Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin “Merret vendim / 500€ për secilin qytetarë, dalin me 1 janar”.
Përmbajtja u publikua të dielën (1 nëntor), në Facebook nga faqja me emrin “Prishtina City”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Përmbajtjes i mungon konteksti i plotë, pasi në titull dhe imazh nuk specifikohet vendndodhja e ngjarjes.
Për më tepër, artikulli përmban informacione të përziera për Luksemburgun dhe Malajzinë, duke krijuar paqartësi rreth shtetit që pretendohet se ka marrë vendimin për ndarjen e ndihmës financiare. Ndërkaq, shuma dhe mënyra e dhënies së ndihmës së përmendur në artikull nuk përputhen me programin real të Malajzisë.

Faqja që ka publikuar postimin numëron mbi 400 mijë ndjekës, shumica e të cilëve janë shqipfolës (shih këtu).
Postimit i është bashkangjitur një artikull i publikuar në një portal të dyshimtë, që ka si titull mbishkrimin e këtij postimi (shih këtu).
Ndryshe nga titulli, në kreun e artikullit jepet vendndodhja e lajmit, kur thuhet se: “Qeveria e Luksemburgut ka njoftuar një vendim të jashtëzakonshëm ekonomik, duke aprovuar ndarjen e një mbështetjeje financiare prej 500 eurosh për çdo qytetar që ka mbushur moshën 18-vjeçare në janar të këtij viti.”
Mw pas vërehet një mospërputhje në përmbajtjen e artikullit, pasi në hyrje pretendohet se vendimi është marrë nga Qeveria e Luksemburgut, ndërsa në pjesën përmbyllëse të tij përmendet Malajzia dhe kryeministri i këtij shteti, Anwar Ibrahim.
Teksti pretendon se ndihma financiare synon të lehtësojë barrën ekonomike të qytetarëve dhe të shënojë në mënyrë simbolike festën kombëtare.
Më tej, thuhet se vendimi është pritur pozitivisht nga qytetarët, ndërsa analistët vlerësojnë se kjo nismë mund të ndikojë në rritjen e fuqisë blerëse.
Hibrid.info ka hulumtuar për pretendimet në fjalë. Ato janë verifikuar përmes chatbotëve të inteligjencës artificiale “Google Gemini” dhe “ChatGPT” (shih këtu dhe këtu).
Rezultatet nga kërkimi në “Google Gemini” i vlerëson pretendimet e rreme për të dy shtetet.
Ndërsa ChatGPT ka dhënë përgjigje ku thotë se Ministrisë së Financave të Malajzisë, më 9 shkurt 2026, qeveria e këtij shteti ka nisur shpërndarjen e një ndihme financiare të njëhershme prej 100 ringitësh malajzianë (rreth 22 euro) për të gjithë qytetarët e moshës 18 vjeç e lart, përmes programit “Sumbangan Asas Rahmah (SARA) Untuk Semua”.
Në rezultatet nga ky kërkim është gjeneruar edhe vegëza e vendimit të Qeverisë së Malajzisë, ku konfirmohet përgjigja e ChatGPT (shih këtu).
Pra, bazuar në këto gjetje, përveç mungesës së kontekstit të plotë në titull, përmbajtja e artikullit është e shtrembëruar, pasi ndërthur informacione për dy shtete të ndryshme dhe paraqet si vendim të Qeverisë së Luksemburgut një ndihmë financiare që në fakt lidhet me një program të Qeverisë së Malajzisë, me shumë dhe kushte krejtësisht të ndryshme nga ato që pretendohen në titull.
Analiza
Publikimi paraqet pretendimin se është marrë vendim për ndarjen e nga 500 eurove për secilin qytetar, pa specifikuar në titull dhe imazh vendndodhjen e ngjarjes.
Megjithatë, në artikull vërehet një mospërputhje, pasi në fillim pretendohet se vendimi është marrë nga Qeveria e Luksemburgut, ndërsa në pjesën përmbyllëse përmendet Malajzia dhe kryeministri i këtij shteti, Anwar Ibrahim.
Hulumtimi i Hibrid.info ka gjetur se ndihma financiare e përmendur lidhet me një program real të Malajzisë, përmes të cilit është ndarë një shumë prej 100 ringitësh malajzianë (rreth 22 euro), e jo 500 euro. Ndërkaq, nuk janë gjetur dëshmi për vendimin e pretenduar të Qeverisë së Luksemburgut.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.