Gjatë periudhës 26–31 tetor 2026, Hibrid.info trajtoi nëntë përmbajtje të keqinformimit, të vlerësuara si mashtrim, lajm i rremë, dezinformatë, manipulim i fakteve, clickbait dhe gabim. Gjatë kësaj jave u publikuan edhe dy analiza, të cilat trajtuan ndikimin e titujve në interpretimin e lajmeve dhe arsyet pse përmbajtjet e kronikës së zezë tërheqin vëmendjen e publikut.
Një pjesë e përmbajtjeve të verifikuara kishin të bënin me imazhe që u atribuonin deklarata të pabazuara figurave publike, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe Jason Steinbaum, ish-këshilltarin e kongresmenit amerikan Eliot Engel. Po ashtu, u trajtuan pretendime që lidhen me zhvillimet në Kosovë, përfshirë arrestimet në Istog dhe pretendimin se FSK-ja po përgatitet të dërgohet në veri të vendit.
Mashtrim
Një imazh i krijuar me inteligjencë artificiale (IA), që imitonte formatin e lajmeve të Klan Kosovës, pretendonte se kryeministri Albin Kurti u kishte bërë thirrje serbëve të shpërngulur në vitin 1999 që të kthehen në Kosovë, të marrin pasaportat dhe të kërkojnë pronat e tyre. Verifikimi tregoi se imazhi ishte krijuar me IA, ndërsa deklarata nuk u gjet në burime kredibile dhe as në ueb-faqen e Klan Kosovës. Përmbajtja u vlerësua si “Mashtrim” (shih këtu).
Një tjetër pretendim i pavërtetuar, i publikuar në TikTok, i atribuonte Kurtit një kërkesë zyrtare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Publikimi shoqërohej me një imazh të gjeneruar me IA, ku kryeministri paraqitej në një foltore, duke krijuar përshtypjen se kishte bërë një deklarim publik për këtë çështje. Verifikimi nuk gjeti dëshmi për një kërkesë të tillë, ndërsa Hive Moderation e vlerësoi imazhin me 99.9% gjasë se ishte krijuar me IA. Përmbajtja u vlerësua si “Mashtrim” (shih këtu).
Dezinformatë
Dy publikime në gjuhën serbe, nga mediumi “B92” dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pretendonin se Policia e Kosovës kishte arrestuar tre serbë në Istog, gjatë një aksioni të përshkruar si të dhunshëm, me bllokim të fshatrave. Komunikata e përbashkët e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale konfirmoi arrestimin e dy personave të dyshuar, në kuadër të hetimeve për rastin e “Masakrës së Padalishtës”. Ajo nuk konfirmoi pretendimet për bllokimin e fshatrave dhe mënyrën e përshkruar të operacionit. Pretendimet u vlerësuan si “Dezinformatë” (shih këtu).
Ndërkaq, media ruse “politnavigator.news” publikoi pretendimin se Kosova po përgatitet ta dërgojë FSK-në në veri të vendit, duke e ndërlidhur këtë me rritjen e numrit të pjesëtarëve, investimet në armatim dhe pranimin e automjeteve të reja ushtarake. Artikulli nuk ofronte dëshmi zyrtare për ekzistimin e një plani të tillë. Njoftimet për pranimin e kamionëve ushtarakë dëshmonin investimet në kapacitetet transportuese dhe logjistike të FSK-së, por jo përgatitjen për dislokim në veri. Pretendimi u vlerësua si “Dezinformatë” (shih këtu).
Clickbait
Një përmbajtje e publikuar në Facebook nga faqja “Gazeta Minuti”, me mbishkrimin “LAJMI FUNDIT | Gjykata Speciale sapo mori vendim të ri për Thaçin dhe të tjerët”, u vlerësua si “Clickbait”. Verifikimi konfirmoi se informacioni ishte i saktë, por vendimi i Dhomave të Specializuara kishte të bënte me publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve, e jo me fajësinë apo dënimin e të akuzuarve. Titulli nuk e qartësonte natyrën e vendimit, ndërsa shprehja “LAJMI I FUNDIT” e paraqiste zhvillimin si më urgjent dhe potencialisht më të rëndësishëm sesa kuptohej nga përmbajtja (shih këtu).
Në një rast tjetër, portali “Lokalja.com” publikoi një artikull me titullin se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ishte shkarkuar nga detyra. Megjithatë, përmbajtja e artikullit dhe njoftimi zyrtar i Sistemit Prokurorial të Kosovës konfirmuan se ajo ishte suspenduar, ndërsa ndaj saj ishte themeluar një panel hetimor në kuadër të procedurës disiplinore. Meqë suspendimi është masë e përkohshme dhe nuk nënkupton shkarkimin nga pozita, publikimi u vlerësua si “Clickbait” (shih këtu).
Lajm i rremë
Në Facebook u publikua një imazh që i atribuonte Jason Steinbaumit, ish-këshilltar i kongresmenit amerikan Eliot Engel, një deklaratë për Hashim Thaçin dhe UÇK-në, ku pretendohej se në Hagë kishte fituar Serbia kundër UÇK-së. Hulumtimi nuk gjeti dëshmi se Steinbaum i kishte bërë këto deklarata në formën e paraqitur. Megjithëse ai kishte kritikuar publikisht Gjykatën Speciale, deklaratat e tij në opinionet dhe intervistat e publikuara nuk përputheshin me citimin e shpërndarë në rrjetet sociale. Pretendimi u vlerësua si “Lajm i rremë” (shih këtu).
Manipulim i fakteve
Një publikim i mediumit “KosovaPost.net” paraqiti tarifën mujore prej 35 eurosh për akomodimin dhe ushqimin e studentëve në konvikte e mensë si shembull të mbështetjes së studentëve nga kryeministri Albin Kurti. Verifikimi konfirmoi se shuma përbëhet nga 20 euro për strehim dhe 15 euro për ushqim, por gjeti se këto tarifa burojnë nga një vendim i Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, në prill të vitit 2014. Duke mos e përmendur këtë kontekst dhe duke e shoqëruar publikimin me fotografinë e Kurtit dhe formulimin “Mëso nga Albin Kurti”, përmbajtja krijonte përshtypjen se tarifat ishin rezultat i politikave të qeverisë së tij. Publikimi u vlerësua si “Manipulim i fakteve” (shih këtu).
Gabim
Mediumi britanik “The Independent” publikoi një artikull për zhvillimet politike në Serbi, duke përdorur fotografinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë. Verifikimi përmes platformës Getty Images konfirmoi se fotografia paraqiste Bibliotekën Kombëtare dhe Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Në artikull, fotografia shoqërohej me një përshkrim që lidhej me pretendimin e Listës së Studentëve se Kosova mbetet pjesë integrale e Serbisë. Hibrid.info e vlerësoi këtë publikim si “Gabim”, pasi fotografia nga Kosova ishte përdorur në kontekstin e një artikulli për Serbinë (shih këtu).
Analiza dhe narrativa
Gjatë kësaj jave u publikuan dy analiza që trajtuan aspekte të ndryshme të konsumimit dhe interpretimit të përmbajtjeve mediatike.
Në analizën “Titulli mund të të mashtrojë edhe kur artikulli është i vërtetë”, u trajtua mënyra se si titujt mund të krijojnë përshtypje çorientuese edhe kur artikujt përmbajnë fakte të sakta. Përmes shembujve dhe referencave në studime akademike, analiza shpjegon se si përzgjedhja e pjesshme e informacionit, lënia jashtë e kontekstit dhe zmadhimi i shtrirjes së një zhvillimi mund të ndikojnë në interpretimin e lexuesve.
Ndërkaq, analiza “Pse lajmet e kronikës së zezë tërheqin kaq shumë klikime?” shqyrtoi arsyet psikologjike dhe mediatike që ndikojnë në interesimin e publikut për ngjarjet tragjike. Ajo trajtoi prirjen ndaj negativitetit dhe kuriozitetin morbid, si dhe mënyrën se si këto prirje mund të shfrytëzohen për të rritur numrin e klikimeve përmes titujve që nxisin kureshtje pa dhënë informacionin kryesor.