Të fundit | Osmani nuk e përmendi Radoiçiqin në deklaratën për Hotin Të fundit | Titull çorientues: Pretendohet se Kosova do të mbetet pa rrymë në një datë… Të fundit | Nurmagomedov nuk ka deklaruar se është shqiptar, “Albania Kaukaziane” nuk k… Të fundit | Adriatik Kelmendi nuk është arrestuar Të fundit | Në imazhin e gjeneruar me IA, Kurti paraqitet në një ngjarje ku nuk mori pj… Të fundit | Hibrid.info pjesë e diskutimeve për integritetin e informacionit dhe zbatim… Të fundit | Fotografia e një ushtari estonez është përdorur për ta paraqitur si pjesëta… Të fundit | Mediumi rus pretendon rrejshëm se në Kosovë po bëhet rekrutim masiv i terro… Të fundit | Titulli nuk e specifikon shtetin, ndërsa artikulli pretendon pa fakte se Ho… Të fundit | Interneti po mbushet me përmbajtje të pavlerë të gjeneruar nga inteligjenca…
[ ARTIKULLI ]

Titull çorientues: Pretendohet se Kosova do të mbetet pa rrymë në një datë të caktuar, por një ndërprerje e tillë nuk është paralajmëruar si e sigurt

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Titulli pretendon se Kosova do të mbetet pa rrymë, por ndërprerja e energjisë nuk është konfirmuar dhe nuk ka datë të caktuar.

Përmes një artikulli të publikuar në disa faqe në Facebook, pretendohet se e tërë Kosova do të mbetet pa energji elektrike dhe se kjo pritet të ndodhë në një kohë të caktuar (shih këtu, këtu dhe këtu).

Ky pretendim paraqitet me titullin “Tërë Kosova do të mbetet në terr – Ja kur pritet të ndodhë kjo”.

Çka nuk shkon me pretendimin?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se përmbajtja e artikullit nuk e mbështet një pretendim të tillë. Artikulli u referohet deklaratave të kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Xhelal Jashari, të bëra gjatë protestës së punëtorëve të kësaj korporate, më 12 nëntor 2026.

Gjatë protestës, punëtorët shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me pagat dhe kushtet e punës, ndërsa paralajmëruan mundësinë e përshkallëzimit të protestave në grevë, nëse kërkesat e tyre nuk adresohen (shih këtu dhe këtu).

Mospërputhja kryesore qëndron te mënyra se si titulli e paraqet deklaratën e sindikalistit.


Çfarë tregojnë faktet?

Në një raportim të publikuar nga Telegrafi.com, Jashari citohet të ketë thënë se sindikata do t’i drejtohet ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me kërkesë për takim.

Ai ka deklaruar:

“Unë besoj fuqishëm, sot do t’iu drejtohemi ministres Artane Rizvanolli me kërkesë për takim. Nëse nuk ka takim, e tërë Kosova do të jetë në terr”.

Nga vetë deklarata kuptohet se paralajmërimi i Jasharit është i kushtëzuar me mosrealizimin e takimit me ministren e Ekonomisë.

Pra, titulli e paraqet paralajmërimin si një ngjarje të pritshme, duke lënë të kuptohet se ndërprerja e energjisë elektrike është e konfirmuar.

Më tej, pjesa “Ja kur pritet të ndodhë kjo” krijon përshtypjen se ekziston një datë ose afat konkret për ndërprerjen e energjisë elektrike.

Në një raportim të publikuar nga KOHA.net, më 12 nëntor 2026, Xhelal Jashari ka folur më konkretisht për pasojat e mundshme të një greve në KEK.

Sipas deklarimeve të tij, në rast të grevës, kapaciteti i turbinave mund të reduktohej në rreth 30 për qind, në mënyrë që të sigurohej funksionimi i aseteve jetike të shtetit. Po ashtu, ai ka thënë se prodhimi i qymyrit do të ndërpritej, ndërsa furnizimi do të vazhdonte përkohësisht nga rezervat në depo, të cilat mund të zgjasnin nga 15 ditë deri në një muaj.

Këto deklarime tregojnë se sindikata ka paralajmëruar pasoja të mundshme në prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike në rast të grevës, por nuk konfirmojnë se e tërë Kosova do të mbetet pa energji elektrike.


Analiza

Pretendimi i paraqitur përmes titullit është çorientues. Deklarata e Xhelal Jasharit është kushtëzuar me mosrealizimin e një takimi me ministren e Ekonomisë, ndërsa artikulli nuk ofron asnjë datë konkrete për ndërprerjen e energjisë elektrike.

Për më tepër, deklarimet e mëvonshme të Jasharit për pasojat e mundshme të një greve flasin për reduktim të kapaciteteve të prodhimit, e jo për ndërprerje të plotë të energjisë elektrike në tërë Kosovën.

Prandaj, titulli krijon një përshtypje alarmuese dhe të pambështetur nga përmbajtja e artikullit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson përmbajtjet e publikuara në Facebook si “Clickbait”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere