Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime Të fundit | Mbishkrimet nuk e tregojnë se vendimi për këto shtesa është marrë në Greqi Të fundit | Stërvitjet e KFOR-it paraqiten pabazë si përgatitje për trazira në Kosovë Të fundit | Nuk është e vërtetë se nga 7 shtatori shtetasit e Shqipërisë duhet të kenë… Të fundit | Videoja e vjetër nga Indonezia paraqitet rrejshëm si gjendje e rrugëve në K… Të fundit | Rikthehet narrativa e pabazë se bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri–Kroaci përbën… Të fundit | Imazhi i pretenduar i Albin Kurtit me Lidija Sokoloviq, i gjeneruar nga IA Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme dhe të pabazuara për figurat politik… Të fundit | Fenomeni “Pink Slime”: Kur faqet që paraqiten si media u japin përmbajtjeve… Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon…
[ ARTIKULLI ]

Kur temat sociale bëhen karrem për klikime

FATBARDH DEMA

Në median sociale Facebook po qarkullojnë përmbajtje që përdorin tema me interes të drejtpërdrejtë për familjet, si shtesat për fëmijë, përfitimet financiare dhe ndihmat për të porsalindurit.

Në disa raste, informacioni në artikull mund të jetë i vërtetë, por mënyra se si paraqitet në titull krijon një përshtypje të gabuar. Titulli mund të mos tregojë se ku ka ndodhur ngjarja, kur është marrë vendimi apo nëse informacioni lidhet fare me Kosovën.

Kjo vërehet edhe në disa faqe në Facebook që paraqiten si media, por që shpërndajnë përmbajtje të tilla pa dhënë në titull informacionin kryesor. Si rezultat, një lajm për një masë të marrë jashtë Kosovës mund të duket sikur vlen edhe për qytetarët në Kosovë.


Disa shembuj

Një shembull i tillë u publikua më 8 shtator 2026 në faqen “lajmi.tv”, me titullin: “LAJMI I FUNDIT / FANTASTIKE / 1 mijë euro për çdo të porsalindur”. Në postim ishte vendosur edhe një vegëz që dërgonte në ueb-faqen “4eks.net”.

Pas hapjes së artikullit, bëhej e qartë se informacioni kishte të bënte me një masë të Bashkisë së Kallitheas në Athinë. Bëhej fjalë për një grant prej 1 mijë eurosh për prindërit që plotësonin kriteret e përcaktuara.


I njëjti artikull u gjet edhe në ueb-faqen “cookfixes.com” dhe u shpërnda në Facebook nga faqja “Prishtina City”. Në këtë rast, titulli ishte: “1 MIJE EURO SHTESE PER KETE KATEGORI”.

Në të dyja rastet, titujt nuk tregonin se bëhej fjalë për një masë të një bashkie në Greqi. Kjo mund ta bëjë lexuesin të mendojë se lajmi lidhet me Kosovën ose se pagesa vlen në përgjithësi për çdo fëmijë të porsalindur.


Një rast tjetër lidhet drejtpërdrejt me shtesat për fëmijë në Kosovë. Më 8 shtator, faqja “Prishtina City” publikoi një përmbajtje me titullin: “LAJMI FUNDIT / S’ka shtesa me nga 30 euro”.

Megjithatë, pasi hapet vegëza në postim, në artikull sqarohet se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kishte nisur verifikimin e përfituesve të shtesave për fëmijë. Nga skema mund të largoheshin vetëm ata që nuk i plotësonin kriteret, ndërsa familjet që vazhdonin t’i plotësonin kushtet do të vazhdonin t’i merrnin shtesat.

Ky rast ishte trajtuar më herët edhe nga hibrid.info. Më 18 gusht, hibrid.info vlerësoi se titulli krijonte përshtypjen se shtesat prej 30 eurosh po ndaleshin për të gjithë përfituesit. Në fakt, bëhej fjalë për verifikimin e përfituesve dhe mundësinë e largimit nga skema të atyre që nuk i plotësonin kriteret.


Pse këto tema tërheqin klikime?

Temat që lidhen me përfitimet sociale dhe financiare kanë një veçori të rëndësishme: ato prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve. Një informacion për shtesat e fëmijëve, pagesat apo ndihmat financiare mund të shihet si diçka që mund të ndikojë drejtpërdrejt në familjen e lexuesit.

Një raport i Reuters Institute për Studimin e Gazetarisë në Universitetin e Oksfordit tregon se relevanca personale është një faktor i rëndësishëm në atë se cilat lajme zgjedhin njerëzit të lexojnë. Sipas raportit, njerëzit priren t’u kushtojnë më shumë vëmendje lajmeve që lidhen me jetën e tyre, familjen, punën ose komunitetin ku jetojnë.

Kjo ndihmon të kuptohet pse temat për përfitimet sociale mund të përdoren për të tërhequr klikime. Kur një titull lë të kuptohet se një pagesë e re është miratuar, se një përfitim po rritet apo se një ndihmë po ndalet, lexuesi ka më shumë arsye të klikojë për të kuptuar nëse informacioni e prek atë ose familjen e tij.

Problemi shfaqet kur titulli lë jashtë informacionin kryesor, si vendi, koha ose kushtet që vlejnë për përfitimin. Në këto raste, një informacion i vërtetë mund të paraqitet në mënyrë që krijon një përshtypje të gabuar te lexuesi.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere