Shkroi: Fatbardh Dema
Mediat në Serbi kanë publikuar disa deklarata të cilat pretendojnë se janë bërë nga një shqiptar me nofkën “Kasapi”, e i cili pretendojnë se ka qenë i përfshirë të ashtuquajturin proces të heqjes së organeve në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në Burrel të Shqipërisë nga qershori 1999 deri në maj të vitit 2000.
Madje thonë se i njëjti ka qenë pjesë e “njësitit special të UÇK-së, ‘Tigrat’”.
Sipas shkrimeve të publikuara në disa prej mediave në gjuhën serbe, si “Pink.rs” e “Kurir.rs”, ky person, i cili nuk përmendet me emër, por vetëm me nofkë, pretendohet se ka folur në një emision të televizionit “Pink”, por që nga kërkimet online që ka bërë Hibrid.info, nuk është gjetur askund emisioni në fjalë, si video të cilit i referohen mediat e lartcekura (“Jutro sa dušom”).
Pretendohet se ai e ka identifikuar veten si “kasap” në këtë proces të pretenduar.
“’MË QUAJTËN KASAPI, SEPSE I KAM PRERË MIRË SERBËT’– Një rrëfim i tmerrshëm nga një shqiptar për trafikimin e organeve në Shtëpinë e verdhë! Një zemër vlente 300,000 marka, gjaku shitej me litra!”, është titulli i vendosur nga media “Pink” për këtë pretendim.
Po ashtu, edhe “Kurir” ka publikuar këtë pretendim me një titull të ngjashëm: “”MË QUAJTËN KASAPI, SEPSE I PREJA MIRË SERBËT” Rrëfimi i tmerrshëm i një shqiptari që hoqi organe në Shtëpinë e verdhë: Ai preu brinjë me këtë bajonetë, ZEMRA ISHTE 300,000 MARKA”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pretendimi për ekzistencën e “Shtëpisë së bardhë”
Në vitin 2015, portali “Telegrafi.com” ka publikuar një artikull duke iu referuar një raportimi të gazetës “Koha Ditore”, ku thuhet se “Hetimet e zhvilluara në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në një fshat afër Burrelit në Shqipërinë Veriore nuk kanë mundur të vërtetojnë pretendimet se në këtë shtëpi janë hequr veshka të njerëzve për qëllime tregtie”.
“Një raport i marsit të vitit 2004 i hartuar nga pesë ekspertë ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës dhe Kombeve të Bashkuara të cilin e ka siguruar gazeta “Koha Ditore” thotë se bazuar në ekzaminimet tona, nuk ka dëshmi bindëse se është derdhur gjak në këtë shtëpi si rezultat i akteve kriminale”.
“Bazuar në ekzaminimet tona, për mendimin tonë nuk ka dëshmi bindëse se personat kanë derdhur gjak si rezultat i akteve kriminale në shtëpinë në jugperëndim të Burrelit të Shqipërisë”, thuhet në raport”, citon Telegrafi shkrimin e “Kohës Ditore”.
Gjithashtu, një raport i publikuar në gazetën serbe “Danas” në vitin 2014, citonte një raport të ish-kryeprokurorit të Ekipit Special për Hetimin e Trafikimit të Organeve Njerëzore gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, përmes së cilit hidhej poshtë pretendimi për ekzistimin e të ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”.
“Nuk ka prova për trafikim organesh njerëzore në Kosovë, krim të organizuar ose përgjegjësi komanduese të selisë qendrore të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, citonte gazeta serbe raportin e Williamsonit, duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel.
“Në kontekstin e mungesës së provave për trafikimin e organeve, vlerësohet se kjo pjesë specifike e raportit të Raportuesit Special të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbi bazën e së cilës u nis hetimi i Williamsonit, ishte ‘shumë e dobët’”, thuhej ndër të tjera në këtë artikull.
Pra, në bazë të dy raporteve të sipërcituara, pretendimi për ekzistimin e një të ashtuquajture “shtëpi e verdhë” në të cilën janë bërë heqje të organeve të njerëzve, është i pabazë.
Gjithashtu, edhe pretendimi se personi i cili citohet në artikujt e mediave serbe, “Pink” dhe “Kurir” ka qenë pjesëtar i “njësitit special të UÇK-së, ‘Tigrat’”, nuk del të jetë i qëndrueshëm, kjo pasi që në kërkimet online që ka bërë platforma Hibrid.info, nuk ka gjetur që një njësit me këtë emër të ketë ekzistuar në kuadër të UÇK-së. I vetmi më i përafërt për këtë emërtim është njësiti “Tigrat e Zi”.
Çështja e të ashtuquajturës “shtëpi e verdhë” është trajtuar në vitin 2010 edhe në emisionin “Opinion” në televizionin shqiptar “Klan”.
Aty ka folur prokurori i atëhershëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje, Arben Dyla.
Sipas deklarimit të Dylës, më 4 shkurt të vitit 2004, ai, në detyrën e prokurorit të Matit, kishte shoqëruar përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës për të verifikuar të ashtuquajturën “shtëpinë e verdhë” në fshatin Rripë.
Ndonëse në raportin e Dick Martyt pretendohet se në “shtëpinë e verdhë” grupi i ekspertëve ka gjetur shiringa, pajisje mjekësore dhe një aparat për transfuzionin e gjakut, prokurori Dyla i mohoi kategorikisht këto pretendime, duke thënë se “janë gjendur vetëm dy flakonë peniciline në plehrat e banesës”.
“Kam pyetur familjarët në lidhje me këto flakonë si të penicilinës, më thanë se janë medikamente të përdorura nga ana e tyre. Kurizitetit të grupit të ekspertëve se si ka mundësi që këto mbetje spitalore janë pranë një banese, familjarët iu përgjigjën se në fshatin Rripë nuk kishte qendër shëndetësore, pra banorët i blejnë medikamentet nëpër farmaci dhe vijnë mjekë ose ndihmës-mjekë dhe i kryejnë shërbimet nëpër banesa”, ka thënë Dyla.
Sipas tij, “nga verifikimet e deritanishme, nuk ka të dhëna se kjo shtëpi ka shërbyer si burg” (këtu).
Analiza
Pretendimi i mediave në gjuhën serbe se ka ekzistuar një e ashtuquajtur “shtëpi e verdhë” në Burrel të Shqipërisë, ku gjatë luftës në Kosovë është bërë trafikim me organe të njerëzve, nuk është i bazuar në fakte.
Mediat serbe “Pink” dhe “Kurir” kanë publikuar disa deklarata që pretendojnë se janë bërë nga një shqiptar për të cilin pretendojnë se ka qenë pjesë e një njësiti special të UÇK-së, të quajtur “Tigrat”.
Për personin në fjalë, të cilin e identifikojnë vetëm me nofkë “Kasapi”, por pa emër e mbiemër, thonë se ka qenë pjesë e ekipit që ka kryer heqje të organeve nga trupat e qytetarëve serbë në atë shtëpi.
Por, janë dy raporte ndërkombëtare që janë publikuar pas luftës në Kosovë, të cilët hedhin poshtë pretendimet se në shtëpinë në fjalë janë bërë heqje të organeve njerëzore.
Gjithashtu, edhe Prokurori i asaj kohe i Rrethit Gjyqësor Lushnje, Arben Dyla, i ka hedhur poshtë pretendimet për ekzistimin e një burgu të UÇK-së në atë shtëpi.
Prandaj, në bazë të metodologjisë së punës së hibrid.info, ky artikull vlerësohet si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.