Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë periudhës 24–29 nëntor 2025, mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u dominuan nga dezinformata, të cilat formuan pjesën kryesore të sferës së keqinformimit në këtë periudhë.
Gjatë kësaj periudhe, dezinformatat u përhapën kryesisht në Facebook, Threads dhe media të huaja, duke krijuar konfuzion të konsiderueshëm në opinion. Në rrjetet sociale qarkulloi pretendimi i rremë se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Dimal Basha po festonin me ambasadorin amerikan, por verifikimi tregoi se në foto gjendej ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, në një ngjarje zyrtare të ambasadës shqiptare, ndërkohë që SHBA aktualisht nuk ka ambasador në Kosovë. Një medium rus publikoi një tjetër dezinformatë, duke pretenduar se ish-krerët e UÇK-së kanë kryer vrasje të serbëve, ndonëse ndaj tyre nuk ka ende aktgjykim përfundimtar dhe ata konsiderohen të pafajshëm deri në vendim. Po ashtu, një fotografi e shpërndarë online pretendonte se James Rubin kishte marrë pagesa të larta nga Qeveria e Kosovës për të lobuar për ndarjen e vendit. Megjithatë, Rubin, gjatë dëshmisë në Hagë, e mohoi këtë pretendim dhe sqaroi se kontrata e lobimit nuk kishte lidhje me përmbajtjen e dëshmisë së tij dhe se ai nuk ka përmendur asnjëherë lobim për “ndarjen e Kosovës”.
Në kategorinë e lajmeve të rreme, TikTok u shndërrua në burimin kryesor të pretendimeve të fabrikuara, veçanërisht përmes videove me audio të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Një prej tyre i atribuon rrejshëm një deklaratë analistit amerikan David Kanin, duke pretenduar se ai kishte kritikuar ashpër Albin Kurtin. Megjithatë, verifikimi tregoi se Kanin nuk ka dhënë kurrë një deklaratë të tillë dhe nuk ekziston asnjë burim kredibil që e mbështet këtë pretendim. Në një rast tjetër, u shpërnda në TikTok një video që pretendon se një raport i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e quan “Qeverinë Kurti më të korruptuarën në historinë e Kosovës”. Analiza e publikimit nga llogaria “newsilir” tregon se pamjet dhe dokumentet janë të shkëputura nga kontekste të tjera, ndërsa raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023 nuk përmban asnjë vlerësim të tillë krahasues. Për më tepër, audioja e videos rezultoi të jetë e gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Në kategorinë e mashtrimeve, më 23 dhe 24 nëntor dy faqe në Facebook publikuan video të krijuara me inteligjencë artificiale, ku një person me mikrofon pyeste qytetarë të supozuar mërgimtarë nëse do të vinin të votonin më 28 dhjetor, ndërsa disa prej tyre “deklaronin” se do të mbështesnin Albin Kurtin. Verifikimi nga hibrid.info konfirmoi se këto pamje nuk ishin reale dhe se qytetarët e paraqitur nuk ekzistonin, duke e bërë të qartë manipulimin e opinionit publik përmes përmbajtjes së gjeneruar me IA. Ndërkohë, në sferën e teorive konspirative, media serbe “Novosti” publikoi një artikull që pretendon, pa asnjë provë, se në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të shtoheshin presionet dhe incidentet ndaj komunitetit serb nga ana e Qeverisë së Kosovës. Këto pretendime paraqiten si fakte, megjithëse bazohen vetëm në opinione të analistit serb Sërgjan Graovac, i cili nuk ofron asnjë të dhënë apo burim që i mbështet ato, duke i kthyer këto narracione në konspiracione të pastra që synojnë krijimin e tensioneve politike dhe ndëretnike.
Mashtrim
Më 23 dhe 24 nëntor, dy faqe në Facebook publikuan video ku shfaqej një person me mikrofon që pyeste qytetarët mërgimtarë nëse do të vijnë dhe të votojnë më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Në videot, disa qytetarë dukeshin duke deklaruar se do të votojnë për Albin Kurtin. Megjithatë, pas verifikimit nga hibrid.info, është konfirmuar se këto video janë gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe nuk pasqyrojnë situatën reale. (këtu)
Lajm i rremë
Në TikTok është publikuar një deklaratë që ia atribuohej rrejshëm David Kaninit, duke pretenduar se ai kishte kritikuar ashpër Albin Kurtin. Pas verifikimit, del se Kanin nuk ka dhënë kurrë një deklaratë të tillë. Kërkimet online me citatin e plotë, me pjesë të tij dhe me emrat “David Kanin Albin Kurti” nuk gjetën asnjë burim kredibil që e mbështet pretendimin. Artikujt relevantë të Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës nuk përmbajnë asgjë që lidhet me citatin e shpërndarë në TikTok. (këtu)
Pretendimi se një raport i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se “Qeveria Kurti është më e korruptuara në histori të Kosovës” është i rremë. Publikimi nga “newsilir” në TikTok përmban pamje të ngjarjeve të mëhershme dhe shfaq imazhe nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën për vitin 2023 sa u përket të drejtave të njeriut. Në asnjë rast aty nuk bëhet krahasimi se cila ka qenë “qeveria më e korruptuar”. Për këtë pretendim nuk janë gjetur as lajme në media kredibile. Po ashtu, pas verifikimit të fakteve është gjetur se audioja në publikim është gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)
Teori konspirative
Media serbe “Novosti” ka publikuar një artikull përmes së cilit pretendon pa asnjë bazë se janë shtuar ose do të shtohen “presionet, provokimet dhe incidentet” në mesin e komunitetit serb të Kosovës nga ana e Albin Kurtit dhe Prishtinës zyrtare në prag të zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit. Ky medium, këtë pretendim e publikon si fakt në titull dhe nëntitull, ndonëse më poshtë tregohet se këto janë vetëm opinione të “historianit dhe analistit” serb, Sërgjan Graovac. Ky i fundit, gjithnjë sipas artikullit, nuk ofron asnjë të dhënë që e mbështet një pretendim të tillë. (këtu)
Dezinformatë
Në Facebook dhe Threads u publikua pretendimi i rremë se Kurti, Osmani dhe Basha shihen në fotografi duke cakërruar gotat me ambasadorin amerikan. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se personi në fotografi është ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Fotografia është realizuar në një ngjarje të ambasadës së Shqipërisë për 113-vjetorin e Pavarësisë. Po ashtu, ShBA-ja aktualisht nuk ka ambasador fuqiplotë në Kosovë, ndërsa detyrën e të Ngarkuarës me Punë e ushtron Anu Prattipati. (këtu)
Një medium në gjuhën ruse ka pretenduar se ish-krerët e UÇK- që po gjykohen në Hagë kanë vrarë serbë. Ky pretendim është bazuar në dyshimet në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar në Hagë, ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit. Megjithatë, për akuzat nuk ka ende një aktgjykim, andaj deri në një vendim përfundimtar, të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm. (këtu)
Publikohet një fotografi me mbishkrimin që pretendon se James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorisë, gjatë dëshmisë në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, ka pranuar se ka marrë 52 mijë dollarë në muaj, për dy vjet rresht, gjatë viteve 2018-2020, me para të buxhetit të Kosovës, që të lobohet për ndarjen e Kosovës. Rubin ka pranuar se ishte nënshkruar një kontratë në mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë se lobimit ku ai kishte punuar, gjatë kohës sa ishte president Thaçi, por ai ka mohuar se ky fakt të ketë ndikuar në dëshminë e tij. Rubin nuk ka përmendur çështjen e lobimit për “ndarjen e Kosovës”. (këtu)



