Një artikull i publikuar më 6 gusht 2026 nga mediumi serb SD.rs për filmin kosovar “Dua” të regjisores Blerta Basholli ndërton një narrativë që shkon përtej kritikës filmike. Përmes titullit dhe përzgjedhjes së pretendimeve, filmi paraqitet si projekt propagandistik që synon ta portretizojë Serbinë si “pushtuese” dhe shqiptarët vetëm si viktima. Megjithatë, faktet e verifikueshme tregojnë se disa prej këtyre përfundimeve janë interpretime politike dhe jo fakte të provuara.

Nga “Dua” te Dua Lipa: pretendimi për një “strategji marketingu”
Një nga pretendimet kryesore të SD.rs është se titulli “Dua” është zgjedhur për të shfrytëzuar famën e këngëtares Dua Lipa dhe për të tërhequr vëmendjen e fansave të saj. Artikulli e paraqet këtë si një strategji të qëllimshme marketingu.
Megjithatë, nuk paraqitet asnjë dëshmi nga producentët apo regjisorja që e mbështet këtë pretendim. Burimet zyrtare të filmit e identifikojnë “Dua”-n si emrin e protagonistes, një vajzë 13-vjeçare nga Prishtina.
Ideja dhe rrëfimi i filmit
“Dua” është një dramë e rritjes dhe e luftës, e vendosur në Prishtinën e fundit të viteve ’90. Filmi ndjek 13-vjeçaren Dua, e interpretuar nga Pinea Matoshi, e cila përpiqet të përjetojë adoleshencën ndërsa rreth saj rriten tensionet etnike dhe kërcënimi i luftës. Pas një incidenti që trondit komunitetin, ajo bëhet vetë objektiv dhe krijon një lidhje me Makin, një vajzë më të guximshme që e shtyn drejt një forme të pazakontë rezistence.
Ideja qendrore e filmit nuk është të tregojë luftën vetëm përmes betejave, politikës apo institucioneve, por ta shfaqë atë përmes përvojës së një adoleshenteje: ndryshimit të trupit, miqësive, dashurisë së parë, dëshirës për liri dhe frikës që gradualisht depërton në jetën e përditshme. Lufta shfaqet fillimisht si një prani në sfond dhe më pas bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e jetës së personazhit.
Regjisorja Blerta Basholli, e cila e ka përjetuar vetë luftën si adoleshente, e ka ndërtuar filmin mbi këtë perspektivë personale. Kjo e shpjegon edhe fokusin e ngushtë të rrëfimit: “Dua” nuk synon të jetë një histori gjithëpërfshirëse e konfliktit, por një rrëfim intim mbi mënyrën se si lufta ndikon te një vajzë e re dhe te brezi i saj.
Filmi është bashkëprodhim i Kosovës, Zvicrës dhe Francës, ndërsa skenari është shkruar nga Basholli dhe Nicole Borgeat. Gjuha e filmit është shqip dhe serbisht, ndërsa krahas Pineas Matoshit në kast janë Vlera Bilalli, Kaona Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha dhe të tjerë.

“Serbët paraqiten vetëm si agresorë” dhe pretendimi për “pushtimin”
SD.rs mbështetet në disa skena të dhunës dhe diskriminimit në film për të pretenduar se serbët paraqiten vetëm si agresorë, ndërsa e cilëson edhe përdorimin e termit “pushtim serb” si falsifikim historik. Filmi vërtet paraqet policinë serbe dhe disa personazhe serbe në kontekstin e dhunës dhe frikës që përjeton familja e Duas, por nga kjo nuk mund të nxirret automatikisht përfundimi se të gjithë serbët paraqiten si agresorë. Po ashtu, përdorimi i termit “pushtim” është pjesë e një diskursi politik dhe historik të debatueshëm dhe nuk mund të trajtohet thjesht si provë se filmi po falsifikon historinë.
Votimet negative në IMDb
Aktori Fatmir Spahiu ka ngritur shqetësimin se filmi është përballur edhe me votime negative të organizuara në IMDb, si pjesë e sulmeve online ndaj tij. Nëse këto votime janë të koordinuara, ato mund të konsiderohen si një formë e ndërhyrjes informative dhe e luftës hibride, me synim ndikimin në perceptimin publik të filmit.
Suksesi në Kanë dhe rruga drejt Oscarit
“Dua” pati premierën botërore në La Semaine de la Critique në Festivalin e Kanës në maj 2026 dhe fitoi Çmimin SACD për skenarin/regjinë.
Më pas, filmi u përzgjodh nga komiteti kosovar si propozimi i Kosovës për kategorinë International Feature Film në edicionin e 99-të të Academy Awards.
Në këtë kontekst, narrativat që e paraqesin “Dua”-n si një projekt të kalkuluar për të manipuluar audiencën ndërkombëtare duhet të dallohen nga faktet mbi filmin, idenë e tij dhe rrugëtimin e tij në festivalet ndërkombëtare.