[email protected]
Ndërlidhje dezinformuese të protestave në Serbi me Albin Kurtin nga media dhe zyrtarë serbë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

1 nëntor 2024 një strehë betoni në stacionin e sapondërtuar të trenit në Novi Sad të Serbisë u shemb, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave dhe lëndimin e rëndë të tre të tjerëve. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe shkaktoi zemërim të gjerë. Më 3 nëntor, mijëra qytetarë u mblodhën në Beograd, përpara Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, për të kërkuar dorëheqjen e ministrit Goran Vesiq dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga Qeveria për incidentin. Më 5 nëntor, protestuesit sulmuan ndërtesën e Kuvendit Komunal të Novi Sadit, duke thyer dyer prej xhami, hedhur gurë, ngjyrë të kuqe dhe mjete piroteknike brenda saj. Stacioni, i inauguruar në korrik 2024 pas tre vjetësh punime nga një konsorcium kinez, tashmë është vënë në qendër të polemikave për sigurinë dhe cilësinë e punimeve të kryera.

Më 6 nëntor 2024, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i akuzoi individët në Novi Sad për përdhosjen e flamurit të Serbisë dhe vandalizimin e institucioneve serbe, duke i krahasuar me “veprimet e Albin Kurtit dhe ekstremistëve në Kosovë”. Mediat serbe amplifikuan këtë narrativë, duke e paraqitur Kosovën si “faktor destabilizues dhe kërcënim për Serbinë”.

“Është e papranueshme që mbrëmë në Novi Sad individë përdhosën flamurin e Serbisë dhe vandalizuan institucionet serbe, ashtu siç po bëjnë Kurti dhe ekstremistët e tij në Kosovë. Kjo nuk është një rastësi, sepse Kurti dhe rebelët në Novi Sad kanë të njëjtin interes dhe metoda: që Serbia dhe gjithçka serbe të pengohet dhe të dobësohet nga dhuna”.

Studentët në Serbi kanë shpërthyer në protesta masive që nga fundi i nëntorit, duke bllokuar mbi 40 fakultete në universitetet e Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit. Ata kërkojnë përgjegjësi dhe ndjekje penale për ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Po ashtu, kërkojnë publikimin e dokumentacionit për rikonstruksionin e stacionit dhe gjetjen e autorëve të sulmeve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave të mëparshme.

Në kuadër të kësaj, mediat dhe zyrtarët serbë tentuan të lidhin pa fakte protestat opozitare në Serbi me Albin Kurtin, duke paraqitur destabilizimin e Serbisë si një emërues të përbashkët të këtyre ngjarjeve. Kjo përpjekje u shoqërua me pretendime se Kurti dhe opozita serbe veprojnë në harmoni për të krijuar tensione dhe për të dobësuar stabilitetin e Serbisë, “duke manipuluar situatën për të arritur qëllimet e tyre politike”.

Më 3 dhjetor, media serbe “Informer” publikoi një pretendim se një protestë do të mbahet para restorantit “Kronenhalle” në Cyrih, ku thuhet se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të darkonte. Sipas artikullit, protesta organizohej nga kryeministri Albin Kurti, duke u mbështetur në metodat e protestave opozitare në Serbi. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se pretendimi i publikuar nga “Informer” nuk kishte asnjë bazë faktike dhe nuk ofroi prova që ta mbështesnin. Gjithashtu, protesta e përmendur nuk u zhvillua.

E përditshmja serbe “Kurir” publikoi një artikull më 4 dhjetor në të cilin pretendohet se ngjarjet e fundit, përfshirë sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok dhe veprimet e opozitës serbe, janë të lidhura me një përpjekje për destabilizimin e Serbisë. Artikulli thotë se Kurti synon dobësimin e Serbisë dhe se opozita serbe po mbështet përpjekjet e tij për të rrëzuar qeverinë aktuale, duke përdorur protesta dhe tensione si mjet për të arritur qëllimet e saj.

Mediat serbe, më 8 dhjetor, publikuan një pretendim të pabazuar, lidhur me një fotografi të një personi të identifikuar si Millosh Rakiq, duke e lidhur atë me “Shqipërinë e Madhe”. Fotografia ishte shkrepur gjatë një proteste në Novi Sad, ku një qytetar kishte duar të kryqëzuara, ngjashëm me simbolin e shqiponjës dykrenore, por me pozita të ndryshme. “Informer.rs” përdori këtë imazh për të lidhur pa fakte Rakiqin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e etiketuar atë si një “satelit” të Kurtit.

Më 13 dhjetor, disa media në gjuhën serbe publikuan artikuj ku pretenduan se raportimi i mediave në gjuhën shqipe në Kosovë për protestat në Serbi ishte dëshmi e “mbështetjes së Albin Kurtit për shkatërrimin dhe djegien e Serbisë”. Ato gjithashtu sugjeruan se “media të kontrolluara nga Kurti në Prishtinë” përkrahin protestat në Beograd, duke pretenduar se kjo kishte për qëllim shkatërrimin e Serbisë. Mediat në gjuhën serbe nuk ofruan asnjë fakt që të mbështesin pretendimin dhe se mediat në Kosovë janë nën kontrollin e Kurtit, duke e bërë këtë akuzë të pabazuar.


Edhe gjatë protestave të opozitës në dhjetor 2023, ku u kërkua anulimi i zgjedhjeve në Serbi, u përhapën pretendime për përfshirjen e kryeministrit Albin Kurti në organizimin e këtyre protestave. Këto pretendime, pa prova konkrete, lidhën Kurtin me ngjarje të tilla, duke sugjeruar se ai ishte i përfshirë pas përpjekjeve për të destabilizuar situatën politike në Serbi.

Më 24 dhjetor të vitit të shkuar, mediumi serb “Informer.rs” publikoi një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka urdhëruar mediat në Kosovë t’u japin hapësirë të plotë protestave të opozitës në Serbi, pa ofruar fakte konkrete për këtë akuzë.

Një ditë pas, më 25 dhjetor, mediumi serb “Informer.rs” publikoi një artikull me pretendimin se një llogari (ro)bot e Albin Kurtit në rrjetin social X ka qenë e përfshirë në protestën e opozitës në Serbi, me qëllim destabilizimin. Ky medium nuk ofroi asnjë fakt që të vërtetonte se kjo llogari ishte vërtet një bot i Kurtit.

Share With Others

Translate »