Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Kurti ka pranuar që Thaçi të bëhet president nëse l… Të fundit | Pretendim i pakonfirmuar se gjashtë futbollistë të tjerë do ta bojkotojnë K… Të fundit | Pretendohet pa bazë se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16… Të fundit | Deklarata e vjetër e avokatit të Thaçit paraqitet rrejshëm si “lajmi i fund… Të fundit | Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit… Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike, video manipuluese me IA, pretendime të pabazuara të mediave ruse dhe serbe për sigurinë e komunitetit serb

FESTIM RIZANAJ

Gjatë monitorimit të sferës keqinformuese gjatë periudhës 24–29 gusht, është konstatuar se lajmet e rreme, si kategori e keqinformimit, e kanë dominuar këtë sferë.

Gjatë periudhës së monitorimit, lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në Facebook, përmes profileve dhe grupeve si “Elez Neziraj”, “Sabit Salihu”, “Kosova Sod” dhe “Lajmi Fundit”. Temat kryesore kanë qenë të lidhura me politikën dhe figurat politike të Kosovës, veçanërisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me ish-politikanët Azem Vllasi dhe Hashim Thaçi. Në këto përmbajtje janë fabrikuar ose atribuar në mënyrë të rreme deklarata që lavdërojnë Kurtin, e paraqesin atë si pengesë për marrëveshjen me Serbinë, apo pretendojnë se Thaçi do të kthehet në Kosovë për ta rrëzuar nga pushteti.

Dezinformatat janë publikuar në portale online dhe rrjete sociale, veçanërisht në Facebook, dhe kanë trajtuar kryesisht sigurinë dhe energjinë elektrike në Kosovë. Një prej pretendimeve, i publikuar fillimisht nga portali serb Informer, e paraqiste në mënyrë të pabazuar një pajisje ndezëse të hedhur drejt Serbisë si “sulm terrorist nga territori i Kosovës”, pa prova për origjinën apo autorësinë e saj. Ndërsa një tjetër pretendim i rremë në Facebook përdorte emrin e KEDS-it për të pretenduar se do të fillonin reduktime të përgjithshme të energjisë elektrike në Kosovë sipas orarit “4:2”, ndonëse KEDS kishte njoftuar vetëm për ndërprerje të planifikuara dhe të lokalizuara për shkak të punimeve në rrjet.

Teoritë konspirative janë shfaqur kryesisht në media dhe kanale të lidhura me hapësirën informative serbe, duke u fokusuar në sigurinë e komunitetit serb dhe pretendimet për dhunë apo diskriminim etnik në Kosovë. RT Balkan ka promovuar një skenar të pabazuar se gjykimi dhe dënimi i mundshëm i Hashim Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK-së mund të shkaktojë një valë dhune ndaj serbëve, të ngjashme me marsin e vitit 2004, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka lidhur grabitjen dhe vandalizimin e një kishe në Kamenicë me një seri të supozuar incidentesh me motive etnike, ndonëse autorët dhe motivi i rastit ende nuk janë përcaktuar.

Mashtrimet janë shfaqur kryesisht në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, përmes përmbajtjeve të manipuluara me inteligjencë artificiale. Rasti i evidentuar lidhet me një video të publikuar nga faqja “NewsKs”, e cila në mënyrë të rreme paraqiste presidentin amerikan Donald Trump duke kërcënuar Serbinë me bombardim për shkak të Kosovës. Videoja përdorte logot e “Daily Mail” dhe “Reuters” për t’i dhënë pamje të besueshme pretendimit, ndërsa verifikimi tregoi se audioja ishte gjeneruar me IA dhe se Trump nuk kishte bërë një deklaratë të tillë.

Lajm i rremë

Një imazh me pretendimin se ish-politikani Azem Vllasi ka deklaruar se shqiptarët, ndonëse “trima e luftëtarë”, për 20 vjet nuk kanë guxuar të dalin në veri të Kosovës pa Albin Kurtin, është shpërndarë në Facebook. Videoja është publikuar të dielën (23 gusht) nga llogaria “Worldksinfo Wki”, ndërsa më pas është ripublikuar si “reels” të hënën (24 gusht) nga profili, Elez Neziraj. Hibrid.info ka kërkuar burimin fillestar të deklaratës, përfshirë intervista, artikuj, video dhe materiale të tjera publike ku Azem Vllasi mund të ketë bërë një deklaratë të tillë. Nga kërkimi në burimet e disponueshme nuk është gjetur ndonjë burim primar apo i besueshëm që dëshmon se Vllasi e ka shqiptuar këtë fjali. (këtu)

Përmes një postimi që po qarkullon në median sociale Facebook, pretendohet se analisti politik amerikan Janusz Bugajski kishte bërë një deklaratë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. “Kurti është lideri i parë i Kosovës që nuk mund të blihet dhe që vë interesat e shtetit të Kosovës përpara interesave të tij personale. Për këtë arsye, ai është pengesë për ata që duan një zgjidhje të shpejtë dhe të butë me Serbinë, ndaj edhe sulmohet. Kosova ka një kryeministër që po ndërton një shtet”. Postimi u gjet i publikuar më 23 gusht nga llogaria “Elez Neziraj” në Facebook. Pas verifikimit të pretendimit, hibrid.info nuk ka gjetur dëshmi të besueshme që e konfirmojnë se deklarata në fjalë është bërë nga Janusz Bugajski. (këtu)

Në Facebook është publikuar një përmbajtje përmes së cilës pretendohet se ish-i dërguari i BE-së për Kosovën dhe diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ka bërë një deklaratë në lidhje me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Në përmbajtjen e publikuar pretendohet se Petritsch ka thënë: “Albin Kurti është politikani më i përgatitur në tavolinat e bisedimeve. Ai nuk flet me slogane, por me fakte dhe një logjikë që shpesh i vë në vështirësi diplomatët e karrierës. Ai ka sjellë një nivel të ri të dinjitetit shtetëror në rajon”. Kjo përmbajtje u publikua më 22 gusht nga llogaria “Sabit Salihu” në Facebook. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se Wolfgang Petritsch nuk ka bërë deklaratën që i atribuohet në këtë përmbajtje. (këtu)

Një postim i publikuar në grupin e Facebook-ut “Lajmi Fundit”, nga profili “Kosova Sod”, pretendon se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se do të kthehet së shpejti në Kosovë dhe do ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin Albin Kurti. Në imazhin e publikuar me postimin shkruhet: “LAJM QË TRONDIT KREJT KOSOVËN!”, ndërsa pretendohet se Hashim Thaçi, në një video, ka thënë: “Do të vi në Kosovë shumë shpejt dhe do ta rrëzoj Albin Kurtin bashkë me ekipin e tij.” Nuk ka dëshmi se Hashim Thaçi ka deklaruar se do të kthehet në Kosovë “shumë shpejt” dhe se “do ta rrëzojë Albin Kurtin”. Për më tepër, vegëza e vendosur si “provë” në postim çon në një video për fëmijë dhe nuk ka lidhje me pretendimin. (këtu)

Dezinformatë

Një pretendim i publikuar fillimisht nga portali serb Informer më 23 gusht 2026 thotë se një pajisje ndezëse, e cilësuar si “vatrena lopta” (top zjarri), është lëshuar nga territori i Kosovës drejt Serbisë, në drejtim të zonës së Bërnjakut, me qëllim shkaktimin e zjarreve. Informer e paraqiti ngjarjen në mënyrë kategorike, duke e cilësuar në titull si “sulm terrorist nga territori i Kosovës”. Megjithatë, nuk janë paraqitur prova që dëshmojnë origjinën e pajisjes, autorësinë apo lidhjen e saj me Kosovën. Policia e Kosovës i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se nuk ka pasur përdorim apo lëshim të një pajisjeje të tillë nga territori i Kosovës. (këtu)

Një imazh i publikuar në Facebook pretendon se KEDS ka njoftuar për fillimin e reduktimeve të energjisë elektrike në gjithë Kosovën me orar “4:2”, duke nisur nga 27 gushti. Megjithatë, ky pretendim është i rremë. KEDS ka njoftuar vetëm për ndërprerje të planifikuara të energjisë në zona të caktuara, të cilat lidhen me punime të mirëmbajtjes, investime dhe ndërhyrje të tjera në rrjet gjatë datave 27, 28 dhe 29 gusht. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga KEDS për një skemë të përgjithshme të reduktimeve “4:2”. (këtu)

Teori konspirative

RT Balkan pretendon se gjykimi dhe një dënim i mundshëm i Hashim Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK-së mund të shkaktojë një valë dhune ndaj serbëve në Kosovë, të ngjashme me marsin 2004. Artikulli e mbështet këtë kryesisht në deklaratat e Nasim Haradinajt, në parashikimet e Ljuban Karanit për “hakmarrje ndaj serbëve” dhe një “strategji të spastrimit etnik”, duke e lidhur me marsin 2004. Skenari i pretenduar për dhunë dhe spastrimin e serbëve paraqitet pa prova ose fakte që e mbështesin. (këtu)

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes një njoftimi të publikuar në ueb-faqen zyrtare më 28 gusht, ka raportuar për një ngjarje në fshatin Bushincë të Kamenicës, ku një kishë është grabitur dhe vandalizuar, ndërsa janë vjedhur edhe paratë nga donacionet, në vlerë prej rreth 1000–1100 eurosh. Në të njëjtin njoftim, Zyra për Kosovën e paraqet këtë ngjarje si pjesë të një serie incidentesh me motive etnike ndaj komunitetit serb në Kosovë. Policia e Kosovës ka raportuar rastin, por autorët dhe motivi i veprës ende nuk dihen dhe bazuar në raportin e policisë rasti është duke u hetuar. (këtu)

Mashtrim

Me video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, u pretendua rrejshëm se presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Serbinë me bombardim për shkak të Kosovës. Verifikimi tregon se deklaratat nuk ekzistojnë, nuk janë publikuar nga “Daily Mail” apo “Reuters” siç është pretenduar, dhe audioja është gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere