “Agjencia e Lajmeve Sot News” në Facebook të hënën (10 shkurt).
Verifikimi:
Duke pas parasysh se ky portal publikon artikuj në gjuhën shqipe, titulli përgjithësues lë vend për keqinformim se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqipfolëse. E vetëm pas klikimit të artikullit që çon në portalin “sot.com.al” mësohet se bëhet fjalë për raportim për Greqi.

Në fotografi, po ashtu nuk mund të identifikohet vendngjarja.
Artikulli flet për një rast që ka ndodhur në Gonnoi, në Greqi, në të cilin një 60-vjeçar dyshohet se i ka vrarë dy persona pas një konflikti dhe se është barrikaduar në lokalin e tij në këtë fshat. Sipas raportimit, i dyshuari ka qenë kandidat për deputet nga partia “Agimi i Artë” në këtë shtet.
Hibrid.info ka verifikuar për përmbajtje të ngjashme dhe e ka gjetur raportimin në portalin grek “ekathimerini.com”.
Analiza:
Faqja “Agjencia e Lajmeve Sot News” në Facebook ka publikuar një artikull që në titull pretendon se një ish-kandidat për deputet ka vrarë dy persona.
Për shkak se faqja publikon artikuj në gjuhën shqipe, titulli përgjithësues lë vend për keqinformim se ngjarja ka ndodhur në hapësira shqipfolëse. Por pas klikimit në artikull, brenda tekstit mësohet se bëhet fjalë për raportim për Greqi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë publikim si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.