Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presidentit

ETRIT REXHEPI

Duke u bazuar në trajtimet e përmbajtjeve keqinformuese në proceset e fundit politike, ky tekst analizon narrativat e mundshme të keqinformatave që mund të shfaqen deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Për të rritur vetëdijen ndaj këtyre përmbajtjeve, është përdorur një qasje e kombinuar e prebunking-ut (parandalim i keqinformimit), duke u mbështetur në identifikimin e modeleve të mëparshme të keqinformimit, paraqitjen e fakteve të verifikuara mbi zhvillimet aktuale, si dhe përmenden narrativat dhe burimet përmes të cilave mund të përhapet keqinformimi. Kjo qasje synon që lexuesit të kuptojnë jo vetëm cilat pretendime mund të jenë të pasakta, por edhe mënyrën dhe arsyet se si ato mund të shfaqen.

Situata politike që mund të nxisë keqinformata

Procesi i zgjedhjes së presidentit vjen pas një cikli të ngjeshur të zhvillimeve politike, ku përfshihen zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Kosova gjendet në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe në rast të përfundimit pa rezultat, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Bazuar në monitorimin e vazhdueshëm nga hibrid.info, situata të tilla të paqarta institucionale paraqesin rrezik të shtuar për qarkullim të keqinformatave, veçanërisht në lidhje me zhvillimet politike dhe vendimmarrjen institucionale (shih këtu dhe këtu).

Keqinformatat në të kaluarën

Vitin e kaluar (2025) u mbajtën dy palë zgjedhje parlamentare: zgjedhjet e rregullta më 9 shkurt dhe zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor, si pasojë e mosformimit të institucioneve ekzekutive nga legjislatura e zgjedhjeve të para.

Gjatë periudhës mes shpalljes së mandatarit për formimin e qeverisë (11 tetor 2025) dhe caktimit të datës së zgjedhjeve (20 nëntor), hibrid.info trajtoi disa pretendime që lidheshin me zhvillimet politike.

Një pjesë e këtyre përmbajtjeve krijonin lidhje të rreme mes partive opozitare dhe Listës Serbe apo eksponentë të afërt me këtë subjekt politik, duke pretenduar bashkëpunime për bllokimin e proceseve politike (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu). Në raste të tjera janë publikuar pretendime për marrëveshje të pakonfirmuara për koalicione (shih këtu, këtu dhe këtu) apo për sigurimin e votave për formimin e qeverisë (shih këtu dhe këtu).

Po ashtu, janë identifikuar përmbajtje në gjuhën serbe që lidhnin zhvillimet politike në Kosovë me narrativa për destabilitet apo rrezik sigurie (shih këtu).

Keqinformatat e trajtuara në situatën aktuale

Që prej fillimit të procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit (5 mars, 2026), hibrid.info ka trajtuar një sërë përmbajtjesh keqinformuese që lidhen me zhvillimet dhe aktorët politikë të përfshirë në këtë çështje.

Këto përfshijnë deklarata të manipuluara të zyrtarëve politikë dhe atribuime të rreme të qëndrimeve politike (këtu këtu, këtu dhe këtu), publikime superlative ose të sajuara për figura publike (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu), manipulime me imazhe (këtu dhe këtu), sondazhe të rreme që pretendojnë të paraqesin mbështetjen politike (shih këtu dhe këtu) dhe pretendimet e rreme për emrin e presidentit të ri (këtu dhe këtu).

Kjo tregon se edhe në situatën aktuale po përsëriten modele të njohura të keqinformimit nga periudhat e mëparshme politike.

Faktet nga situata aktuale në vend

5 marsi ishte afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet t’i niste procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit, për shkak se presidentes së asaj kohe, Vjosa Osmanit, i përfundonte mandati më 4 prill.

Për ta filluar votimin për president, sipas Rregullores së Kuvendit, duhej të ishin paktën 80 deputetë të pranishëm në seancë. Dy nga partitë opozitare (Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës) kishin kërkuar marrëveshje paraprake për votimin e presidentit. Edhe pse liderët politikë të të dy partive zhvilluan takime me kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk u arrit asnjë pajtim për çështjen (shih këtu).

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidatura (Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollqaku) që vinin nga radhët e këtij subjekti, por partitë nga opozita nuk qëndruan në sallë gjatë votimit.

Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërpreu seancën në mungesë të kuorumit (shih këtu).

Të nesërmen (6 mars), Vjosa Osmani, presidentja ende në mandat, doli në një konferencë për media dhe tha se ka nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”. Ajo u arsyetoi vendimin me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, që përcakton se “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Dekreti u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës dhe deputetët e LVV-së (shih këtu).

Institucioni më i lartë juridik më 26 mars publikoi aktgjykimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij dekreti, duke konstatuar se ai nuk prodhonte asnjë efekt juridik dhe se deputetët e Kuvendit të Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi kanë 34 ditë kohë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit (shih këtu).

Në aktgjykim, tutje thuhej se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda kësaj periudhe të përcaktuar, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh.

Deputetët kanë afat deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e vendit. Nga nxjerrja e vendimit të Kushtetueses, është zhvilluar vetëm një takim për çështjen e presidentit ndërmjet Albin Kurtit, kryeministrit të vendit dhe Lumir Abdixhikut, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Takimi nuk prodhoi asnjë rezultat (shih këtu).

Burimet dhe narrativat e mundshme të keqinformatave

Bazuar në rastet e trajtuara në situata të ngjashme dhe në situatën aktuale, pritet që deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të qarkullojnë përmbajtje që ndjekin modele të ngjashme.

Postime që pretendojnë se “është arritur marrëveshje sekrete për zgjedhjen e presidentit” apo që sugjerojnë bashkëpunime të fshehta politike, zakonisht publikohen pa burime të verifikueshme. Në këto raste, mungesa e deklaratave zyrtare dhe e konfirmimeve nga akterët përkatës është tregues se pretendimi është i pabazuar dhe duhet trajtuar me kujdes.

Gjithashtu, mund të qarkullojnë publikime që pretendojnë se votat janë “siguruar tashmë” ose se procesi është i përfunduar para kohe. Këto pretendime shpesh shoqërohen me burime anonime ose pa referenca konkrete dhe synojnë të krijojnë perceptim të rremë për zhvillimet politike. Verifikimi në burime zyrtare dhe raportime kredibile është thelbësor në këto raste.

Në raste të tjera, mund të qarkullojnë video të shkurtuara ose deklarata të nxjerra jashtë kontekstit, të shoqëruara me përshkrime që ndryshojnë kuptimin e tyre. Nëse një deklaratë nuk është publikuar e plotë dhe nga burimi origjinal, ekziston mundësia që ajo të jetë manipuluar.

Po ashtu, publikimet që paraqesin sondazhe për mbështetjen politike ose që pretendojnë të japin emrin e presidentit të ardhshëm, pa cituar burime të qarta dhe metodologji të verifikueshme, duhet të shihen me dyshim, pasi shpesh synojnë të ndikojnë perceptimin publik.

Në përmbajtjet në gjuhën serbe, mund të shfaqen pretendime që paraqesin situatën si të paqëndrueshme apo me rrezik sigurie, pa u mbështetur në fakte konkrete. Këto narrativa zakonisht përdorin gjuhë alarmuese për të krijuar ndjenjë pasigurie te publiku.

Në të gjitha këto raste, elementet e përbashkëta janë mungesa e burimeve të besueshme, përdorimi i gjuhës spekulative dhe paraqitja e informacionit pa kontekst të plotë.

Përfundimi

Në bazë të këtyre shembujve, mund të parashikohet se përmbajtje keqinformuese mund të publikohen gjatë ditëve në vijim nga burime jokredibile.

Andaj, në raste të tilla, është e rëndësishme të kontrollohet burimi i informacionit, të vlerësohet kredibiliteti i tij dhe të krahasohet me burime të tjera të besueshme. Po ashtu, duhet t’i kushtohet vëmendje kontekstit dhe kohës së publikimit.

Verifikimi i informacionit përmes burimeve zyrtare dhe analizimi kritik i pretendimeve ndihmon në shmangien e ndikimit të keqinformimit dhe në krijimin e një kuptimi më të saktë të zhvillimeve politike.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere