“13 vjet për vrasjen e Xhemajl Mustafës janë pak. Shumë pak. Por një gjë ka rëndësi: më në fund drejtësia foli edhe për ta.”
Ky është mbishkrimi i një postimi të publikuar të mërkurën (16 shtator) në Facebook, nga faqet me emrat “Dr.Ibrahim Rugova – Na Mungon” dhe “Me Shqiperin”.
Postimi përmban edhe imazhin ku shfaqet Xhemail Mustafa, veprimtari i vrarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së).
Cila është e vërteta?
Marrë parasysh faktin se ky publikim është bërë në ditën kur u shpall aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët u gjetën fajtorë për krime lufte nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, formulimi i këtij postimi mund të krijojë përshtypjen se Rexhep Selimi, i cili u dënua me 13 vjet burgim, është dënuar edhe për vrasjen e Xhemajl Mustafës.
Megjithatë, vrasja e Xhemail Mustafës vazhdon të mbetet e pazbardhur dhe nuk është pjesë e aktgjykimit të 16 shtatorit.

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja e publikuar në faqen “Dr. Ibrahim Rugova – Na Mungon”, e cila ka mbi 267 mijë ndjekës, ka marrë më shumë se 1 mijë e 600 pëlqime.
Ndërsa postimi në faqen ”Me Shqiperin” ka mbi 170 pëlqime. Faqja në fjalë ka mbi 21 mijë ndjekës.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google”, me fjalët kyçe “xhemail mustafa” (shih këtu). Rezultatet nga kërkimi kanë shfaqur artikuj që shënojnë datën 23 nëntor të vitit 2000, si data e vdekjes së ish-veprimtarit të LDK-së (shih këtu dhe këtu).
Të mërkurën (16 shtator), trupi gjykues i Gjykatës Speciale me seli në Hagë, shpalli fajtorë ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime lufte.
Për të vërtetuar nëse të akuzuarit janë gjetur fajtor për Xhemail Mustafës, hibrid.info ka kontrolluar dhe analizuar dokumentin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (shih këtu).
Dokumenti tregon se Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim secilin, Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13.
Pra, ndonëse në përmbajtjet e trajtuara nuk përmendet emri i Rexhep Selimit, dënimi me 13 vjet burgim i referohet atij, duke krijuar përshtypjen se dënimi i tij lidhet me vrasjen e Xhemajl Mustafës.
Sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, periudha që mbulon veprat për të cilat u zhvillua dhe u dha aktgjykimi në rastin Thaçi dhe të bashkëakuzuarve është nga të paktën prilli 1998 deri 20 qershor 1999.
Prandaj, pretendimi se Rexhep Selimi apo të akuzuarit e tjerë janë dënuar me burgim për vrasjen e Xhemajl Mustafës është i pasaktë.
Në hulumtimin nëse ekziston ndonjë provë apo vendim gjyqësor që vërteton se Rexhep Selimi ka kryer ose ka urdhëruar vrasjen e Xhemajl Mustafës, hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë dokument zyrtar që e dëshmon një gjë të tillë. Në burimet e shqyrtuara janë gjetur vetëm raportime mediatike që kanë ngritur dyshime për përfshirjen e tij (shih këtu).
Analiza
Një postim i publikuar në Facebook më 16 shtator, me imazhin e Xhemajl Mustafës dhe mbishkrimin se “13 vjet për vrasjen e Xhemajl Mustafës janë pak”, krijon përshtypjen se dënimi me 13 vjet burgim i Rexhep Selimit, referohet vrasjes së tij.
Verifikimi dëshmon se Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, por aktgjykimi i 16 shtatorit nuk e përfshin vrasjen e Xhemajl Mustafës. Sipas dokumentit të aktgjykimit, veprat e shqyrtuara lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa Mustafa u vra më 23 nëntor 2000.
Ndërkohë, në hulumtimin për ekzistencën e ndonjë prove ose vendimi gjyqësor që vërteton përfshirjen e Rexhep Selimit në vrasjen e Xhemajl Mustafës, nuk është gjetur ndonjë dokument zyrtar që e dëshmon një gjë të tillë. Në burimet e shqyrtuara janë gjetur vetëm raportime mediatike që kanë ngritur dyshime për përfshirjen e tij.
Andaj, sipas metodologjisë së punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen në fjalë si “Dezinformatë” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.