Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video-material i titulluar “Lajm i madh ,’SHBA hap bazë të re në Kosovë’”.
Përmbajtja është publikuar (22 qershor) në kanalin zyrtar në Youtube të mediumit “NTV Televizion”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se informacioni i paraqitur në titull është bazuar në një opinion personal dhe jo vendim zyrtar, gjë e cila nuk bëhet e qartë për audiencën.

Informacioni i paraqitur në titull nuk është i qartë në kuptim. Nuk dihet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA-ja) po hap, planifikon, apo ka hapur një bazë të re dhe nuk specifikohet për çfarë baze bëhet fjalë.
Gjithashtu, informacioni është paraqitur si deklaratë, pa u specifikuar se nga kush ka ardhur deklarata si e tillë.
Ndërsa në miniaturën (thumbnail) e kësaj videoje shfaqen katër figura të njohura politike: Donald Trump president i SHBA-së, Aleksandar Vuçiq president i Serbisë, Vjosa Osmani presidente e Kosovës dhe Albin Kurti kryeministër i Kosovës.
Megjithatë, pas hapjes së videos, bëhet e qartë se bëhet fjalë për opinionistin Bedri Elezi, i cili shpreh pikëpamjet e tij lidhur me veprimet e mundshme të administratës Trump ndaj Kosovës, ku ndër të tjera ai ka parashikuar hapjen e një baze të re ushtarake të ShBA-ve në Kosovë, pa ofruar fakte apo dokumente të verifikueshme (shih këtu).
Hibrid.info ka kontrolluar faqet në Facebook të institucioneve të ShBA-së, siç janë Ambasada amerikane në Prishtinë, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, për të gjetur nëse ka deklaratë zyrtare që do të konfirmonte pretendimin, por diçka e tillë nuk është hasur (shih këtu, këtu dhe këtu).
Edhe rezultatet nga hulumtimi në motorin e kërkimit “Google” për javën e fundit, nuk kanë shfaqur raporte në mediat e besueshme, dokumente zyrtare apo njoftime të forcave të sigurisë, që do të mund të vërtetonin atë që thuhet në titull (shih këtu).
Nga artikujt e publikuar më herët është gjetur një raportim nga Radio Evropa e Lirë, ku njoftohej se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës në vitin 2022 kishte bërë kërkesë zyrtare nga ShBA-JA, për vendosjen e një baze të përhershme të forcave amerikane në Kosovë (shih këtu).
Në artikull përmendet se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, forcat e NATO-s, në kuadër të misionit KFOR, janë forcat e vetme ushtarake në Kosovë. Një gjë e tillë përjashton mundësinë e një baze ushtarake të re, jashtë këtij misioni në Kosovë, nga cilido shtet (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi i paraqitur në titullin e një videoje se “SHBA hap bazë të re në Kosovë” nuk është i saktë.
Pretendim bazohet vetëm në opinionin e një analisti dhe nuk mbështetet në asnjë fakt apo burim zyrtar të verifikueshëm.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.