Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Titull i pabazuar për mundësinë e kandidimit të Gërvallës për presidente

HIBRID

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Titulli lë hapësirë të keqinterpretohet se emri i Donika Gërvallës është propozuar në instanca zyrtare për pozitën e presidentes.

Donikë Gërvalla presidente e ardhshme e Kosovës?!” mban titullin një artikull i publikuar nga mediumi “botasot.info” më 17 korrik.

Artikulli përmban një imazh në të cilin shfaqet Gërvalla dhe anash saj edhe shkrimi “Presidenca e  Kosovës”.

Çka nuk shkon me titullin?

Përderisa titulli përgjithësues lë hapësirë të interpretohet nëse kjo çështje është ngritur edhe në instanca të larta vendimmarrëse për këtë proces, artikulli tregon se emri i Gërvallës është përmendur nga një publicist.

Kreu i artikullit:

“Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donikë Gërvalla, do të ishte një zgjedhje e denjë për postin e Presidentes së Republikës së Kosovës”.

Përdorimi i pikëpyetjes dhe pikëçuditjes në fund

Në fund të titullit janë përdorur pikëpyetja dhe pikëçuditja. Në titullin që po trajtohet, kombinohet pyetja me habinë, mosbesimin, ironinë apo indinjatën. Në teori, diçka e tillë njihet si formë e “interrobang” si diçka që synon të kombinojë emocionet, mosbesimin dhe hutimin në formën e një pyetjeje (shih këtu).


Mospërmendja e emrit të deklaruesit në titull se “Gërvalla do të ishte zgjedhje e denjë për presidente” dhe imazhi ilustrues, mund të nxisin keqinterpretime nëse një çështje e tillë është ngritur në instanca vendimmarrëse në këtë aspekt apo është thjesht një opinion i dikujt. Kjo vërtetohet nga disa komente në postimin e “Bota Sot” në Facebook.

Titulli i njëjtë është përdorur edhe nga faqe të tjera në Facebook, që i kanë shtuar edhe fjalën “Ekskluzive”, për ta paraqitur në formë më sensacionale (shih këtu, këtu dhe këtu).


Hibrid.info ka trajtuar në disa raste tituj që opinionet i paraqesin si lajm (shih këtu, këtu dhe këtu).


Konteksti për postin e presidentit

Për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda afateve kushtetuese, Kosova iu nënshtrua zgjedhjeve të reja parlamentare më 7 qershor. 

Pas certifikimit të rezultateve kanë nisur afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e përbërjeve të reja të institucioneve – Qeverisë e presidentit.

Sipas Kushtetutës, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve (neni 66). Rezultatet u certifikuan më 8 korrik.  

Në Kushtetutë theksohet se Kuvendi mund të shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës (neni 82.3).

Si zgjidhet presidenti?

Presidenti si kreu i shtetit zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë (neni 86).

Për t’u nominuar si kandidat duhen nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve, të cilët kanë të drejtë të nënshkruajnë vetëm, për një kandidat.

Zgjedhja bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve. Nëse në dy rundet e para asnjëri kandidat s’i merr 2/3 e votave organizohet rundi i tretë mes dy kandidatëve më të votuar në votimin e dytë dhe kandidati më i votuar që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61) zgjidhet president.

Deri tash emri i Gërvallës nuk është përmendur në ndonjë raportim kredibil si emër i propozuar për president (shih këtu).

Analiza:

Titulli “Donikë Gërvalla presidente e ardhshme e Kosovës?!” paraqet si mundësi reale një pretendim që bazohet vetëm në vlerësimin e një publicisti.

Artikulli nuk sqaron në titull se bëhet fjalë për deklaratë të një publicisti, duke lënë hapësirë për keqinterpretim se emri i Gërvallës është propozuar në instanca zyrtare për këtë pozitë.

Keqinterpretimi konfirmohet edhe nga disa komentues në media sociale.

Bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson titullin e formuluar në këtë mënyrë si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bën të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere