Të fundit | Televizioni slloven nuk raportoi se Martin Berishaj është shtetas i Serbisë Të fundit | PDK s’ka paraqitur ndonjë qëndrim të ri për koalicion me LVV-në Të fundit | Manipulimet e bazuara në të vërteta Të fundit | Arrestimet për dyshime për krime lufte paraqiten pa prova si ndëshkim ndaj… Të fundit | Rishikimi i javës: Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Se… Të fundit | Keqinformatat për protestat në Shqipëri, të ndërlidhura dhe të shpërndara n… Të fundit | Pretendim i rremë se Mihali ka paralajmëruar protesta ndaj SHBA-së nëse ins… Të fundit | Narrativat paszgjedhore serbe mbi zgjedhjet e qershorit: Fitorja e Listës S… Të fundit | Narrativat serbe në përvjetorin e Rezolutës 1244 Të fundit | Pretendim i pabazë se arrestimi i drejtorëve të shkollave serbe në Kamenicë…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pretendime të pavërteta për zgjedhjet në Kosovë dhe deklarata politike

FESTIM RIZANAJ

Gjatë periudhës 8–13 qershor, monitorimi i mediave dhe platformave sociale evidentoi dominimin e teorive konspirative dhe pretendimeve të pabazuara që lidhen me zhvillimet në Kosovë, të promovuara nga media dhe zyrtarë serbë.

Gjatë periudhës së monitorimit, teoritë konspirative u promovuan kryesisht nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) dhe Lista Serbe, përmes deklaratave publike të transmetuara nga mediat serbe dhe platformat online. Këto narrativa u fokusuan në tema që lidhen me sigurinë e komunitetit serb dhe veprimet e institucioneve të Kosovës. Në një rast, ZKQS pretendoi se dëmtimi i një ambulance në Grackë të Vjetër ishte pasojë e “retorikës anti-serbe nga regjimi në Prishtinë”, pa ofruar prova që mbështesin këtë lidhje. Në një rast tjetër, ZKQS dhe Lista Serbe pretenduan se arrestimi i dy drejtorëve të shkollave serbe në Kamenicë kishte prapavijë politike dhe lidhej me zgjedhjet, ndonëse autoritetet e Kosovës njoftuan se arrestimet u kryen për dyshime mbi vepra konkrete penale dhe jo për arsye politike. Në të dy rastet, pretendimet u paraqitën pa dëshmi të verifikueshme, duke ndërtuar narrativa spekulative mbi zhvillimet në Kosovë.

Monitorimi i mediave dhe platformave sociale gjatë kësaj periudhe evidentoi përhapjen e përmbajtjeve që shtrembëronin faktet ose paraqisnin informacione të pakonfirmuara si të vërteta. Një rast i manipulimit të fakteve u identifikua në Facebook, ku faqet “V7” dhe “Kosova Channel” publikuan një video nga protestat në Tiranë duke pretenduar se protestuesit po brohorisnin “Duam Albin Kurtin”, ndërsa verifikimi tregoi se thirrja e tyre ishte “Ju erdhi fundi”. Po ashtu, u evidentua një rast i përmbajtjes së paverifikuar nga mediumi “KosovaPost.net”, i cili pretendoi se kandidatët e LDK-së, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj dhe Jeta Statovci nuk kishin fituar mandat deputeti, megjithëse numërimi i votave ende nuk kishte përfunduar. Këto raste tregojnë se informacionet e pasakta ose të paplota vazhdojnë të qarkullojnë në hapësirën online, duke krijuar perceptime të gabuara mbi zhvillimet politike dhe shoqërore.

Gjatë kësaj periudhe u evidentuan raste të përhapjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme që lidhen me zhvillimet politike në Kosovë dhe reagimet ndërkombëtare. Një dezinformatë e publikuar nga media në gjuhën ruse “politnavigator.net” pretendonte se komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, kishte uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit para përfundimit të numërimit të votave, pretendim që u vërtetua i pavërtetë, pasi urimi ishte bërë më 8 qershor, pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ. Po ashtu, një lajm i rremë i shpërndarë në Facebook i atribuonte Dejona Mihalit një deklaratë të paqenë për “ORA News” lidhur me gazin amerikan dhe protesta të mundshme kundër SHBA-së, pretendim që nuk u gjet në asnjë burim kredibil dhe u mohua edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Këto raste tregojnë qarkullimin e informacionit të fabrikuar dhe të pasaktë në hapësirën online, me potencial për të ndikuar në perceptimin publik.

Manipulim i fakteve

Një video e publikuar në Facebook nga faqet “V7” dhe “Kosova Channel” u shpërnda me pretendimin se protestuesit në Tiranë po brohorisnin “Duam Albin Kurtin”. Në pamje shihen qytetarë që po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e Zvërnecit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se protestuesit nuk po thërrisnin “Duam Albin Kurtin”, por “Ju erdhi fundi”. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin ku pretendohet se Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj dhe Jeta Statovci, të cilët ishin kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nuk kanë marrë mandatin nga votat e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Përmbajtja me këtë pretendim është publikuar të mërkurën (10 qershor) në faqen në Facebook të mediumit “KosovaPost.net”. Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ende nuk ka përfunduar. Mirëpo kjo përmbajtje, duke u bazuar në vetëm një përqindje të caktuar të rezultateve të papërfunduara, e ka paraqitur si fakt të kryer. (këtu)

Dezinformatë

Media në gjuhën ruse “politnavigator.net” ka publikuar të martën (9 qershor) një artikull me pretendimin se komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka uruar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit, para se të fillonte numërimi i votave. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve ishin publikuar nga KQZ-ja më 7 qershor dhe tregonin epërsinë e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa urimi i Marta Kos u publikua një ditë më vonë, më 8 qershor. (këtu)

Teori konspirative

Në një reagim publik, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) ka pretenduar për thyerjen e një xhami të një ambulance në Grackë të Vjetër të Lipjanit. Kjo zyrë e ka ndërlidhur rastin me “retorikë anti-serbe nga regjimi në Prishtinë”. Megjithatë, nuk ofroi asnjë fakt apo dëshmi që e mbështet këtë pretendim. Edhe raportimet mediale flasin për autorë të panjohur, ndërsa Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende informacione për motivin e incidentit. (këtu)

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) dhe Lista Serbe pretenduan se arrestimi i dy drejtorëve të shkollave serbe në Kamenicë ishte i motivuar politikisht dhe lidhej me rezultatin e zgjedhjeve. Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, ata u arrestuan nën dyshimin për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”. Informacionet zyrtare nuk tregojnë ndonjë lidhje mes arrestimit dhe procesit zgjedhor, prandaj pretendimet e ZKQS-së dhe Listës Serbe nuk mbështeten nga faktet e publikuara deri më tani. (këtu)

Lajm i rremë

Në Facebook është shpërndarë një përmbajtje ku i atribuohet Dejona Mihalit një deklaratë e pretenduar për “ORA News” lidhur me gazin amerikan dhe protesta të mundshme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hibrid.info ka verifikuar se kjo deklaratë nuk gjendet në “ORA News”, në asnjë medium tjetër, e as në Google. Ajo nuk mbështetet në burime kredibile. Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka mohuar këtë pretendim përmes zëdhënësit të saj. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere