Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Teori konspirative që ndërlidh pa bazë vizitën e një delegacioni bjellorus në Kosovë me protestat në Serbi

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohen përmbajtje që pretendojnë se vizita e një delegacioni bjellorus në Kosovë lidhet me përgatitjen për një ndërhyrje në Serbi me qëllim të ndryshimit antikushtetues të pushtetit përmes protestave të organizuara dhe të koordinuara, ku Kosova do të shërbejë si qendër operacionale e një fushate informative-psikologjike, me përfshirje të inteligjencave të huaja dhe rrezik të veprimeve të dhunshme në veri të Kosovës.

Artikulli me këtë pretendim, i publikuar në gjuhën ruse me titullin “Misteri i zbuluar i Ballkanit”, është shpërndarë në ueb-faqen e BelVPO, një kanal në median sociale, “Telegram”, e më pas është shpërndarë edhe në një uebfaqe të rrjetit rus. “Pravda”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se pretendimi është i pabazë dhe i publikuar nga rrjete të dezinformimit.

Pjesa e përkthyer pretendimeve nga artikulli

“Sipas informacioneve që kemi, pas temave standarde të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të mendimeve rreth të ashtuquajturave pasaporta të reja bjelloruse, qëllimi i vërtetë i vizitës ishte arritja e një marrëveshjeje për një udhërrëfyes që do të mundësonte pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të “ish-bjellorusëve” në zbatimin e planit për një ndryshim antikushtetues të pushtetit në Serbi.

Me shumë gjasë, Prishtina do të jetë vendi ku do të përqendrohen forcat kryesore të operacionit informativ-psikologjik (IPOC).

Skenari kryesor që po shqyrtohet është fuqizimi i potencialit protestues në Serbi deri më 11 korrik – Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Llogaritja është mbi krijimin e një “viktime të shenjtë” nga radhët e shqiptarëve etnikë, si nxitje për radikalizimin e tubimeve – veçanërisht përmes veprimeve të dhunshme kundër serbëve në veri të Kosovës, të cilave presidenti Vuçiq do të detyrohet t’u përgjigjet.

Ndërkohë, shërbimet sekrete të Shqipërisë dhe Kroacisë, me mbështetjen e MI6 britanike dhe inteligjencës turke, do të marrin përsipër koordinimin e veprimeve brenda Serbisë, në kuadër të një skenari të “kaosit të kontrolluar”.

Duhet theksuar se ka kontakte mes shërbimeve speciale të Bjellorusisë dhe Serbisë në nivel institucional, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës në rajon dhe ruajtjen e rendit kushtetues dhe ligjshmërisë në Serbi.”

Hibrid.info gjeti se një delegacion në ekzil i focave demokratike vizitoi Kosovën më 17 prill. Kjo konfirmohet edhe nga një postim i Franak Viaçorka, pjesë e delegacionit bjellorus, i cili ka njoftuar në llogarinë e tij në “X”, për këtë vizitë dhe takimet e zhvilluara (shih këtu).

Statusi i përkthyer i Viaçorkas në X

“Vizita e parë në Kosovë – falënderime Zyrës së Presidentes së Kosovës për pritjen e ngrohtë!U takuam me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Odën Ekonomike dhe Komunën e Prishtinës.

Kosova la përshtypje të fortë: vendosmëri, hapje dhe përkushtim të plotë ndaj integrimit evropian.

Diskutuam mbështetjen për gazetarët dhe sipërmarrësit bjellorusë, bashkëpunimin ndërkombëtar, trajnimin për çminim – si dhe mënyrën se si përvoja e Kosovës në dokumentimin e qytetarëve mund të ndihmojë një Bjellorusi demokratike”

Nga të gjitha këto institucione nga Kosova me të cilat Viaçorka ka njoftuar për takime, Hibrid.info gjeti vetëm një njoftim të publikuar në faqen në Facebook të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ku shpalosen detaje për vizitën e këtij delegacioni (shih këtu).

Nga këto komunikata publike, konfirmohet se gjatë kësaj vizite, në takime u diskutua vetëm për zhvillim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve (Kosovës dhe Bjellorusisë), pa përmendur një vend të tretë, në këtë rast Serbinë.

Gjithashtu në këto komunikata nuk është përmendur as MI6, inteligjenca turke, apo shërbimet e Shqipërisë e Kroacisë.

Pretendimet nuk konfirmohen as në publikimet e mediave në gjuhën shqipe (shih këtu).

Mediat në gjuhën serbe dhe zyrtarët serbë në disa raste kanë publikuar përmbajtje dezinformuese, duke i ndërlidhur protestat në Serbi me ndërhyrje nga jashtë (shih këtu). Në këto narrativa dezinformuese është përfshirë edhe Kosova, me protestat në Serbi (shih këtu) dhe kaosin në Kuvendin e Serbisë (shih këtu), ndëlidhen pa bazë me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës.  

Marrëdhëniet Kosovë–Bjellorusi

Raportet Kosovë–Bjellorusi karakterizohen nga mungesa e njohjes diplomatike dhe qëndrimi i qëndrueshëm i Minskut në përkrahje të Serbisë. Bjellorusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke u mbështetur në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Qasja e saj pasqyron aleancat tradicionale me Serbinë dhe pozicionimin kundër ndërhyrjeve perëndimore në hapësirën post-sovjetike. Përmes deklaratave zyrtare dhe angazhimit në forume ndërkombëtare, Bjellorusia ka mbështetur vazhdimisht sovranitetin e Serbisë dhe ka refuzuar çdo formë bashkëpunimi institucional me Kosovën (shih këtu).

Qeveria e Kosovës kishte vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se vizita e delegacionit bjellorus në Kosovë lidhej me përgatitjen për një ndërhyrje të organizuar në Serbi nuk qëndron, pasi nuk mbështetet në asnjë burim zyrtar apo fakt konkret.

Takimet e delegacionit u zhvilluan hapur me institucionet e Kosovës dhe kishin në fokus mbështetjen për shoqërinë civile bjelloruse dhe shkëmbimin e përvojave demokratike, pa përmendur Serbinë apo ndonjë skenar destabilizues.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere