Janë publikuar postime në Facebook me mbishkrimin “Seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve nga 11 deri më 15 maj”.
Këto postime shoqërohen me imazhe që paraqesin portretet e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Përmbajtjet me këtë mbishkrim janë publikuar të premten (1 maj) në Facebook nga faqet e mediave “KosovaPost.net” dhe “DTV Media” si dhe në faqen e emisionit “DPT me Fidanin”.
Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Mbishkrimi dhe imazhi lënë të kuptohet se të katërt ish-liderët e UÇK-së do të përballen bashkërisht me procese gjyqësore në ato data, ndërkohë që në realitet bëhet fjalë për një seanca që lidhen me akuzat për pengim të drejtësisë, ku figurat e tjera përkrah Thaçit nuk janë pjesë e atij procesi gjyqësor.

Faqet e mediave ”DTV Media” dhe “KosovaPost.net” kanë mbi 240 mijë ndjekës dhe mbi 80 mijë ndjekës, ndërsa faqja “DPT me Fidanin” ka mbi 140 mijë ndjekës.
Pas klikimit të vegëzave të postimeve në të dy këto media, u gjet se edhe në brendësi të artikujve, përmbajtjet kanë të njëjtin titull dhe kanë të njëjtin imazh me portretet e ish-liderëve të UÇK-së (Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi), të cilët po gjykohën në Hagë me dyshimet për krime lufte (shih këtu dhe këtu).
Ndërsa në brendësi të lajmit, qysh në hyrje sqarohet se datat e seancave janë caktuar për çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Madje, artikulli i “DTVmedia.com” e tregon se për këtë rast të akuzuar janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.
Hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe konfirmoi se këta emra janë të akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë (shih këtu).
Kjo do të thotë se mund të vlerësohet që titulli i artikujve nuk e specifikon se për cilin rast janë caktuar datat e seancave, ndërsa imazhi krijon përshtypjen se bëhet fjalë për procesin ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
Për të konfirmuar raportimin, hibrid.info kontrolloi tutje në uebfaqen e këtij institucioni të drejtësisë dhe gjeti kalendarin e ngjarjeve të muajit maj. Nga kalendari i hasur u vërtetua se raportimi për caktimin e seancave në këtë rast, është i saktë (shih këtu).
Në mesin e raportimeve të mediave në gjuhën shqipe janë hasur të tilla, ku në tituj të lajmit dhe me imazh është sqaruar se bëhet fjalë për procesin e veprave kundër administrimt të drejtësisë (shih këtu, këtu dhe këtu).
Pak kontekst
Gjykimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale, në Hagë, ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë ka përfunduar më 18 shkurt të këtij viti.
Prokuroria kishte kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Prej përfundimit të gjykimit, gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Ndërsa gjykimi për pengim të administrimit të drejtësisë ndaj Thaçit dhe të tjerëve (Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi) është ka filluar mw 27 shkurt të këtij viti dhe është ende në proces.
Analiza:
Në mediat sociale është publikuar një përmbajtje e shoqëruar me një imazh ku shihen katër ish-krerët e UÇK-së (Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi), me mbishkrimin që raporton se seancat gjyqësore në Hagë për Thaçin dhe të tjerët janë caktuar nga 11 deri më 15 maj.
Megjithatë, verifikimi vërtetoi se përmbajtja është çorientuese pasi titulli nuk e specifikon se për cilin proces gjyqësor bëhet fjalë, ndërsa imazhi gabimisht shfaq portretet e të gjithë grupit të akuzuar për krime lufte.
Në fakt, brendësia e lajmit sqaron se datat e caktuara i referohen procesit për pengim të drejtësisë, ku i akuzuar është Hashim Thaçi bashkë me persona të tjerë (Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi), e jo pjesa tjetër e grupit të shfaqur në imazh.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.