Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull i titulluar “EKSKLUZIVE – Matja e fundit ndërkombëtare: Mbështetje rekord për Vjosa Osmani, 72% e qytetarëve shumë të kënaqur me punën e saj”.
Kjo përmbajtje është publikuar të martën (24 shkurt) në portalin me domenin “nminut.info”.
Problemi me këtë përmbajtje?
Artikullit i mungon transparenca metodologjike, burimi i identifikueshëm, të dhëna statistikore bazë dhe saktësia numerike.
Pra në këtë mënyrë, përmbajtja nuk përmbush standardet të raportimit profesional për sondazhe politike.

I njëjti pretendim është publikuar si postim me imazh, edhe në faqen në Facebook të këtij mediumi (shih këtu).

Në brendësi të artikullit pretendohet se në një matje të fundit ndërkombëtare të opinionit publik e realizuar më 18–20 shkurt 2026 tregon mbështetje rekord për Vjosa Osmani. Raporti thotë se 72% e qytetarëve janë “shumë të kënaqur” me punën e Osmanit si presidente, 12% nuk janë “aspak të kënaqur”, ndërsa 6% nuk kanë mendim.
Tutje aty thuhet se ka pasur rritje të dukshme të besimit qytetar ndaj institucionit të Presidencës gjatë dy muajve të fundit. Sipas këtij artikulli, nëse presidenti do të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli, 56% do ta votonin sërish Vjosa Osmanin.
Ndërsa 84% e të anketuarve, kundrejt 26%, mendojnë se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë Osmanin për një mandat të ri presidencial.
Në tekst pretendohet gjithashtu se ky sondazh është realizuar nga një institut ndërkombëtar i specializuar dhe përfshin një kampion të gjerë nga të gjitha rajonet e Kosovës.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
A i plotëson ky publikim këto kritere?
Përmbajtjes së trajtuar i mungojnë të gjitha informatat e nevojshme, që të konsiderohet sondazh i besueshëm.
Artikulli nuk e ka publikuar emrin e institutit që e ka realizuar sondazhin dhe nuk jep asnjë informacion për sponsorin apo porositësin e tij.
Në përmbajtje thuhet se kampioni përfshin qytetarë nga të gjitha rajonet e Kosovës, por nuk jepen të dhëna për përbërjen demografike (moshë, gjini, përkatësi etnike, nivel arsimor etj.).
Aty gjithashtu nuk specifikohet nëse intervistat janë realizuar me telefon, online apo ballë për ballë dhe nuk jepet informacion për metodën e përzgjedhjes së mostrës (random, probabilitare, panel online etj.).
Artikulli specifikon se matja është realizuar mes 18 dhe 20 shkurtit 2026, por nuk tregon numrin e të anketuarve, marzhin e gabimit apo nivelin e besueshmërisë statistikore.
Pyetjet nuk janë publikuar të plota dhe nuk jepet formulimi i saktë i tyre, prandaj nuk mund të analizohet neutraliteti i tyre.
Madje, në një paragraf thuhet se 84% janë pro që LVV ta propozojë Osmanin me 26% kundër. Këto shifra bashkë bëjnë 110%, çka tregon gabim matematikor ose redaktorial.
Hibrid.info ka kontrolluar me anë të makinës së kërkimit “Google” me fjalët “sondazh opinioni publik për vjosa osmanin”, por nuk ka hasur në asnjë burim kredibil të informacionit që të ketë publikuar një matje të tillë (shih këtu).
Sondazhi i fundit kredibil i publikuar gjatë vitit 2024 që mat perceptimin e qytetarëve për punën e presidentes është ai i realizuar nga United Nations Development Programme (UNDP) në kuadër të edicionit të 26-të të Public Pulse Brief. Ky sondazh, i zhvilluar nga 17 prilli deri më 7 maj 2024 me 1,306 respondentë nga të gjitha komunat e Kosovës, tregonte se 69% e të anketuarve ishin të kënaqur me punën e presidentes, duke ofruar një pasqyrë të matshme dhe metodologjikisht të dokumentuar mbi perceptimin publik për këtë institucion gjatë vitit 2024 (shih këtu).
Analiza:
Është publikuar një artikull që pretendon se paraqet rezultatet e një “matjeje të fundit ndërkombëtare” për mbështetjen ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke raportuar përqindje të larta të kënaqshmërisë dhe mbështetjes qytetare.
Mirëpo, bazuar në trajtimin nga hibrid.info, ky publikim nuk është i besueshëm, pasi i mungojnë elementet thelbësore të transparencës metodologjike pasi nuk identifikon institucionin që e ka realizuar sondazhin, nuk bën të ditur sponsorin, nuk specifikon madhësinë e mostrës, marzhin e gabimit, nivelin e besueshmërisë statistikore apo mënyrën e përzgjedhjes së respondentëve.
Hibrid.info gjithashtu nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që konfirmon ekzistencën e kësaj matjeje të pretenduar, çka e bën informacionin të paverifikueshëm dhe të dyshimtë. Për më tepër, raportimi përmban edhe mospërputhje numerike, duke e cenuar saktësinë e pretendimeve.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.