Shkroi: Etrit Rexhepi
Nëpërmjet artikujve është pretenduar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka cilësuar Serbinë si partneren më të fortë në rajon.
Portali “pamfleti.net” ka shkruar të enjten (12 shkurt) një artikull me titull: “Erdogan e cilëson Serbinë partneren më të fortë në rajon, struken lakejtë e tij në Tiranë e Prishtinë”.
Artikulli përmban deklaratat e Erdoganit pas një takimi që ka mbajtur në Ankara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çka tha në të vërtetë Erdogan?
Erdogan në asnjë rast në fjalimin e tij në konferencën e përbashkët me Vuçiqin nuk ka bërë cilësimin se Serbia është partneri më i fortë i Turqisë në rajon.
Çka thuhet në përmbajtje?
“Rexhep Taip Erdogan ka pritur sot në Pallatin Presidencial në Ankara Aleksandër Vuçiçin dhe e ka shpallur Serbinë si partneren kryesore të vendit të tij në Ballkan”, thuhet në hyrje të artikullit.
Përmbajtja vazhdon me njoftimin e presidentit të Turqisë në Facebook. Aty tregohet se në postim, Erdogani ka shkruar se me Vuçiqin ka diskutuar se çfarë mund të bëhet në drejtim të mbrojtjes së stabilitetit dhe forcimit të zhvillimit ekonomik në Ballkan. Është treguar edhe për rritjen e numrit të kompanive me pronësi turke që operojnë në Serbi, si dhe për rritjen e shumës totale të investimeve.
“Tregtia dhe investimet tona në rritje me Serbinë janë lokomotiva e marrëdhënieve tona”, është cituar më tej Erdogani.
Sipas përmbajtjes, Erdogani ka thënë se me Vuçiqin kanë diskutuar edhe se çfarë mund të bëhet për ta zhvilluar rajonin, të cilin e shohin si urë miqësie midis dy shteteve. Më pas, Erdogani citohet duke thënë se sot Turqia është destinacioni i dytë turistik për turistët serbë, e se qytetarët turqë janë në vend të parë në listën e turistëve që vizitojnë Serbinë. Presidenti turk ka folur edhe për interesimin që të rritet volumi i mësimit të gjuhës turke në shkollat serbe.
Artikulli kalon në përmbajtje më komentuese duke vazhduar me: “Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një zhvillim thjesht protokollar, por me një përshkallëzim të rëndësishëm politik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.
Tutje shkruhet për raportet historike Serbi-Turqi, e që sipas artikullit, nuk janë zbehur kurrë. Po ashtu flitet për raportet e Perandorisë Osmane me shqiptarët.
Megjithatë, askund nuk vërehet të jetë cituar Erdogani tek thotë se Turqia e cilëson Serbinë si partneren më të fortë në rajon.
Pos artikullit në uebfaqe, edhe një video me titullin e njëjtë është publikuar në kanalin e “Pamfletit” në YouTube. Mbishkrimi aty është: “Erdogan e quan Serbinë partneren më të fortë, struken lakejtë në Tiranë”.
Pretendimi i njëjtë u publikua edhe nga portali “shqipmedia.com”.
Për më shumë, hibrid.info ka verifikuar edhe në postimin që është përdorur në artikull. As aty nuk është hasur ndonjë cilësim i tillë siç pretendohet (shih këtu).
Edhe në uebfaqen e Presidencës së Turqisë, në komunikatën për takimin me Vuçiqin dhe konferencën e përbashkët, nuk është përmendur një cilësim i tillë (shih këtu).
Ndërkaq edhe po që se kërkohet në “Google” me fjalët “Erdogan: Serbia partnerja më e fortë” nuk hasen artikuj në mediume të tjera.
Analiza:
Pretendimi se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka cilësuar Serbinë si partneren më të fortë të Turqisë në rajon, nuk është i mbështetur në fakte.
Nga verifikimi i deklaratave zyrtare dhe postimit që është marrë për bazë në artikull, Erdogani ka folur për rritje të bashkëpunimit dhe investimeve. Megjithatë, ai nuk ka bërë cilësimin që Serbinë Turqia e ka partneren më të fortë në rajon.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.



