Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një postimi në Facebook, faqja “Lajminews.info”, ka pretenduar se kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pretendon postin e presidentit të Kosovës.
Kjo përmbajtje vizuale është publikuar të enjtën (29 janar) në Facebook dhe deri në momentin e trajtimit ka marrë mbi 500 reagime e afër 400 komente.

Cila është e vërteta?
Hibrid.info nuk ka gjetur se ka një propozim zyrtar të konfirmuar, se Lumir Abdixhiku ka pretenduar postin e presidentit.
Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “lumir abdixhiku president”. Rezultatet nuk japin ndonjë rezultat kredibil për këtë pretendim, përpos një deklarim të analistit Sali Rexhaj në emisionin “Kosova Live” në T7, bërë më 14 janar të këtij viti, ku ai thotë se për postin e Presidentit “nuk është Bekim Jashari në lojë. Është Abdixhiku vetë” (këtu).
Ndërkaq, në komentet e postimit të bërë nga faqja “Lajminews.info”, lexuesit duket se e kanë perceptuar pretendimin si të vërtetë. (shih këtu)
Ditë më parë, hibrid.info ka trajtuar një përmbajtje të ngjashme, të publikuar nga faqja “Ndryshimi Vazhdon” në Facebook. Përmes këtij postimi u pretendua pa fakte se “Gjatë mbledhjës së këshillit të LDK-së Lumir Abdixhiku pretendon postin e presidentit të Kosovës”.
Aktualisht pozitën e presidentes e mban Vjosa Osmani, e cila nisi detyrën më 4 prill 2021, kur edhe u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës. Mandati i presidentit është pesë vjet, që do të thotë se Osmani është afër përfundimit të mandatit (shih këtu).
Zgjedhja e presidentit bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Kandidati për president duhet të sigurojë nënshkrimet e të paktën tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Kosovës (shih këtu).
Analiza:
Përmes një postimi në Facebook u pretendua se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, synon postin e presidentit të Kosovës.
Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë konfirmim apo propozim zyrtar që mbështet këtë pretendim.
Kërkimet në Google nuk ofrojnë burime kredibile, përveç një deklarate të një analisti në një emision televiziv, e cila nuk përbën fakt zyrtar.
Pavarësisht kësaj, një pjesë e komentuesve në postimin në Facebook e kanë marrë pretendimin si të vërtetë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



