Përmes një artikulli të publikuar në Facebook nga faqet “Prishtina City”, “Gazeta Arbëria” e “Gazeta T9” pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një lajm të ri lidhur me rritjen e pensioneve.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se përmbajtja nuk dëshmon se është marrë ndonjë vendim i ri për rritjen e pensioneve, por i referohet deklarimeve dhe zotimeve të kryeministrit për politikat qeveritare.

FAKTET
Hibrid.info ka hulumtuar njoftimet dhe dokumentet zyrtare të institucioneve të Kosovës lidhur me ndryshimet në skemat pensionale.
Në adresimin e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, Kurti përmendi pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe rritjen graduale të shtesave për fëmijë. Megjithatë, në këtë deklarim nuk njoftoi ndonjë vendim të ri për rritjen e pensioneve (shih këtu).
Po ashtu, më 1 tetor 2026, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës shqyrtoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit të Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se në programin e Departamentit të Pensioneve parashihej shtimi i 20 milionë eurove për mbulimin e kostos së pensioneve bazike (shih këtu).
Kjo shumë ishte paraparë për mbulimin e shpenzimeve të skemës pensionale dhe nuk përbënte vendim për rritjen e shumës që përfiton secili pensionist.
Çfarë vendimi ishte marrë për rritjen e pensioneve?
Vendimi për rritjen e pensioneve bazike ishte marrë më 31 tetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë së Kosovës, pensionet bazike-sociale u rritën nga 120 në 150 euro, duke filluar nga nëntori i vitit 2025 (shih këtu).
E njëjta rritje u aplikua edhe për disa kategori të tjera, përfshirë pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.
Pra, kjo ishte një rritje e miratuar në vitin 2025 dhe jo një vendim i ri i marrë në nëntor 2026.
Analiza
Titulli “Kurti jep lajmin e madh lidhur me rritjen e pensioneve” krijon përshtypjen se kryeministri ka njoftuar një vendim të ri për rritjen e pensioneve.
Megjithatë, deklarimi i Kurtit për buxhetin e vitit 2027 nuk përmban ndonjë njoftim për rritjen e pensioneve. Ndërsa ndarja e 20 milionë eurove shtesë në buxhetin e pensioneve kishte të bënte me mbulimin e kostos së skemës pensionale, e jo me rritjen e shumës së pensioneve individuale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.