Një përmbajtje e publikuar në TikTok nga llogaria “mirditamadhe1”, në formën e një lajmi të një portali, pretendon se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka reaguar lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në këtë përmbajtje pretendohet se Trump i ka cilësuar ata si “padrejtësisht të burgosur” dhe ka kërkuar lirimin e tyre deri në muajin dhjetor. Po ashtu, pretendohet se presidenti amerikan ka paralajmëruar se, nëse kjo nuk ndodh, SHBA-ja do të “rishikojë të gjitha marrëdhëniet me institucionet” e përfshira në këtë proces.

Çka nuk shkon?
Pas hulimimit të kryer online nga hibrid.info, në burime kredibile amerikane dhe ndërkombëtare nuk është gjetur asnjë deklaratë të presidentit amerikan që përputhet me pretendimin e publikuar në TikTok.
Në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë janë publikuar deklaratat, fjalimet, njoftimet dhe veprimet e administratës Trump. Në kërkimin e materialeve të publikuara rreth datës së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk gjendet ndonjë deklaratë e Trumpit që kërkon lirimin e tyre deri në dhjetor.
Po ashtu, kërkimi në raportimet e agjencive amerikane Associated Press dhe Reuters nuk tregon se Trump ka bërë një deklaratë të tillë.
Kërkimi mund të kontrollohet edhe përmes Google në gjuhën angleze dhe shqipe. Këto kërkime nuk japin ndonjë raportim kredibil që dokumenton deklaratën e pretenduar.
Qëndrimi zyrtar i SHBA-së
Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.
Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Analiza
Nuk është gjetur ndonjë burim kredibil amerikan, deklaratë zyrtare e Shtëpisë së Bardhë apo raportim i agjencive të mëdha amerikane që dëshmon se Donald Trump ka kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri në dhjetor.
Edhe kërkimet në Google, në gjuhën shqipe dhe angleze, nuk kanë nxjerrë ndonjë publikim kredibil që e dokumenton këtë pretendim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.